Kreditë në kohën e pandemisë
U bë gati një vit (nga gjysma e marsit e vitit 2020) kur u aplikuan masat kufizuese nga Qeveria e Kosovës për të parandaluar përhapjen e pandemisë.
Këto masa kufizuese kanë ndikuar që të mbyllen shumë lokale e biznese dhe të kenë humbje, por edhe mbetjen pa punë të punëtorëve.
Mbetja pa të ardhura ka bërë që të dobësohet aftësia paguese dhe e blerjes e qytetarëve dhe bizneseve.
Kreditë në përgjithësi janë të mirëseardhura në kohë krizash dhe bëjnë për të tejkaluar situatat aspak të këndshme, sa i përket gjendjes materiale, qoftë të individëve, të familjeve apo të bizneseve.
Edhe në kohë pandemie kreditë janë të mirëseardhura, por sa janë të realizueshme këta hapa konkret nga sektori bankar, mbetet të shihet se sa ato janë të gatshme për dhënie kredish.
Bankat për dhënie të kredive gjithmonë mbështetën në besimin e kthimit të kredive, andaj kjo bën që shumë biznese dhe familje të mos realizojnë kreditë e tyre të planifikuara për dalje nga krizat, sepse nuk arrijnë t’i plotësojnë kriteret që u parashtrohen.
Sektori bankar gjithmonë ka pasur dhe vazhdon ta ketë rolin e saj në rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës, andaj sektori bankar stabil e ka ndihmuar ekonominë edhe gjatë kohës së pandemisë.
Ky sektor ka kapacitet të luaj rol kyç për rimëkëmbje ekonomike në këtë kohë pandemie. Bankat kanë dhënë kredi mbi 1.5 miliardë euro gjatë pandemisë, ndërsa ka rënie të normave të interesit bankar dhe kjo ka ndihmuar shumë bizneset.
Në Kosovë kreditë e këqija, përkundër pandemisë, janë të vogla me vetëm 2.7 për qind. Sektori financiar stabil krijon mundësi që të përballohen shumë më lehtë problemet që krijohen si pasojë e pandemisë.
Nëse vaksinimi për mbrojtje nga covid 19 shkon me sukses, atëherë gjasat për përhapje të virusit korona janë më të vogla, kështu që ekonomia dhe bizneset do të kthehen në binarët e normales, por edhe jeta do të kthehet në jetë normale dhe atëherë rritja ekonomike pritet që në fund të vitit të jetë 4%.
Kreditë për biznese do të duhej të jepeshin në mënyrë që të tejkalohet gjendja e vështirë e krijuar, si pasojë e pandemisë.
Qeveria e ardhshme duhet të ketë në fokus zhvillimin ekonomik të vendit, me pakon për rimëkëmbje, me investime, me përkrahjen e bizneseve me lirim nga tatimet e ndryshme, me hapjen e vendeve të punës.