Kosova ka nevojë për një Strategji të qartë në Diplomacinë Ekonomike
Shkruar nga Besnik Hoti
Prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, Ministria e Punëve të Jashtme ka pasur dy synime themelore: themelimin dhe funksionalizimin e shërbimit diplomatiko-konsullor, si dhe lobimin për njohje dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Gjithashtu gjatë këtyre viteve Ministria e Punëve të Jashtme e ka promovuar në mënyrë aktive diplomacinë publike si mjet i prezantimit dhe forcimit të imazhit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në mënyrë paralele poashtu ështe zhvilluar edhe diplomacia ekonomike, por, e cila nuk ka ndikuar në axhendë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për këtë arsye ka dalë si domosdoshmeri hartimi i një strategjie kombëtare për diplomacinë ekonomike.
Një orientim i tillë drejt diplomacisë ekonomike vjen natyrshëm pas konsolidimit të shtetësisë dhe forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës ku deri më sot, është njohur nga 116 vende të ndryshme të botës dhe e anëtarësuar mbi 60 organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Prandaj, në këtë fazë të re të zhvillimit të Republikës së Kosovës, nevojitet një qasje e re proaktive ndaj diplomacisë ekonomike.
Kjo qasje e re duhet t’i adresoj të gjithë faktorët që sot e mundësojnë rritjen ekonomike dhe përmirësimin e imazhit të Republikës së Kosovës si vend potencial për investime, duke krijuar një listë të prioriteteve, koordinimin e politikave, dhe proceseve institucionale, në formën e një strategjie, e cila do të mundësojë realizimin e një standardi të qëndrueshëm në diplomacinë ekonomike, duke suportuar investitor në sfera të ndryshme dhe sektor kyç të ekonomisë.
Strategjia Kombëtare për Diplomacinë Ekonomike si strategji e zhvillimit nuk adreson të gjitha aspektet e qeverisjes, por vetëm ato që lidhen me zhvillimin gjithëpërfshirës të diplomacisë ekonomike. Për më tepër, ky dokument duhet të përfaqësoj një dokument nismash zhvillimore të cilat prioritizohen si objektiva kombëtare.
Po ashtu, duhet kuptuar se zhvillimi i shtetit të Kosovës varet nga performanca ekonomike si dhe promovimi i bashkëpunimit ekonomik në tregje, investime dhe zhvillimin e turizimit.
Për te pasur një diplomaci ekonomike të sukseshme duhet pasur qasje racionale në të shfrytëzimin e avantazheve të ambientit të jashtëm, e cila do të mundësojë rritjen e përfitimeve nacionale në të gjitha fushat e aktiviteteve, duke përfshirë tregtinë, investimet, si dhe të gjitha shkëmbimet e tjera të nevojshme ekonomike.
Pra, në kuptimin e përgjithshëm diplomacia ekonomike, mund të shërbejë për të zgjeruar rritjen e influencës ekonomike dhe duke shërbyer më shumë si strategji, se sa instrument i politikës së jashtme.
Në këtë aspekt, diplomacia ekonomike kalon nga promovimi i bizneseve jashtë vendit drejt zhvillimit të strategjisë, e cila involvon rrjetin diplomatik për ti përfaqësuar dhe ndihmuar në reklamimin e produkteve vendore në tregjet ndërkombëtare.
Po ashtu, përmes misioneve diplomatike mundësohet promovimi i potencialeve ekonomike dhe burimeve natyrore, fizike dhe njerëzore të Kosovës.Disa prej qëllimeve kryesore të diplomacisë ekonomike përmes strategjisë kombëtare duhet të jetë:
lehtësimi i qasjes në tregjet e huaja për bizneset nacionale; tërheqja e investimeve direkte të huaja; dhe Pjesëmarrja në institucionet ndërkombëtare duke i’u shërbyer interesave nacionale.
Kompenentat kryesore të cilat do të mundësojnë realizimin e një diplomacie të sukseshme ekonomike, nuk përfshin vetëm angazhimin ekonomik të Ministrisë së Punëve të Jashtme, por më tepër, atë të Tregtisë së Industrisë, dhe Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike.
Pra, nuk ështe vetëm një njësi e promovimit të diplomacisë ekonomike në kuadër të hierarkisë institucionale. Por, të gjitha këto institucione shtetërore së bashku duhet të ndërrmarin nisma të përbashkëta për funksionalizimin ndër-institucional me qëllim realizimin e suksesshëm të diplomacisë ekonomike.
Bashkëpunimi i këtyre institucioneve ështe i domosdoshëm për shkak të ndërlidhshmërisë së ushtrimit të diplomacisë ekonomike dhe praktikimit te diplomacisë tradicionale.
Roli i misioneve diplomatike konsullore në tërheqjen e investimeve strategjike të huaja
Tërheqja e investimeve direkte të huaja do të bazohet në legjislacionin në fuqi, përkatësisht në Ligjin Nr. 05/L-079 për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës dhe Ligjin Nr. 04/L-220 për Investimet e Huaja.
