Krimi nuk ka përkatësi
Shkruar nga Dr. Shefqet KRASNIQI
Ky shkrim është me shkas. Është një reagim ndaj tentativave për të përshkruar me vrazhdësi çdo gjë që është islame, që ka të bëjë me myslimanët apo që ndodhë në vendet e tyre. Para pak ditëve një nga mediat tona përcillte me shqetësimin më të madh një lajm nga Arabia Saudite për fatin e një gruaje nga Srilanka, të cilës i kanosej dënimi me vdekje për shkak të dyshimit për bërje të magjisë.
Lajmi paraqitej aq vrazhdë dhe aq fyes saqë të jepej përshtypja sikur Arabia Saudite është një bishë a një egërsirë që do vetëm gjak derisa -qëllimshëm-harronte faktin se një mëkat sikur magjia, jo vetëm që në Islam është i madh, por edhe në të gjitha fetë qiellore, sikur që Islami nuk është legjislacioni i parë që ka aplikuar dënimin me vdekje për këtë krim të madh.
Kam bindjen se mediat janë duke bërë një fushatë të egër kundër kulturës orientale, duke përfshirë këtu dhe Islamin si burim dhe referencë kryesore e kësaj kulture. Këtë, përveç tjerash, e dëshmon edhe fakti se në Evropë dhe SHBA kryhen me dhjetëra krime të tilla, madje ka raste kur edhe ekzekutohen, ndërsa gjërat paraqiten krejtësisht ndryshe. Punohet shumë që krimi të lokalizohet deri në minimum, tek individi. Pra, nuk fajësojnë shoqërinë dhe as vlerat kulturore por për këtë fajin ia lënë individit.
Breiviku vrau 77 persona ndërsa, megjithëqë ai deklaron se nuk është i sëmur mental, mediat për të mos njollosur të shenjtën kulturë perëndimore, e akuzojnë për të çmendur, për psikopat, etj. Raste tjera kur vetëm raportohet lajmi me kujdesin që të mos ndizet shumë opinioni. P.sh. para pak ditësh pirësish në mediat tona ishte një lajm për një mësuese amerikane, e cila kishte kryer marrëdhënie intime me 28 nxënës të saj.
Apo rastet kur bashkëshorti vret gruan dhe fëmijët, prindi për vite të tëra dhunon dhe abuzon seksualisht me të bijën, i dashuri vret, e djeg dhe e han të dashurën, etj. Paramendoni çbujë e madhe do të bëhej sikur protagonistët e këtyre krimeve të ishim myslimanë nga vendet islame. E tërë bota do të ngrihej në këmbë duke e akuzuar Islamin se është fe e kësaj e asaj...
Ne, sigurisht se me këtë nuk duam të justifikojmë shkeljen e të drejtave porse duam të shpjegojmë se krimi nuk ka ngjyrë, racë, gjuhë, fe...Krimi çdoherë dhe në çdo vend është krim. Magjia është krim i madh dhe unë si një jurist mysliman, nuk kam si të mos e mbështesë veprimin e autoritete të atjeshme, pavarësisht se sa e tmerrshme tingëllon kjo për mediat tona që përlotin rrejshëm sytë kinse për drejtësinë.
Breiviku, të cilit mund ti hiqet liria për vetëm 21 vite, nuk ndalet së kërcënuari se do të vazhdoj me krimet e tij. ajo që drejtësia bën në këtë rast është që shoqërinë të mos e ruajë përherë por vetëm për një kohë, derisa Breiviku të përmbledh veten, të bëjë plane më të detajuara, që ndoshta, siç edhe ka thënë vet, këtë numri dyshifror ta shndërrojë në treshifror.
Defekti tek mentaliteti bashkëkohor është njëanshmëria. Merren shumë me dorasin dhe të drejtat e tij ndërsa e lënë anash viktimën, shikojnë dënimin krimit ndërsa jo vet krimin. Magjia është shumë mëkat i rëndë. Sa njeriu është duke vuajtur sot shkaku i magjive të zeza. Sa shpirtkeqi ia nxin njeriut jetën vetëm pse e xhelozon apo ia ka inat.
Gjithmonë magjia ka qenë një dukuri e shëmtuar, e cekur në Kuran dhe në librat tjera të shenjta, që nga koha e Musasë [alejhis selam], Sulejmanit [alejhis selam] e deri tek Muhammedi [alejhis salatu ves selam]. Kurrë askush magjisë nuk i ka thënë e mirë. Dhe për shkak të dëmit të madh që ka, Islami e ka radhitur atë në shkallë të parë të krimeve pas mohimit të Zotit të Madhëruar.
Atë vepër nuk e bën tjetër kush pos njerëzve të ligë, të cilët kanë tendenca për ta shkatërruar shoqërinë dhe rrethin ku jeton. Kryerësi i asaj vepre është një virus i cili helmon shoqërinë dhe infekton atë, andaj duhet larguar, apo eliminuar sa më parë që të jetë e mundur.
Islami nuk ka synim vetëm ta pastroj anën shpirtërore dhe ta rregulloj lidhjen e robit me Zotin, por synon ta krijojë një shoqëri të shëndosh e të mbrojtur nga çdo dukuri negative, e për ta bërë këtë patjetër se duhet sjellë edhe dispozita të cilat në shikim të parë ndonëse mund të shihen si të vrazhda, por në realitet janë të domosdoshme, në veçanti kur dihet se gjithmonë ka pasur njerëz të ligj, të cilët janë të krijuar për të bërë keq.
E të atillëve po ua lëshove rrugën e helmojnë tërë shoqërinë. Dikush duhet tua ndal rrugën. Ne jemi duke dëshmitarë se si në vendin tonë njerëz që nuk ka frikën e Zotit dhe as përgjegjësinë para ligjit nuk ndalen së kryeri krime nga më të ndryshmet dhe më të mëdhatë. Andaj është tepër me rëndësi që njerëzit të vetëdijesohen, të informohen për peshën e rëndë të krimit, në këtë dhe në botën tjetër.
Allahu na çoftë në hair të gjithëve, na drejtoftë e na udhëzoftë! Mirë u takofshim javën e ardhshme! Deri atëherë, Selam alejkum!