08 Janar 2025

Kosova, kjo Republikë Parlamentare pa parlamentarizëm

Shkruar nga Durim Berisha

Të zgjohesh, të kalosh ditën dhe të biesh në gjumë duke dëgjuar thirrje për shtetin, për republikën, për kombin... e pallavra të tjera me rend nuk është më risi.

Dëshpëruese kur ende pa kaluar një dekadë nga bërja shtet (se të çliruar ende nuk jemi) detyrohesh që deklarata të cilat në ndërtim të fjalisë së kësaj grupe politike kanë edhe këto vlera sublime, të shenjta dhe të patjetërsueshme si shteti, republika  dhe kombi t’i quash pallavra.

Nuk ka mundësi si të quhen ndryshe, sepse në këto momente po vlen thënia “dëgjoje kush po e thotë dhe jo çka po thotë”.

Vlen ky parim sepse sot, ata që deri dje ishin miq, ishin një, ishin të pandarë në rrugëtimin e tyre politik, në pikëpamjet e tyre për të “ndërtuar” shtetin, për të “punuar” për shtetin, për të “ndryshuar” këtë gjendje të mjerueshme... po i gjejmë në të dy anët e pushtetit.

Sepse përpos etjes së pangopur dhe të pangopshme për pushtet, këtë elitë politikë e bashkon karakteristika e përbashkët e injorancës totale mbi shtetin, mbi republikën dhe mbi kombin. Vetëm inati se nuk munden të ndajnë hiset barabartë i ka ndarë dhe ndanë çdoherë këta.

Nuk mund të jetë tjetër përpos se mungesë e të kuptuarit të sistemit politik dhe kushtetues një qasje e tillë ndaj rolit të secilit.

Nuk mund të gjejmë justifikim tjetër për të përshkruar këtë kaos shoqëror dhe shtetëror, përpos se duke u munduar të argumentojmë se kjo shoqëri dhe kjo elitë politike  nuk ka haber nga shteti, nga shtetbërja dhe nga funksioni që ushtrojnë.

Të dëgjosh në një sistem parlamentar (demokratik, jo komunist) një të zgjedhur të popullit që sot e quajmë deputet të argumentojë çdo abuzim të tij me votën e popullit është mbretëreshë e të provuarit.

Të jesh i zgjedhur i popullit kërkon përgjegjësi, ajo nuk është mburojë nga zbatimi i ligjit edhe ndaj teje. Koncepti i imunitetit nënkupton mbrojtjen nga ndjekja penale për mendimin dhe bindjen politike të shprehur, apo për votën e tij në procesin e vendimmarrjes.

Sepse këto detyra i ka Parlamenti, të flet dhe të vendosë në emër të popullit. Si organ shtetëror përmes vendimeve të tija ai e shpreh vullnetin e popullit, prandaj i ndalohet çdo deputeti të keqpërdorë këtë kuptim (i zgjedhur i popullit) për të folur në emër të tërë popullit.

Ai flet vetëm në emër të votuesve të tij, me të cilët ai ka raport të llogaridhënies për konceptin dhe platformën që i ka paraqitur.

E në këtë sistem kushtetues në të cilin demokracia është përfaqësuese, për t’u mbrojtur nga totalitarizmi, konstitucionalistët kanë vënë baza të forta përmes të cilave ky organ përfaqësues ndikohet nga opinioni publik.

Përmes mediave, tubimeve dhe peticioneve shoqëria i ndikon në punën e  parlamentit. Të drejta këto të garantuara edhe në Kushtetutën tonë, e të cilat kërkojnë që numri i atyre që përmes këtyre lirive dhe të drejtave themelore i adresojnë një qëndrim publik të zgjedhurve të tyre, të jetë më i lartë sesa numri i votuesve të opozitës me qëllim që të tregohet se shoqëria ka bërë ndryshime sasiore në orientimin e tyre politik.

Mos të harrojmë se po flasim për shoqëri të vërteta parlamentare në të cilat puna e të zgjedhurve dhe organeve shtetërore bazohet në frymën parlamentare dhe në të cilat parlamentarizmi është rrënjosur si koncept në çdo sferë të jetës.

Në të cilat dokumentet kushtetuese dhe ligjore vlejnë, përpos që ekzistojnë. Sepse në shoqëri të tilla nuk do të ishin lejuar deputetë marioneta, të zgjedhur nga populli e që i shërbejnë urdhrave të Shefit. E as të atillë që të servojnë pamje lufte në hapësirën e institucionit që ka një përkufizim klasik “forum i diskutimit dhe vendosjes publike”.

Pra të tillë që nuk kanë lidhje me parlamentarizmin, të tillë që një Republike Parlamentare i kanë zhveshur çdo element të  parlamentarizmit. Fundja kuvende popullore kemi edhe në sistemet komuniste.

Por nuk janë fajtorë këta politikanë, kjo tubë njerëzish që nuk mund të quhet elitë politike, sepse nuk është e tillë. Fajtorë jemi të gjithë ne që kemi heshtur, të gjithë në që kemi krijuar një klimë të tillë ku njerëzit që dinë dhe mund të na udhëheqin nuk mund të depërtojnë. Sepse ata nuk na premtojnë diploma pa dije e punësim pa meritë.

Do të përkujtoja për secilin prej nesh një thënie të ish-Kancelarit gjerman Helmut Schmidt i cili në një intervistë para shumë dekadave kishte thënë se “gjatë luftës së dytë botërore isha i burgosur i luftës. Mendoja shumë rreth asaj se çka i nevojitet popullit tim. Kuptova se ajo që i nevojitet është drejtësia”.

E drejtësia nuk nënkupton vetëgjyqësi apo anarki. Por vetëdije qytetare, kushtetuese dhe ligjore.

/Autori është Kandidat për Doktoraturë në të Drejtën Publike, Doktrinën Shtetërore dhe Historinë Kushtetuese në Universitetin Bielefeld në Gjermani/
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)