Kosovëfobia
Shkruar nga Ramiz Bojaj
Fantazmogoria serbe si plan okult kundër shtetit të Kosovës merr përmasat e një agresioni të jashtëm, i cili vjen si ftesë për luftë të re në Ballkan. Ne, shqiptarët duhet të veprojmë si forcë uniforme, (njënacionale) në mënyrë që të ndiejmë peshën të cilën realisht e kemi si komb me ndikim gjeostrategjik.
Kohezioni brendakombëtar duhet mbështetur në konceptin etnohistorik dhe gjeopolitik në mënyrë qe çështja kombëtare shqiptare të hyjë në epokën e re të frymës së bashkimit të natyrshëm nacional (në sistemin modern), pavarësisht integrimeve.
Fobia serbe ndaj shtetit të Kosovës, merr guximin të atakojë edhe gjenezën nacional-shqiptare. Pajtimi historik shqiptaro-serb, i proklamuar nga presidenti serb, Boris Tadiç, dërguar Tiranës zyrtare, për zgjidhjen e konteksteve territoriale dhe historike në Kosovë, nënkupton ripublikimin e politikës hegjemoniste të Millosheviqit për ndarjen etnike të Republikës së Kosovës.
Në këtë kontekst mëtohet të krijohet etnitet historik sllav, duke iu kundërvënë realhistorisë, autoktonisë dhe etnisë shqiptare. Në fakt është kërkuar pajtimi për Serbinë e madhe.
Serbia(ish okupatore) vazhdon të kultivojë puritantizëm mesjetar dhe polarizim jo vetëm në raport me Kosovën( por edhe me shtetet qe e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë).
Klasa teokratike serbe tashmë doli me kutinë e hapur të Pandorës, për ndarjen e territoreve etnike pas të cilës janë fshehur prej kohësh (Qubrilloviq, Andriq, Rankoviq, Millosheviq etj), të cilët nën projektin e Serbisë së madhe, tmerrruan dhe masakruan shqiptarët( jo vetëm në Kosovë), por edhe ata në Sanxhakun e Nishit dhe të Kosovës Lindore.
Pajtimi me Serbinë mund të ndodhë vetëm atëherë, kur kjo e fundit të distancohet nga e kaluara e saj hegjemoniste dhe të shmanget nga tendencat ekspansioniste ndaj shtetit të Kosovës. Serbia duhet të njohë të drejtën nacional-politike dhe vetëvendosjen e shqiptarëve të Kosovës Lindore.
Në këndin historik, shqiptarët duhet të kërkojnë llogaridhënie nga Serbia për gjenocidin dhe spastrimin etnik të Sanxhakut të Nishit, aneksimin e Sanxhakut të Tregut të Ri, si dhe hapjen e dialogut për kthimin e pronave të shqiptarëve të dëbuar në vitet 1878-1882, 1912-13 e gjer në vitin 1999. Në kontekstin realpolitik, Serbia duhet ta njohë shtetin e Kosovës.
Në këtë aspekt, duhet kërkuar autonomi të zgjruar për Kosovën Lindore, me të drejtë vetëvendosjeje për shqiptarët, të cilët jetojnë në trojet e veta autoktone dhe etnike.
Rizgjimi shqiptar
Realisht, Serbia vazhdon të mbajë qendrim agresiv dhe armiqësor ndaj shtetit të ri, duke i dhënë kahje të shtrembëruar konfliktit të fundit, ku ish-pushtimin, terrorin dhe gjenicidin e fundshekullit XX, mëton ta cilësojë si konflikt etnik të ndodhur brenda Kosovës, ku ndarjen e cilëson si pajtim.
Qëndrimi armiqësor i Serbisë kundër Republikës së Kosovës (mbajtja në përbërjen e kushtetutës së saj), në plotkuptimin e fjalës do të thotë agresion dhe shpallje luftë. Kjo domosdoshmërisht kërkon rizgjimin shqiptar përballë politikës mesjetare sllave (fabrikimet, shpifjet dhe trillimet serbe).
