26 Dhjetor 2024

Kosova para sfidave të Gjykatës Speciale

Shkruar nga Gani Qarri

Siç është tanimë e njohur për opinionin e gjerë, Gjykata Speciale u formua pas pretendimeve të ish senatorit zviceran dhe i dërguar i Këshillit të Evropës, Dick Marti, për kinse trafikim organesh dhe krime kundër njerëzimit ,nga disa prej drejtuesve të UÇK-s, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ajo u vendos në Hagë, dhe do të ketë gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë, për të cilët u premtua se do të veprojnë sipas ligjeve të Kosovës, kurse parlamenti i vendit, në fillim të muajit gusht të vitit 2015, me shumicë votash miratoi ligjin për Gjykatën e Speciale.

Para se të hyjmë në shqyrtimin e furtunës së paralajmëruar të Gjykatës Specilae, përjashto pretendimet e Dick Martit, mjerisht në Kosovë, tash e sa vite dihet se zhvillohen paralel, jo një a dy, por disa lloj krimesh njëkohësisht.

Por megjithëse, është thënë dhe shpresohet me të madhe se Gjykata Speciale do të hetojë, si krimet e pretenduara gjatë luftës edhe korrupsionin dhe vrasjet e kryera paslufte, duke u nisur nga deklarata e vet Kryeprokurorit të kësaj Gjykate David Schwendiman se si edhe ai është i vetëdijshëm për ndjeshmërinë politike që do të kenë arrestimet e personave që mund të akuzohen, besoj se fillimi i gjykimeve do të jetë një proces jo i lehtë dhe i kufizuar vetëm në krimet e apostrofuara nga Dick Marti.

Ndaj, sado që Gjykata Kushtetuese e shpall pozitiv aktvendimin në lidhje me kushtetutshmërinë e rregullave të rishikuara të Rregullores dhe të Provave të Procedurës, nuk besojë se gjykimet do të nisin pa vonesë as shpejt dhe që nga fillimi me akuza kundër peshqve më të mëdhenj.

Madje përkundër asaj se Gjykata Speciale nga shumë kush në Kosovë shihet si i vetmi shpëtim real dhe \"një dritë në fund të tunelit\",për zgjidhjen përfundimtare edhe të problemeve të brendshme aktuale në Kosovë, ajo për fillim, do merret më tepër me supozimet e Dick Martit, mbi vrasjet gjat luftës, trafikimin e supozuar të organeve dhe shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë asaj kohe etj, por jo edhe me krimin ekonomik dhe korrupsionin galopant, që tash e sa vite, po e ha vendin për brenda.

As shpresa se kjo gjykatë mund të godas krerët e krimit të organizuar dhe mafian politike në Kosovë, nuk mund të jetë plotësisht e realizueshme edhe për vet faktin se ne jemi në Ballkan, ndaj si në shumicën e vendeve të rajonit edhe në Kosovë, “krye-kokat”, nuk mund ti prekë kush aq lehtë, ngase edhe aktualisht, mund të qëllojnë të akomoduar në majat e pushtetit, ani pse kur është fjala për peshqit edhe për ata më të mëdhenjtë, thuhet se “prishja”e tyre-fillon nga koka.

Ndërsa në anën tjetër,nuk mund edhe të përjashtohet mundësia, që arrestimet e mëhershme të mos jenë organizuar me qëllim të krijimit të një “rezerve” me emra të mundshëm për  akuzim në Gjykatën Speciale, si parapërgatitje për mos dështim, që në nisjen e këtij procesi nga kjo gjykatë, gjë që së shpejti edhe mund të vërtetohet, nëse vërtetë ky ishte shkaku i arrestimit të tyre të njëmendët, apo ndoshta taktikë e peshqve të mëdhenj që së pari ti sakrifikojnë të vegjlit, me shpresën se do të krijojnë alibi dhe shpëtojnë vetveten nga gjykimi.

