Kosova po humb shumë prej vonesave që po ia shkakton PDK
Fjalimi i Albin Kurtit në seancën e 24 gushtit
Ne jemi përfaqësuesit që nuk po arrijmë të bëhemi ligjvënës, ne jemi deputetët që kemi ngelur pa Kuvend. E, deputeti i betuar pa Kuvend të konstituar është sikurse qytetari pa shtet, është refugjat paçka se në tokë të vet, sikurse ne këtu pa Kuvend, paçka se në sallë kuvendi.
Janë bërë gati dy muaj e gjysmë që prej zgjedhjeve të 11 qershorit, shteti i Kosovës nuk ka as kuvend se lëre më qeveri të re.
Po jetojmë në kohë të hipokrizive të mëdha. Tashmë për të gjithe u bë e qartë se krerët e PDK-së flasin atë që s’janë. Ata thonë se i kanë numrat, dhe nuk vijnë në kuvend për t’i provuar e dëshmuar.
Ata thonë se kanë i fituar zgjedhjet, dhe nuk guxojnë të nxjerrin para votës kandidatët e tyre. Por, jo vetëm kjo. Ata thonë se janë institucionalistë e shtetndërtues, a në fakt ata janë duke sabotuar institucionin më të lartë të Republikës, Kuvendin e Kosovës. Ata thonë se janë për demokraci, e në fakt nuk po e pranojnë votën e qytetarëve, të cilët masivisht kanë vendosur për ndryshim.
Ata thonë se janë me partnerët nderkombetarë, por në fakt ata po qortohen haptazi e ashpër prej ndërkombetarëve për sjelljet e tyre anti-demokratike dhe për sabotimin e Kuvendit që po bëjnë. Pra, pavarësisht fjalëve që i thonë, ata janë jo thjesht humbës të zgjedhjeve, por janë kundër institucioneve, kundër demokracisë, dhe kundër modeleve të mira.
Ne kemi dëgjuar se z. Veseli është kandidati i PAN-it për kryetar të Kuvendit. Urdhëroni z. Veseli, matuni! Propozojeni z. Veseli e le të matet se a i ka votat. Kuvendi duhet të konstituohet.
Salla është plot. Matuni. Më 11 qershor nuk keni dashur që të mateni si i nominuar për kryeministër të PDK-së, tash nuk po doni të mateni si i nominuar për krytar të Kuvendit. Matuni. Matuni dhe ballafaqohuni me të vërtetën.
Kosova po humb shumë prej vonesave që po ia shkakton udhëheqja e PDK-së. Tashmë prej Kosovës po tërhiqet FMN-ja, po i ndal programet e ndihmave financiare për Kosovën, shkaku i vonesave që i shkaktojnë bojkotuesit e Kuvendit.
Gjendemi përballë krizës energjetike, për shkak të menaxhimit të keq nga të dirigjuarit e PDK-së. Jemi të izoluar nga vizat si pasojë e korrupsionit dhe mosluftimit të tij.
Bankat investive nga e gjithë bota e kanë vendosur Kosovën në listën e zezë, për shkak se nuk ka shtet të së drejtës dhe sundim të ligjit. Pra këta të njëjtit janë arsyeja se pse nuk ka investime të huaja në Kosovë. Këta janë arsyeja se pse e kemi këtë varfëri të gjerë e ekstreme.
Kosova, dhe vetë qytetarët po humbasin shumë. Shumica e ndërmarrjeve publike, qendrore e rajonale, sot janë në prag të falimentimit. Ato janë keqmenaxhuar dhe janë vjedhur sistematikisht për një kohë të gjatë, le të themi 8-9 vite me radhë, dhe bllokada e PAN-it po u jep këtyre ndërmarrjeve goditjen e fundit.
Ndërmarrjet si ato të hekurudhave, Trainkos dhe Infrakos, apo ndërmarrjet e ujësjellësve e të grumbullimit e menaxhimit të mbeturinave janë buzë falimentimit dhe vetëm formalisht janë ende funksionale pasi praktikisht kanë falimentuar.
Po ashtu, ka edhe raste si ai i Postës me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, ku Posta e ka dërguar në gjyq themeluesin dhe e ka fituar gjyqin duke i akorduar dëmshpërblimin 3,6 milionë euro.
Gjendja në KEK ende është e rëndë dhe shpronësimi për mihjet e reja ende nuk është realizuar, edhe pse Qeveria ka marrë vendime për shpronësim, këto të fundit në kundërshtim me vendimin e vitit 2009 ku zona në fjalë ishte shpallur zonë e mbrojtur.
Meqë këtë vit për shkak të mungesës së Kuvendit nuk pati rishkim të buxhetit, aktualisht Ministria e Punës nuk i ka fondet për të bërë pagesat për veteranët. Për pasojë nuk mund të lëshohen pagesat.
