26 Dhjetor 2024

Kosovës i kanoset bosnjëzimi dhe “republika srbska"

Besart Krasniqi

Procesi i decentralizmit në Kosovë ka filluar ne vitin 2004, kurse Qeveria e Serbisë ka kërkuar nga UNMIK-u që ta fillojë këtë proces më 17 mars 2004. Ky proces antishqiptar (anti-Kosovë) nuk është cilësuar shumë i rrezikshëm dhe i dëmshëm nga partitë politike të asaj kohe në Kosovë, duke u arsyetuar se do të jetë në shërbim të qytetarëve rreth çështjeve administrative, ku në disa komuna do të përbëjnë bashkësi të vogla etnike, me shumicë serbe. Megjithatë, kundërshtarja më e zëshme e decentralizimit në vija etnike serbe ishte Lëvizja Vetëvendosje.

Madje ky proces aq shumë është kundërshtuar nga Vetëvendosja e Albin Kurtit , saqë kundër këtij procesi të rrezikshëm kjo lëvizje ka organizuar shumë protesta, demonstrata, aksione, e konferenca me të vetmin qëllim që ta sensibilizojë popullin për të bashkërenduar aksionet me këtë organizatë kombëtare kundër këtij procesi. Vetëvendosje e kritikonte këtë proces të dëmshëm me plotë argumente sepse decentralizimi do ta copëtonte Kosovën, duke krijuar komunat me shumicë serbe edhe me nga 2 – 3 mijë banorë!

Krejt ky proces kishte tendenca te rrezikshme, ngase rrjedhimisht koncesioneve që iu bëheshin pakicës serbe do të çonin në krijimin e njëfarë autonomie brenda Kosovës, apo edhe më keq të krijimit të një “Republika Srbska”.

Decentralizimi nga Vetëvendosje madje cilësohej si një “kancer” brenda territorit të Kosovës që do t’ia pamundësonte Kosovës zhvillimin normal. Partitë që përbëjnë koalicionin qeveritar, si dhe ato në “opozitë”, gjithherë e kanë kundërshtuar Vetëvendosjen për çështjen e decentralizimit, duke mos pasur asnjë argument të vetëm për këtë, por reagimi i tyre më tepër ishte sa për t’u hyrë në hatër ndërkombëtarëve dhe koalicionit qeveritar! Ato, nganjëherë më të ashpra u treguan kundër Vetëvendosjes sesa kundër vetë decentralizimit tejet të dëmshëm etnik në Kosovë.

Si pasojë e decentralizimit etnik dhe rrjedhimisht si pasojë e koncesioneve të njëpasnjëshme që iu bënë Serbisë, në zgjedhjet e nëntorit komuniteti serb fitoi nëntë komuna, gjegjësisht kryetarë të tyre do të jenë individë të cilët kurrë nuk e pranuan dhe deklarojnë se nuk do ta pranojnë Republikën e Kosovës.

Madje ata kryetarë ishin organizatorët kryesorë të bllokadave të rrugëve në veri të Mitrovicës dhe të Kosovës, madje duke vrarë dhe plagosur si dhe duke djegur pikat kufitare. Si pasojë e decentralizimit Kosovës po i kanoset rreziku tjetër edhe më i madh, shndërrimi i bosnjëzimit të Republikës së Kosovës, duke u krijuar një “republikë srbska”.

Dhe, si rrjedhojë e tërë koncesioneve të pandalshme bërë Serbisë, sikur nuk po ngopen me këto kompromise tejet të dhembshme, pakicës serbe partitë qeveritare po ua lejojnë vazhdimin e ulëseve të dyfishta në Kuvendin e Kosovës!

Mirëpo, nuk duhet dorëzuar me këtë rast, ngase ka ende shanse që ky trend tejet i rrezikshëm koncesionesh të ndërpritet duke i ndërprerë menjëherë negociatat me Serbinë. Të veprojmë kështu sa nuk është bërë vonë!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)