KQZ-ja diskriminon komisionerët
Shkruar nga Ahmet Pllana
Me keqardhje më duhet të reagoj publikisht përmes mediave për diskriminimin që bën Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ndaj disa komisionerëve, të cilët me kontratë të nënshkruar kanë punuar një ditë gjatë votimeve të mbajtura më 11 qershor 2017 për 18 orë pa ndërprerje dhe nuk i kanë marrë paratë akoma edhe pas dy muajve e gjysëm, derisa thuaja se gati të gjithë i kanë marrë.
KQZ-ja nuk ka pas përgjegjësi dhe nuk e ka zbatuar kontratën e nënshkruar mes komisionerit dhe KQZ-së. Prandaj, unë si komisioner do ta padisë në Gjykatë KQZ-ën, e cila nuk e ka zbatuar kontratën dhe nuk m’i ka transferuar paratë në bankë, derisa thuaja se të gjithë komisionerëve në Kosovë, por edhe në Komunën e Obiliqit, ua ka transferuar.
Në Komisionin Komunal Zgjedhor (KKZ) thane se 5 komisionerë nuk i kanë marrë paratë, kurse të gjithë të tjerët po.
KQZ-ja nuk ka arritur për dy muaj t’u bëj pagesën komisionerëve dhe udhëheqësve të komisionerëve për punën që kanë kryer gjatë tërë ditës së votimeve që u mbajtën në Kosovë më 11 qershor 2017.
Kjo ka qenë një vonesë e pa arsyeshme dhe fare pa përgjegjësi ndaj punës së vet dhe obligimit që ka pas KQZ-ja ta kryej ndaj komisionerëve të kontraktuar. Si është e mundur që një institucion me aq shumë stafë të mos jetë në gjendje që për dy muaj të mos ua qes paratë në bankë?
Kjo është fare e pa kuptueshme. Çka bëjnë ata njerëz që punojnë në KQZ? Pse nuk e kanë kryer detyrën e tyre dhe brenda dy tri ditëve t’ua transferonin paratë në bankë?
Kur e kemi bërë kontratën patën thënë se komisionerët do t’i marrin nga 75 euro, madje dikush thonte se do t’i marrin nga 100 euro. Ndërsa, ata që i kanë marrë paratë qe dy javë, thonë se i kanë marrë nga 60 euro.
KQZ-ja diskriminon “punëtorët” e vet, përkatësisht komisionerët, sepse disave ua ka qit paratë, kurse disave jo. Për dy muaj rresht, për çdo ditë kam shkuar në bankë në NLB në Obiliq dhe kam pyetur se a i kanë qitë paratë, meqë jam i papunë. Çdoherë më kanë thënë: KQZ-ja nuk i ka qitë paratë. Kthehesha i zhgënjyer. U bën dy muaj e gjysëm dhe akoma unë si komisioner nuk i kam marrë paratë.
Në fund, kur njëri prej komisionerëve më tha se i kishte marrë paratë, shikoj në bankë, më thonë nuk ke para në xhirollogarinë tënde! Unë i them se komisionerët i kanë marrë, duhet edhe unë t’i marrë, më thotë jo nuk ke në llogari asnjë cent.
Ik nga banka i zhgënjyer dhe i mllefosur tej mase. Pyes veten: Si është e mundur të bëhet një diskriminim i tillë?! Disave ua qesin paratë, kurse disave jo! Turp për KQZ-ën!
Kam një propozim, që i tërë stafi punonjës i KQZ-së prej të parit e deri në të fundit të ndërrohet. Ka njerëz të papunë me fakultete të mbaruara dhe madje me master që duan dhe dijnë të punojnë.
KQZ-ja bën lojëra me komisionerët. E shkel ligjin dhe i mashtron komisionerët. Me ligj e kanë obligim sipas kontratës të nënshkruar mes komisionerit dhe KQZ_së që brenda një afati shumë të shkurtër, tri-katër ditë, t’ua qesin paratë komisionerëve dhe jo pas dy muajv e më shumë.
KQZ-ja nuk e ka kryer këtë obligim sipas ligjit, me përgjegjësi dhe nderë, ashtu si duhet. E ka kryer me një vonesë të madhe prej dy muajsh dhe me diskriminim, sepse disave ua kanë qitë paratë, kurse disave jo edhe pas dy muaj e gjysëm!
KQZ-ja do të ulet në bankën e Gjykatës me një padi të drejtë që do ta bëj, besoj e cila sipas drejtësisë do të zgjidhet në favor timin dhe KQZ-ja do të obligohet me vendim të Gjykatës që të m’i paguajë 60 euro, njësoj sikurse edhe komisionerëve të tjerë në Kosovë.
Pyetja është: a ka ndonjë organ kompetent mbikqyrës ndaj KQZ-së që do ta obligonte KQZ-ën dhe t’ua transferonte paratë në bankë komisionerëve që nuk i kanë marrë akoma paratë, pra komisionerëve të diskriminuar? Turp ju qoftë! /Ahmet Pllana, komisioner, Kastriot/Obiliq/