28 Dhjetor 2024

Kosova nuk mund të qëndrojë duarkryq

Shkruan Stefan Fyle

Kur pesë vite më parë iu bashkova Komisionit Evropian për t’u marrë me zgjerimin e BE-së, kush mund ta merrte me mend se Kosova do të përparonte aq shumë në rrugën e saj evropiane që atëherë?

Sa për fillim, një gurthemel i rëndësishëm në marrëdhënien tonë zuri vend korrikun e shkuar: Kosova inicializoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit – apo MSA-në shkurt – me Bashkimin Evropian. Nuk është vetëm formalitet.

Kjo marrëveshje e parë kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës do të përcaktojë të drejtat dhe obligimet e dyanshme në fushat e rëndësishme si tregtia, legjislacioni, bashkëpunimi social, arsimi dhe trajnimi.

MSA-ja vulos përkushtimin e Kosovës për sundim të ligjit dhe mbështet zhvillimin e institucioneve demokratike të Kosovës. Rrit kapacitet e tyre për të ofruar shërbimet që qytetarët presin dhe meritojnë. Mbështet ndërtimin e Kosovës si një shtëpi e përbashkët ku të gjitha komunitetet mund të zhvillohen e përparojnë.

Kur të përmbyllet, MSA-ja do t’u sigurojë kompanive kosovare qasje në tregun e brendshëm të BE-së me mbi 500 milionë konsumatorë dhe t\'ua mundësojë atyre që të ofrojnë shërbime anembanë BE-së si dhe të konkurrojnë për kontrata publike. Do t\'ua mundësojë qytetarëve të Kosovës që të përfitojnë nga standardet e BE-së për cilësi dhe siguri për lloj-lloj produktesh.

Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja vazhdon që ta ndihmojë Kosovën që të normalizojë marrëdhëniet e saja me Serbinë. Efektet e saja pozitive shkojnë përtej interesave të Prishtinës dhe Beogradit.

Kosova iu bashkua Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim në dhjetor të vitit 2012, e vitin që pasoi, 2013, edhe Bankës Evropiane për Investim – institucione këto kyçe ndërkombëtare për zhvillimin e Kosovës. Dialogu ia mundësoi Kosovës që të marrë përsipër plotësisht rolin e saj në forumet rajonale.

Në shkurt të vitit 2013, Kosova iu bashkua Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal si anëtare e plotë. Në nëntor të vitit 2013, Shkolla Rajonale e Administratës Publike e pranoi Kosovën si anëtare dhe në qershor të vitit 2014, Kosova u bë anëtare e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore – që ia mundëson asaj të marrë pjesë në takime të të gjitha niveleve dhe në kushte të barabarta. Po në atë muaj, Kosova iu bashkua Komisionit të Venedikut të Këshillit të Evropës.

Kosova ka shënuar progres të mirë edhe në përpjekjet e saja për të siguruar heqjen e barrierave të vizave Schengen për qytetarët e saj në të ardhmen. Kosova është pajtuar që të themelojë një gjykatë speciale që do të adresojë çështjet e ndjeshme të personave të zhdukur dhe akuzat që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës i janarit 2011, ndërsa 2014-ta e gjeti Kosovën me përgjegjësi të reja që iu transferuan nga misioni i BE-së për sundim të ligjit - EULEX.

Këto arritje duhet ta motivojnë qeverinë e re që të marrë përsipër sfidat e mbetura. Kosova nuk mund t\'ia lejojë vetes të qëndrojë duarkryq, humbjet mund të jenë të mëdha.
Dështimi që të konstituohet legjislatura e re pa probleme dhe me kohë shënon kthim prapa në reforma. Bllokada paszgjedhore duhet të tejkalohet ndërsa Kuvendi dhe Qeveria duhet të krijohen urgjentisht.

Qeveria e re duhet të udhëheq perspektivën evropiane të Kosovës dhe të ndërmarrë reformat e nevojshme, duke filluar nga reformat gjithëpërfshirëse të administratës publike dhe ato zgjedhore e deri te ristrukturimi ekonomik. Ajo duhet të japë rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të mundësojë krijimin e menjëhershëm të gjykatës speciale.

Po ashtu duhet të vazhdojë përmirësimin e pavarësisë së gjykatave dhe atë të mediave dhe të përforcojë të drejtat e njeriut dhe liritë fundamentale.

Dhe së fundi, duhet të luajë rol aktiv dhe konstruktiv në rajon, të dëshmojë përkushtimin e saj për procesin e normalizimit me Serbinë.

Puna në këto fusha do të kërkojë guxim dhe përkushtim politik. Shpërblimi është një jetë më e mirë për qytetarët e Kosovës.

Në kuptimin financiar, Komisioni i ka ndarë 645 milionë euro grante për Kosovën për vitet 2014-2020 përmes alokimeve individuale të IPA-s për vendet e rajonit.

Fonde shtesë Kosova do të përfitojë nga alokimet e IPA-s për projekte rajonale dhe ndërkufitare dhe programet bilaterale të shteteve anëtare të BE-së.

BE-ja do ta ndihmojë Kosovën në rrugëtimin e saj evropian; i takon Kosovës që ta nxë mundësinë.

Stefan Fule është Komisioner për Zgjerim dhe Politika Evropiane të Fqinjësisë i Komisionit Evropian.

/Ky artikull publikohet me rastin e publikimit nga Komisioni Evropian të Raportit të Progresit për Kosovën, më 8 tetor 2014./

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)