Kosova nuk bën të sillet si Serbia në Rambuje
Kosovës në aktualitetin e sotëm politik nuk i duhen arratitë politike karshi botës, nuk i duhet politika e veshur me petkun e folklorit, nuk i duhen as demonizimet e polarizimet.
Nuk i duhet as të humb kohën dhe mundin për ta gjetur se kush është fitimtar e kush është humbës, në proceset që po e presin. I duhet bashkimi i të gjithë potencialit politik dhe intelektual për ta arritur maksimalen. Ndryshe, humbim mundësinë dhe do të merremi me pasojat.
Në politikë zakonisht ndodh kështu kur nuk bëhet veprimi i duhur në kohën e duhur. Është brengosëse kur sheh se disa nga politikanëve vërtet po u pëlqen shumë ta dëgjojnë e shikojnë veten e tyre.
Janë dehur nga të arriturat e tyre personale dhe formojnë lehtë pozicione politike dhe jo shtetërore.
Të tillët me politikën shtetërore sillen sikur buburreci në anektodën e lexuar: “Buburreci lavdërohej teksa ishte hipur në gur të mullirit. “Shihni sa i fuqishëm që jam, tërë këtë guri mund ta sjell”.
”Nëse mundesh, sille nga ana tjetër”, i kishin thënë.” Jo, unë e sjell nga të shkon guri”,ishte përgjigjur buburreci.
Liderët mburravecë po mundohen ta sjellin gurin në anën e kundërt nga e çon rrejdha e ujit, ndërsa kundërshtarët tonë po i fërkojnë duart.
Të gjitha partitë politike duhet të hyjnë në proces dhe të kontribuojnë në të, e pse jo edhe në qeverisje të përkohshme apo teknike. Mbase kjo ka mbetur rruga e vetme duke parë edhe vet zhvillimet brenda Kosovës.
Qëndrimet dhe pozicionet e deritashme rreth bisedimeve me Serbinë duhet kuptuar sikur deklaratat e trajnerëve para ndeshjes, ndërsa loja zhvillohet në fushë. Dështimi i finalizimit të dështimeve me fajin tonë do të jetë fatal për vendin.
Kosova nuk duhet të sillet si Serbia në Rambuje.
Reciprocioteti si pozicion duhet parë si mundësi që paralizon kërkesat e Serbisë dhe mundëson që të dështojnë bisedimet, tani, me fajin e Serbisë.
“Mos ec pas meje, unë s’ju udhëheq dot”
“Mos ec para meje, sepse ndoshta nuk mund të ndjek”
“Ec pranë meje dhe bëhemi partnerë”.
Mbase kjo thënie e përshtatur e një mendimtari amerikan, reflekton politikën e Kosovës në raport me kërkesat e SHBA-ve për detyrat e shtëpisë për vitin 2019.
Politika jonë, e në veçanti kjo e kohëve të fundit, nuk është duke e pasqyruar ecjen përkrah, por nganjëherë ecjen pas e nganjëherë ecjen përpara.
Nuk është fjala vetëm për qëndrimet politike karshi finalizimit të bisedimeve me Serbinë. Duhet kuptuar drejt dhe qartë edhe porositë tjera, sikur angazhimin serioz për luftimin e krimit ekonomik, reformën substanciale në drejtësi, arsim shëndetësi, eliminimin e pabarazisë etj.
Kosova pas njëzet vitesh në liri, e tillë si ishte duhet ta mbyll fazën e tranzicionit dhe të punojë për ta hapur kapitullin e ri, i cili ndërlidhet me konsolidimin e demokracisë në konsolidimin e shtetit të së drejtës.