Edhe diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, deklaratën e Tadiçit, që i bëri Tiranës zyrtare për pajtueshmërinë shqiptaro-serbe, (kërkesa për ndarje në vija etnike të Kosovës), e cilëson si ftesë për luftë të re në Ballkan.
Unë nuk i di arsyet përse Tadiç ka bërë thirrje për ridefinim kufijsh në Ballkan. Këto qendrime rreth kufijve mund të interpretohen si provokim dhe si ftesë për luftë të re ballkanike.
Ndërkaq, deklarata e kryeministrit tonë, Hashim Thaçit rreth pajtimit historik shqiptaro-serb i cili duhet të ndodhë, pa përmendur çështjen shqiptare të Kosovës Lindore, zbardhjen e historisë së dhimbshme të kombit shqiptar (masakrat, spastrimet etnike etj. të bërë nga Serbia ), duket i ngutshëm.
Definitivisht, pajtimi shqiptaro-serb duhet të ndodhë pas një konflikti më tepër se njëshekullor. Për pajtim historik duhet kërkuar kushte. Kushti i parë dhe esencial është parimi i korrektësisë duke filluar nga gjeneza historike (çështja shqiptare e Sanxhakut të Nishit), e deri tek kërkimfalja e Serbisë për gjenocidin dhe terrorin shekullor kundër popullit shqiptar.
Ndryshe pajtimi historik pa kushte, nëkupton miratim të aspiratave ekspansioniste të Serbisë kundër shtetit të Kosovës, të cilën e mban (edhe pse në kontekstin virtual) si pjesë të veten në sistemin kushtetues.
Mbi këto rregulla hegjemoniste, Serbia merr guximin të atakojë gjenezën nacional-shqiptare, dhe shpifjet e gënjeshtrat e fabrikuara ti proklamojë si strategji pajtimi. Kosova dhe Serbia realisht ende janë në luftë (beteja për territore). Në këtë kontekst, presidenti i Shqipërisë Bamir Topi vlerëson se çështjet e raporteve bilaterale në rajonin ballkanik kanë qenë të influencuara nga zhvillime të karakterit historik, të cilat kanë prekur direkt interesat e Kosovës.
\"Ne kemi shprehur bashkërisht qe Kosova së bashku me Shqipërinë të jetë pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Situata aktuale politike në Ballkanin Perëndimor ka një realitet të ri me shtetin e pavarur të Kosovës. Ky realitet është ekzistencial dhe i prekshëm dhe i përket të tjerëve nëse duan të jetojnë në realitet apo në ëndrra.
Në këtë kontekst, bashkimi i dy shteteve shqiptare (Kosovë-Shqipëri), përmes BE-së, pa unifikim vlerash nacionale është i dëmshëm për të ardhmen e kombit shqiptar. Integrimet euroatlantike bazohen mbi parimet e diversitetit kulturoro-politik, e jo në bazë të uniformitetit monokulturor.
Në Evropë mund ti prekim kulturat gjermanofone, frankofone, italiane etj., përballë të cilave edhe ne mund të prezantojmë kulturën tonë si kombi më i vjetër dhe më i moderuar në Ballkan.Në planin kombëtar duhet hapur rrugë bashkëimi e ndërkomunikimi me bashkëkombasit tanë në tërë hapsirën e gjeografisë shqiptare.
Ndryshe, pjesët tjera të gjeografisë shqiptare, si në Maqedoni, Çamëri (rizgjimi i çështjes came), Mal të zi dhe Kosovë Lindore (Preshëvë, Medvegjë dhe Bujanoc), të gjitha këto pjesë etnike mund të mbesin plagë e hapur në ndërgjegjen shqiptare.
Fantazmogoria si plan okult kundër Kosovës
Diplomacia e Kosovës, nuk duhet shpërqendruar nga realiteti nacional-politik i Kosovës Lindore, krahinë kjo e cila i është nënshtruar agresionit special të Serbisë. Në Kosovën Lindore, vazhdon të ndodh spastrim i heshtur etnik.
Këtë e dëshmon edhe përfaqësuesi i shqiptarëve të kësaj ane, Riza Halimi, i cili thekson se në bisedimet Kosovë-Serbi, përfshirja e përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit është i domosdoshëm.