Më e rëndë është gjendja me barnat. Aktualisht Barnatorja Qendrore e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës nuk ka asnjë furnizim të ri, andaj Qendra Klinike Universitare e Kosovës rrezikon seriozisht në secilën klinikë të saj. Edhe më rëndë janë spitalet rajonale.
Ndërsa tashmë me Qendrat e Mjekësisë Familjare duke ia nisur nga Prishtina e në çdo komunë të madhe e të vogël, furnizimi me barna është ndërprerë. Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës nuk mund të ndërmarrin asnjë veprim financiar.
Këto janë vetëm disa prej problemeve të mëdha që po na i sjell bllokada e PAN-it. Prandaj edhe një here iu bëj thirrje të gjithë deputetëve të ndershëm e të përgjegjshëm, të mblidhemi që ta thyejmë bllokadën. Kosova duhet të ecë përpara.
PDK nuk po tregon interesim për ta konsumuar të drejtën e saj për propozimin e kandidatit. Kjo nuk nënkupton që Kuvendi duhet të mbetet pa kryetar, meqenëse e drejta për të nominuar nuk mund të monopolizohet.
Shumica jonë e deputetëve që vijmë rregullisht këtu, së bashku, të propozojmë një kandidat për pozicionin e Kryetarit të Kuvendit e më pas ta zgjedhin atë person me votat tona.
Kushtetuta i jep të drejtën ekskluzive për të propozuar një kandidat për Kryetar të Kuvendit “grupit më të madh parlamentar”. Këtë rregull ne duhet respektuar. Por, së pari, ky rregull duhet kuptuar. Gjykata Kushtetuese varet nga Kushtetuta dhe jo anasjelltas.
Nuk ka dyshim se kuptimi i shprehjes në Kushtetutë është ky: “secili grup që ka shumicën e nevojshme për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit”, pra secili grup parlamentar që i ka 61 vota, apo më shumë se aq.
Nuk ka dyshime për këtë, sepse, ndryshe nga rasti i zgjedhjes së Kryeministrit, ky rregull nuk ofron zgjidhje për ndonjë bllokim të mundshëm. Kështu që, duhet interpretuar në mënyrë të tillë që të mos mund të ndodhin bllokime. Interpretimi duhet të jetë progresiv në kontrast me atë që të ngujon në pat pozicion.
Prandaj, nëse PAN-i e bojkoton seancën apo nëse refuzon ta paraqesë kandidatin e tij, atëherë le ta votojmë tonin. E nëse PAN-i do ta paraqesë një kandidat, atëherë secila parti do të bëjë zgjedhjen e vet (sepse nisma që po propozoj ka për synim në radhë të parë tejkalimin e këtij bllokimi).
Nëse kandidati i paraqitur nga PAN-i nuk do të marrë votat e duhura, atëherë kandidati ynë i përbashkët do të mund të votohet në seancë. Këta qartazi nuk duan ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre.
Ne jemi të hapur për çdo propozim sa i përket kandidatit për Kryetar të Kuvendit. Nëse nuk i ka votat z. Veseli, jam i bindur se në mesin tuaj, ka shumë kandidatë që i kanë votat. Provojeni.
Le ta tejkalojmë këtë bllokadë. Ne mendojmë se ai person duhet të zgjidhet në mes të deputetëve më të respektuar dhe sa më pak të anshëm, sepse duhet të garantojë të gjitha palët se do të jetë dhe veprojë në atë funksion të rëndësishëm pa mbajtur anë, duke i dërguar një sinjal qytetarëve tanë se politika në Kosovë ka filluar të ndryshojë. Vendi ynë është Republikë Parlamentare. Kuvendi është tejet i rëndëishëm. Më i rëndësishmi.
Menjëherë pasi ta kemi zgjedhur kryetarin e kuvendit, duhet t’ia shkruajmë një letër Presidentit, që ai t’ia propozojë Kuvendit kandidatin për kryeministër sipas nenit 95 të Kushtetutës, pikës 1., përkatësisht 4. të këtij neni. Presidenti do ta bënte këtë, sepse përndryshe ai do të rrezikonte ta shkelte kushtetutën.
Të nderuar deputetë,
Ne që ishim të rregullt në të gjitha këto katër vazhdimet e seancës konstituive nuk duhet të presim. Është jo vetëm e drejtë por edhe obligim yni që të lëvizim. Kosova po humb edhe per faktin se po vonohet ardhja e fituesve në pushtet.Kemi shumë punë me gjithë këtë papunësi. Pra Kosova po e vuan faktin se nuk po lejohet ta bëjë qeverinë.
