Kosova sot dhe plagët e pambyllura të luftës
Shkruar nga Dr. Hasan Ademaj
Dikur çdo mëngjez fillonte me padurimin për të lexuar lajmet nga Kosova. Ato pastaj i diskutoja me të afërm e shokë gjithë ditën. Tani është e kundërta. Lajmet dhe situate janë bërë kaq zhgënjyese saqë ndihem më mirë kur nuk i dëgjoj se çfarë po bëjnë.
Mendoj nganjëherë çfarë do të thoshte vëllai im dëshmor si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për Kosovën sot. Ai lufoi për çlirimin e saj por jo që pushtetin e Millosheviçit ta zëvendësonin njerëz që abuzojnë me popullin.
Çfarë do të thoshte ai për listën pafund të veteranëve të UÇK-së që kanë dalë tani 15 vjet pas lufte, kur mes tyre ka njerëz të cilët mirë që nuk iu bashkuan UÇK-së në luftë, por hodhën baltë mbi të, duke e quajtur herë komuniste e marksist-leniniste, herë vegël të Millosheviçit.
Disa edhe nuk e dinin të vërtetën dhe kanë folur ashtu si dinin. Nuk u kërkon kush llogari për atë kohë, mirëpo kur i sheh të numërohen si veteranë, kjo është një fyrje për ushtarët e vërtetë të UÇK-së dhe sidomos për ata që dhanë jetën në luftë.
Dëshmorët nuk u nisën në luftë se donin të nderoheshin nëpër lista të hartuara nga burokratët e korruptuar. Ata mendonin vetëm çlirimin e atdheut dhe dëbimin e pushtuesit. Po ne e kemi për detyrë që të mos lejojmë që të tallen me ta, kur ata që i përqeshën dhe akuzuan dje sot duan ta mjelin lavdinë e tyre.
Çdo kohë ka përfitues pa karakter që mundohen të shfrytëzojnë korrupsionin e pushtetit. Po ku janë njerëzit e ndershëm dhe idealistë që ndeshen me ta?
Dikur idealistët shkuan në luftë. Sot, idealistët duhet të luftojnë korrupsionin që nga tenderat, doganat, bizneset, te administrate e shtetit, në negociata me ndërkombëtarët dhe Serbinë, në integritetin e kufijve të shtetit të Kosovës, e deri te listat e veteranëve.
Një nga partitë e mëdha ku hynë shumë ish-ushtarë të UÇK-së është PDK. Plot të tjerë hynë në AAK. Kuptohet edhe në parti të tjera, po këto ishin më të njohura.
PDK ka qenë në pushtet, që nga 2008. Gjatë kësaj kohe sa lajme ka pasur me ish-ushtarë që kanë vrarë veten në varfëri, që janë përfshirë në veprimtari të dyshimta për të mbijetuar materialisht, që kanë kërkuar luftëra të tjera se nuk janë integruar dot në Kosovën e sotme. Kur njeriu që lufton për çlirimin ndihet i huaj, çfarë do të thotë kjo për vendin tonë?
Kush i përfaqëson sot çlirimtarët në politikë? Kush i di se kush janë vërtet? Kush e di se cilët prej tyre kanë abuzuar me uniformën dhe nuk e meritojnë statusin? Dhe nëse është e vërtetë që tani statusin e blen, kush janë ata që po e shesin?
Nuk është puna vetëm të veteranët. E gjithë koha e luftës po shihet tani si bezdi për politikanët e sotëm.
Sado e dhimbshme që ka qenë humbja e vëllait për familjen tonë, ne patëm fatin që ai u përcoll me nder për herë të fundit, mbuluar me flamur dhe nderohet edhe sot. Por, mendoni që ka më shumë se një mijë familje kosovare që nuk e dinë ku i kanë njerëzit e tyre.
Tani qeveria e Kosovës është takuar me dhjetëra herë me qeverinë e Serbisë. Kanë firmosur shumë marrëveshje, kanë dhënë duart njëri-tjetrit. Si ka ndodhur kjo, kur Serbia ende nuk tregon se ku ka varrosur më shumë se një mijë vetë?!
Ka njerëz në ushtrinë dhe policinë e Serbisë që i dinë shumë mirë se ku janë varret. Pse nuk i tregojnë ato? Bëhen 17 vite në 2016 që nga mbarimi i luftës. Pse vazhdojnë ti fshehin?
Një ditë dihej se do të kishte negociata me Serbinë. Edhe aleatët tanë, sidomos SHBA, dëshiron që të ketë negociata. Po ka një pyetje që bëhet. Si do të vepronte Amerika nëse dikush do të kishte 1,000 amerikanë të varrosur diku dhe nuk i tregonte se ku janë varret? Nuk do të pranonte asnjë negociatë deri sa të zbuloheshin dhe dorëzoheshin trupat.
Tre shqiptarë, që ishin qytetarë amerikanë, vëllezërit Bytyqi, u zbuluan se ku ishin dhe Serbia u detyrua ti dorëzojë. Ende bën lojëra për të nxjerrë se kush dha urdhërin për vrasjen e tyre, por trupat nuk guxoi ti fshihte. Edhe për shqiptarët e Kosovës është po njësoj.
Meritojnë familjet e tyre që të marin e varrosin njerëzit që u kanë humbur. Mes tyre edhe një figurë kombëtare si ajo e Ukshin Hotit.
Kjo nuk është as hakmarrje e as ekstremizëm. Është humane. Nuk ka këtu, as opozitë e as pushtet, as demarkacion e as komuna serbe, as njohje statusi e as kërkim për falje. As dënim autorësh e as caktime faji. Vetëm mundësi që këto më shumë se njëmijë familje të kenë një mundësi të përcjellin për herë të fundit njerëzit e tyre.
Kur politika nuk guxon të zgjidhë këtë çështje humane, si presin besim për punët e tjera? Deri sa të marrin një përgjigje për të humburit, familjarët mbeten të ngrirë në vitin 1999. Sa kohë që ende luhet me emrat e veteranëve jemi në vitin 1999.
Sa kohë që ende nuk na njeh Serbia si shtet jemi në vitin 1999. Lufta mbetet ende plagë e pambyllur për shumë shqiptarë të Kosovës dhe vuajtja e tyre qendron si mallkim për politikën që nuk do të pastrohet e civilizohet pa nderuar si duhet dhe pa mbyllur llogaritë e kohës së luftës.