Shqiptarët e Kosovës Lindore i janë nënshtruar dhunës dhe presionit të shtuar nga Serbia , dhe në këtë kontekst kërkojmë me shumë të drejta në të gjitha evenimentet. Këtë nismë duhet filluar delegacioni i Kosovës dhe të kërkojë nga Serbia , plotësimin e kritereve të reciprocitetit në kontekstin nacional.
Citimi i qeveritarëve tanë duke thënë se dialogu Kosovë-Serbi, ndihmon rrugën e integrimeve dhe njohjen e realitetit ballkanik, mund të tingëllojë si shabllon, por jo edhe si diplomaci ose pjekuri politike.
Dialogi Kosovë-Serbi do të përmbyllet me njohjet reciproke mes dy shteteve, duke shpejtuar rrugën e integrimeve për në strukturat euroatlantike. Por ambasadori francez Zhan Fransoa Fitu, nënvizon se bisedimet KosovëSerbi dhe integrimet në BE janë çështje të ndara.
Bisedimet nuk janë rrugë e procesit të integrimeve evropiane. Kosova dhe Serbia sikurse edhe vendet tjera të rajonit duhet të punojnë për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian, por nuk duhet ngatërruar procesin e bisedimeve me atë të integrimeve.
Realpolitika hapi i parë i faktorizimit shqiptar
Parimi i uniformitetit nacioanl është i vetmi segment, i cili do të ruajë indentitetin shqiptar përballë kulturave universale.
Segmentin realpolitik rreth faktorizimit shqiptar në Ballkan e ka prekur diplomati i njohur shqiptar(ish-president i Shqipërisë), Alfred Moisiu, duke theksuar se Kosova është krahinë e Shqipërisë. \"Kosovën e quaj krahinë të Shqipërisë, sepse ashtu edhe është në fakt, ngjajshëm me Labërinë, Mirditën dhe viset tjera të Shqipërisë.
Pra mirditorët janë mirditorë, labët janë labë dhe kosovarët janë kosovarë, por shqiptarë janë të gjithë. Pra pikërisht ne duhet të mësohemi, jo për veten tonë, por për të tjerët të cilët duhet të mësohen të na njohin dhe pranojnë si komb unik. Ne jemi një komb që padrejtësisht na ndanë, dhe në mënyrë shumë grabitqare.
Ne duhet të zgjohemi edhe sot të flasim e veprojmë si komb unik, sepse uji fle, por hasmi nuk fle. Kohezioni brendakombëtar duhet mbështetur në konceptin etnohistorik dhe gjeopolitik në mënyrë qe çështja kombëtare shqiptare të hyjë në epokën e re të frymës së bashkimit të natyrshëm nacional.
Në këtë kontekst, duke prezantuar teorine realpolitike në të cilën gjenden shqiptarët në Ballkan(në rrafshin etnik), shton domosdoshmërinë e riorganizimit të frymës etnike në mënyrë që bashkëkombasit tanë në Kosovën Lindore (Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc), Maqedoni, Mal të Zi, si dhe vëllazëria çame të ngriten në prioritetet e politikës dhe diplomacisë shqiptare (Shqipëri-Kosovë).
Në këtë kontekst jo vetëm se do të mbrohen interesat tona nacionale(faktorizimi i shqiptarëve në Evropë), por kjo do të tehuajësonte edhe interesat hegjemoniste serbe, për eksterritore në pjesën veriore të Kosovës.
Fantazmogoria serbe si plan okult kundër shtetit të Kosovës merr përmasat e një agresioni të jashtëm, i cili vjen si ftesë për luftë të re në Ballkan. Ne, shqiptarët duhet të veprojmë si forcë uniforme, (njënacionale) në mënyrë që të ndiejmë peshën të cilën realisht e kemi si komb me ndikim gjeostrategjik.
Kohezioni brendakombëtar duhet mbështetur në konceptin etnohistorik dhe gjeopolitik në mënyrë qe çështja kombëtare shqiptare të hyjë në epokën e re të frymës së bashkimit të natyrshëm nacional (në sistemin modern), pavarësisht integrimeve.
(Autori është publicist, analist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).