Këto dy ligje kanë për qëllim nxitjen, tërheqjen dhe krijimin e kushteve për realizimin e investimeve strategjike në Republikën e Kosovës.
Ligji inkurajon dhe mbështet investimet vendore dhe të huaja në sektorët si; energji, infrastrukturë, miniera, transport dhe telekomunikacion, turizëm, bujqësi dhe shëndetësi. Poashtu këto ligje japin garanci maksimale juridike për investitorët e huaj.
Gjithashtu ligji për themelimin e zonave ekonomike dhe zonave ekonomike të lira ka për qëllim “nxitjen dhe inkurajimin e investimeve në Kosovë duke iu ofruar investitorëve infrastrukturë të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarisë afariste. Pra, ky ligj do të krijojë premisa për tërheqje të drejtpërdrejtë të investimeve të huaja që sjellin vlerë në ekonominë e Kosovës.
Prandaj është e domosdoshme duke u bazuar në kapacitetet ekzistuese të misioneve diplomatiko-konsullore, të fuqizohet më tutje promovimi i diplomacisë ekonomike si dhe monitorimi i vazhdueshëm i punës së këtyre misioneve për promovimin e mundësive të reja, potencialeve dhe idenfitikimin e investitorëve strategjik.
Gjithashtu duhet bërë përcjellja e ngjarjeve biznesore në vendet ku misionet diplomatike janë të akredituara për të prezantuar imazhin e Kosovës si destinacion i përshtatshëm për bizneset e huaja.
Në këtë kontekst, misionet diplomatike duhet të sigurojnë material propagandues për kapacitetet egzistuese të Kosovës, me qëllimin e mbajtjes së prezantimeve përpara bisnemenëve në vendet e cileve misioni diplomatik është i akredituar.
Po ashtu, një nga objektivat kryesore të “diplomatëve ekonomike” duhet të jetë edhe mbrojtja e bisneseve nacionale të cilat operojnë në tregjet e huaja, si dhe mbështetja e tyre për krijimin e lehtësirave të eksportit të produkteve vendore në rrjetin ekonomik ndërkombëtar.
Një nga pikat kryesore të misoneve diplomtike duhet të jetë edhe vendosja e kontakteve me diasporën tonë dhe intensifikimin e bashkëpunimit me bisneset kombëtare.
Në përgjithësi top prioritet i Qeverisë së Kosovës duhet të mbetet PROGRESI EKONOMIK. Ministria e Punëve të Jashtme dhe misionet diplomatike, duhet të shfrytëzojnë diplomacinë ekonomike për të implementuar këtë prioritet. Në këtë rrafsh puna e përditshme e Ministrisë duhet të jetë:
Përfaqësimi i Republikës së Kosovës si një destinacion për promovimin e tërheqjes së investimeve të huaja dhe të bërit biznes
Aktivitete për stimulimin e eksporteve të produkteve vendore; këto aktivitete duhet të kontribuojnë në përforcimin e pozitës së vendit si vend i përshtatshëm në të bërit biznes dhe si vend i përshtatshëm për turizëm.
Trajnimi i stafit të autorizuar për aktivitete ekonomike
Duhet të sigurohet trajnim adekuat për personelin e autorizuar për aktivitet ekonomike, qofshin ata diplomatë të cilët deri më tani kanë pasur pozita të rëndësishme në hierarkinë diplomatike, apo ata të cilët për herë të parë e pretendojnë një gjë të tillë. Në këtë aspekt, një rol të vecantë duhet ta luaj edhe Akademia Diplomatike përmes trajnimeve adekuate.
Pastaj caktimi i ‘diplomatëve ekonomikë’ duhet të ndodhë në bazë të analizave të detajuara nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke marrër parasysh interesin e vendeve të huaja për të ardhur dhe investuar në Republikën e Kosovës.
Krijimi i një stafi i cili mund të shërbejë si përgjegjës për promovimin e interesave ekonomike të Kosovës në vendet ku duhet të shërbejnë, përbënë një proces kompleks në vetvete.
Së pari, ata duhet të njohin kapacitetet e vendit të tyre në kuptimin e gjerë, duke përfshirë këtu legjislacionin i cili e rregullon sferën e ekonomisë, ndryshimet të cilat ndërrmiren në vazhdimësi përmes legjislacionit me qëllim për të përmisuar ambientin e biznesit për investitorët e jashtëm dhe të brendshëm dhe projektet madhore për të cilat ka nevojë Kosova.
Me një politikë të tillë afat-mesme (2018-2021) duhet të parashohim ndryshime kulitative në strukturën e stafit nëpër misione diplomatike dhe konsullore dhe në përgjithësi në Ministrinë e Punëve të Jashtme për të futur rrjetin diplomatik në shërbim të promovimit të ekonomisë.