Nëse VETEVENDOSJA! do të ishte në pushtet, tashmë do të kishte filluar zbatimi i vizionit për shtetin zhvillimor, bashkëpunimi me mërgatën dhe me kompanitë e huaja për të sjellë investime, qe do ta rrisnin prodhimin dhe punësimin.
Nëse VETEVENDOSJA! do te ishte ne pushtet, tashmë do të kishte nisur zbatimi i planit për reformë në drejtësi, dhe hetimi e gjykimi i të korruptuarve që e kanë lënë vendin të pazhvilluar, popullin të papunë e fëmijët pa bukë e pa shkollë. Nëse VETEVENDOSJA! do të ishte në pushtet, tashmë do të kishim si shtet një marrëdhënie shumë më dinjitoze e më bashkëpunuese me ndërkombëtarët.
PDK-ja i di krejt këto. Ajo e ka kuptuar se ndërkombëtarët tashmë nuk janë më të interesuar për stabilitet pa zhvillim e pa drejtësi, siç ofron PDK. Ndërkombëtarët e kanë kuptuar se edhe është më mirë për ata edhe për Kosovën, stabiliteti me zhvillim edhe me drejtësi që ofron Levizja VETEVENDOSJE!.
Kjo gjë e bën PDK-në xheloze, dhe kjo është arsyeja se pse po përpiqen me çdo kusht ta vonojnë krijimin e qeverisë sonë. Një qeveri e VETEVENDOSJE!-s do të tregonte brenda pak muajsh se Kosova nuk ka nevojë për politikanë të nivelit të ulët intelektual, profesional e moral.
Një argument që nuk kam dashur ta besoj, nuk kam se si të mos e pohoj: përfaqësuesi i koalicionit LAA për bisedime me neve për qeverinë e re, ndodhet në konflikt interesi. Ai është kryministër në detyrë që duket se nuk ka interes për kryeministër të ri.
Që prej 11 qershorit ne jemi takuar veçse njëherë, me 6 korrik. Ekipet tona janë takuar vetëm dy herë. Zvarritjes së PAN-it është e padrejtë t’i përgjigjemi me një zvarritje tonën. LDK-ja e ka emëruar Mustafën si udhëheqës të bisedimeve e jo udhëheqës për pamundësim të bisedimeve.
Nëse ai nuk takohet me PAN-in siç edhe ka deklaruar disa herë dhe vetëm një herë është takuar me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, atëherë shtrohet pytja, cilat bisedime po i udhëheq ai?!
Të nderuar deputetë të koalicionit LAA, ne e shtrijmë dorën e bashkëpunimit për harmonizimin e qëndrimeve dhe për veprime të përbashkëta. Kemi nevojë për Kuvend e Qeveri të re. Është në dorën tonë. Le ta themi e le ta bëjmë.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
11 qershori ishte dita kur populli kuptoi se ishte më i fuqishëm se shteti i kapur dhe se kapësit e shtetit. 22 tetori do të jetë dita kur populli do të veprojë që t’ua shkëpusë nga duart shtetin këtyre kapësve. U desh fillimisht të kuptohet se e kemi fuqinë, që tashmë të tregojmë se e përdorim atë.
Dhe kjo është shumë mirë për Kosovën, për partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe për të gjithë ata që janë të interesuar për një shtet me mirëqenie, zhvillim e drejtësi në këtë vend të globit.
Kurrë kriminelët nuk kanë qenë më të izoluar. Shqiperia zyrtare nuk është me ta, Amerika zyrtare nuk është me ta, Gjermania zyrtare nuk është me ta. Po i mbështet vetëm Vuçiqi dhe Gruevski, por ky i fundit nuk është më në qeveri. PAN-i është bërë krejt iracional prej dëshpërimit, dhe po bëjnë çmenduri duke menduar se mund ta ndalin këtë gjë me metoda fëminore, duke mos ardhur në Kuvend, ose duke ardhur kot, sikurse sot.
Ne jemi të gatshëm për të krijuar qeverinë dhe për ta filluar punën që i ka munguar Kosovës këto 18 vitet e pasluftës. Zhvillim ekonomik për punësim, luftim të korrupsionit për drejtësi, politika sociale për mirëqenie, integrim euroatlantik për ardhmëri.
Tash jemi edhe afër zgjedhjeve lokale. Jemi afër qeverisjes qendrore me vendin. Nuk mund të na vonojnë me shumë muaj e vite. Mund të na vonojnë me javë ose muaj.
Ne po vijmë qartazi. Ata po shkojnë, disa porsi mjegulla e disa porsi terri. Ne jemi gjithnjë e më afër qeverisjes. E me këto vonesa po dukemi sikurse anija e cila teksa i afrohet bregut, kah fundi, lëkundet ca para e prapa, lëkundet pikërisht sepse po arrin në breg.