Pra gjykimi mund të nisë me emrat nga “rezerva” e krijuar më herët me të burgosurit e viteve të kaluara, kurse akuzat e reja mund të fillojnë nga mesi apo edhe fundi i zingjirit të krimit, për të parë reagimet e opinionit, natyralizuar banorët me rrjedhën e procesit dhe mos nxitur tensionet politike që në nisje të burgosjeve.

Përndryshe arrestimet, ka vite që janë paralajmëruar, bile paralajmërimet e tilla, arritën kulmin para mesit të vitit të kaluar dhe ende po vazhdojnë,gjë që megjithatë, deri më tani nuk ndodhi drejtpërsëdrejti dhe bazuar vetëm në akuzat nga kjo gjykatë.

Ndërsa ajo që tash e sa vite brengosë më së tepërmi qytetarët e Kosovës, padyshim është fakti se sistemi i drejtësisë në vend është aq i kalbur dhe kapur aq fort nga politika, sa që policia dhe prokuroria kosovare realisht nuk guxoi kurrë të hap as edhe një rast të vetëm kundër krerëve të vërtetë të krimit të organizuar dhe mafias politike në Kosovë.

Kështu që, është krijuar bindja e plotë ,se po nuk ndërhynë edhe organet e drejtësisë ndërkombëtare, vështirë se gjyqësia dhe forcat e sigurisë në Kosovës, me gjithë akuzat që pritet të shfaqen, pa asistencën e tyre të mund të arrestojnë, ndonjërin nga peshqit e mëdhenj.

Madje vet niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend, që tash e sa vite i papenguar nga askush. rritet e zgjerohet në përmasa alarmante gjithandej Kosovës, lë të kuptohet se oligarkia mafioze dhe politikanët e inkriminuar, janë aq të mirëorganizuar, të fuqishëm e të paprekshëm, sa që nuk ka kush që mund ti lëkundë nga pozitat e larta, që ata edhe tani mund ti mbajnë.

Pra, duke u nisur nga përvoja e keqe e viteve të mëparshme, lehtë mund të konstatohet se pa aktivizimin e drejtpërdrejtë të strukturave ndërkombëtare të policisë dhe drejtësisë, organet vendore të shtetit, përveç ndonjë aksioni spektakolar si në të kaluarën, sa për sy e faqe dhe arsyetim para opinionit të brendshëm, nuk munden as guxojnë të bëjnë asnjë arrestim të cilitdo prej të ashtuquajturve peshq të mëdhenj.

Ndaj megjithëse njëjtë si ne, edhe organet përkatëse shtetërore, që moti të gjithë e dimë dhe jemi të bindur plotësisht se vetëm arrestimi i politikanëve të inkriminuar të cilët po e mbytin këtë vend, do ta shpëtonte Kosovën nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, si gjyqësori, prokuroria as policia vendore, deri më tani, nuk kanë arrit të ngrijnë asnjë akuzë të vetme kundër peshqve vërtetë të mëdhenj.

E si përfundim i gjithë kësaj edhe pse u deklarua se Dhomat e Specializuara brenda shtatë ditësh do të jenë të gatshme dhe ligjërisht në gjendje që t’i pranojnë akuzat e para, përderisa peshqit e mëdhenj ende nuk guxojnë të preken nga askush dhe vazhdojnë edhe më teje të qëndrojnë të papenguar në majat e politikës dhe qeverisjes vendore, druaj se burgosjet dhe ftesat për gjykime, të paktën për fillim, do të shfaqen si përsëritje e praktikës së deritanishme dhe mbeten qoftë edhe përkohësisht,vetëm sipërfaqësore, gjë që e bënë gjendjen edhe më alarmante, të komplikuar dhe më tepër se iluzore, se me të njëjtit njerëz në maja të pushtetit ,mund të priten arrestime të njëmendëta dhe ndodhë shpejt e pa kalkulime, burgosja e kriminelëve të vërtetë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)