Krizën nuk e zgjidhin dot shkaktarët e saj
Shkruar nga Xhevat Bislimi
Qytetarët e Kosovës filluan me u mërzit për Fajtin dhe (sidomos) për Dellin, që nuk po i shikonin më në ekranet televizive dhe në faqet e para të gazetave ditore, duke dhënë porosi e detyra dhe duke kërkuar shpjegime e llogari për porositë dhe detyrat e (pa)kryera.
Ky i fundit, ambasadori amerikan, pothuajse nuk ishte parë më të bënte ndonjë vizitë apo të shfaqej në mediat tona elektronike dhe të shkruara pas zgjedhjes skandaloze dhe të dhunshme të Pacollit.
Përfshirja dhe ndërhyrja brutale e tij dhe e Fajtit në zgjedhjen e Pacollit u bë publike nga mediat. Opinioni publik shqiptar dhe ndërkombëtar u befasuan nga ky zbulim i medias. Ndërhyrja e tyre kishte kaluar caqet e këshilldhënies dhe ndihmesës miqësore.
Ata po diktonin brutalisht se çfarë duhet të bënte Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe kush duhej të zgjidhejë Kryetar Kosove!! Prej asaj dite Delli nuk po shfaqej më në publik, ishte ngujuar në kullën e tij dhe po priste vendimin e Gjykatës kushtetuese, e cila rrëzoi zgjedhjen e tyre dhe vërtetoi, konstatoi se zgjedhja e Presidentit ishte jokushtetuese.
Këta dy përfaqësuesë, njëri i SHBA-së (ambasador) dhe tjetri i Bashkimit Evropian, lëshuan deklarata kërcënuese dhe shantazhuese për deputetët dhe partitë e atyre që nuk pranonin të rrinin në sallën e Kuvendit për tia bërë numrat koalicionit Hashim-Behxhet!
Kur u bindën se deklaratat e tyre kishin rënë në vesh të shurdhër, Delli dhe Fajti nisën ofanzivën e madhe pranverore! Takim pas takimi me Thaçin, Pacollin, Mustafën... Herë një nga një, herë nga dy dhe herë me të tre njëherësh! Treshja (Thaçi, Delli dhe Fajti), që ishte përgjegjëse për ngërqin politik dhe institucional, për dëmin e madh politik që i kishin shkaktuar Kosovës dhe PDK-së, u riangazhua dhe po përpiqet me një kokëfortësi të paparë në vendet demokratike ta imponojë përsëri zgjedhjen e saj jo demokratike, anticivilizuese dhe antikushtetuese!?
Partitë politike dhe populli i Kosovës po prisnin që kjo treshe të kërkonte falje dhe të tërhiqejë, ta pranonte shkeljen dhe dhunimin e Kushtetutës, ta pranonin ndërhyrjen dhe trysninë brutale ndaj sistemit, partive politike dhe deputetëve. Shkaktarët e krizës dhe të shkeljes së Kushtetutës nuk kanë të drejtë as morale, as politike dhe as ligjore të kërkojnë dhe ofrojnë zgjidhje.
Nisma për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme dhe të qëndrueshme i takonte dhe i takon Presidentit në detyrë, i cili në marrëveshje dhe bashkëpunim të plotë me të gjitha partitë politike parlamentare do ti niste dhe udhëhiqte bisedimet.
Qytetarët dhe partitë politike nuk mund ta kuptojnë nxitimin dhe sikletin e kësaj treshe për ta mbyllur këtë skandal të padëgjuar. Kokëfortësia, mungesa e plotë e vullnetit për tu këshilluar dhe për ta dëgjuar mendimin e organeve të Partisë, mungesa e vullnetit të plotë për të kërkuar zgjidhje dhe bashkëpunim me partitë tjera politike parlamentare e solli Kosovën menjëherë pas zgjedhjeve në një ngërq të pakuptimtë politik dhe institucional. Prandaj, pyes: A mund ta nxjerrin vendin nga kriza shkaktarët e krizës?
Shkaktarët e krizës duhet ta marrin përgjegjësinë për krizën që e sollën dhe jo të kërkojnë një zgjidhje të dytë, që do të ishte vazhdim ose përsëritje e krizës në përmasa edhe më të mëdha!