01 Janar 2025

Kotësia e politikës së AAK-së dhe Nismës

Në Kosovë, por edhe në shumicën e vendeve të botës ka kohë që miti e idealja ia kanë dorëzuar armët arsyes, andaj politika e cila kërkon të vërtetën e fundit duke braktisur jetën në institucione dhe detyrimet që dalin, prodhojnë kundërproduktivitet dhe shterrpësi politike

Bahri Bivolaku


Ka vite që në Kosovë dëgjohen ankesat për ngopje të qytetarëve nga politika, gjersa arsyeja mendoj të jetë se këta qytetarë presin apo kanë pritur më shumë nga ajo që realisht është në gjendje të ofroj politika kosovare. Fakti i ngopjes së  qytetarëve me politikën dhe pasivizimi i tyre vie më së tepërmi nga shikimi vetëm bardhë e zi i gjërave, gjersa politika ka edhe ngjyrime tjera.

Në të tillë gjendje konsideroj të kenë mbetur dy partitë opozitare AAK-ja dhe Nisma, duke braktisur punën në Kuvendin e Kosovës me mendjen se duke promovuar gjithçka zi, mund të fitojnë një pozicion më të qëndrueshëm politik karshi qytetarëve. Ikja, nënkupton frikë nga përgjegjëshmëria e detyrimet e marra dhe si proces nuk është virtyt për politikanët që dëshirojnë të quhen politikanë të lirisë. Politikanët e këtyre dy partive ngadalë duhet të mësohen që politika  në Kosovë e në rajon jeton nga tensionet, kundërshtitë, interesat dhe forcat e kundërta, të cilat do të zhvillohen në sfondin e një sistemi kushtetues universal të quajtur demokraci.

Assesi nuk duhet harruar se ne dikur gatuam bukën  me miell misri dhe nuk është reale, siç pretendohet, të presim të na dalë buka nore. AAK-ja dhe Nisma duhet t’i kthehen punës në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe braktisur politikën e krijimit të rrëmujës e cila buron nga etja për pushtet. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, vërtetë në këto vite sa ka udhëhequr me këtë institucion ka dhënë dëshmi të mjaftueshme për tolerancën debatuese, madje përtej normativës së lejuar për opozitën dhe shprehjen e qëndrimeve të tyre. Mendoj që ka hapësirë dhe vullnet nga Veseli, që edhe në cilësi të liderit partiak të arrihet një ridizajnim i një konsensusi të ri për të arritur atë që quhet interesi nacional. Synimi arrihet përmes debatimit e jo braktisjes.

Veprimet inatçore nuk duhet ta mbizotërojnë politikën

Nëse themi se në Kosovë politika bëhet më tepër për inate, nuk themi asgjë të re, pasi veprimet inatçore e mbizotërojnë aktualisht politikën, madje jo vetëm atë në mes të rivalëve politik, por edhe në brenditë e infrastrukturës së vet partive dhe këtu veprimi inatçor i ka zënë vendin kundërshtive programore dhe përgjithësisht veprimit racional politik. Filozofia e tillë vërtetë është boshe dhe nuk jep kurrfarë rezultati veç zemërimit, e politika si produkt i zemërimit bjen vajtimin pa asgjë konstruktive.

AAK-ja dhe Nisma duhet ta braktisin politikën e zemërimit dhe t’i kthehen Kuvendit me të gjitha kundërshtitë që kanë për t’i shprehur. Është koha që të bashkuar të nxirren qëndrime politike shumë të përgjegjshme karshi zhvillimeve në rajon, e veçanërisht karshi Serbisë së lazdruar. Shumëkush nga ata që nuk bënë gjë në kohën kur ishte per t’u bërë, për fat të keq po presin që koha t’ju sjellë përfitime e pozicione politike. Po presin të mjerët, se mos Gjykata Speciale do ta arrestoj ndonjë nga kontribuesit e lirisë për ndonjë shuplakë të dhënë një të mobilizuari nga pakica serbe dhe të zënë vendet. Mjeranëve e mjeraneve të tillë, u dëgjohet zëri madje edhe në strukturat e tyre partiake për këtë dëshirë, se mos vallë u krijohen vendet, jo për të ecur tutje, por për përfitime personale.

Ka edhe grupacione politike të padeklaruara që presin momentumin e tillë. E nxorra në pah këtë të dëgjuar nga fakti se politika në Kosovë duhet liruar nga veprimet inatçore, pasi aty edhe i gjen akuzat e kundërakuzat nga të cilat po pësojnë jo vetëm individët, por edhe Kosova.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)