Kosova ka nevojë për drejtues të ndershëm
Shkruar nga Faik Krasniqi
Njerëzit që nuk e dinë çfarë është politika, nuk e kanë haberin, flasin për politikë! Njerëzit që nuk e kuptojnë politikën, i vënë asaj emra si "kurvë" e më the të thashë.
Njerëzit që janë në brendi të politikës, veprojnë. Politika në vetvete nuk është as e keqe dhe as mort që bie mbi një popull, përkundrazi, është modeli më i mirë i rregullimit të një shoqërie.
Në sisteme të ndryshme, politika merr përkufizime të ndryshme. Nëse nën komunizëm politika ishte "vija e partisë" dhe "iso të Madhit", në demokraci politika është përfaqësimi dinjitoz i interesave të individit sipas parimit pakica i bindet shumicës.
Individi delegon pushtetin e tij me votë të lirë në duart e të zgjedhurve, atyre që zgjedhin të përfaqësojnë një grup shoqëror.
Nuk mund të jesh politikan i mirë nëse nuk ke reputacion të mirë. Nuk mund të jesh politikan i mirë nëse s'ke biografi të pastër.
Nuk mund të jesh politikan i mirë nëse nuk je një shtetas i mirë! Të jesh shtetas i mirë do të thote të njohësh liritë dhe përgjegjësitë karshi shtetit, individit dhe shoqërisë në të cilën jeton.
Emrin e keq apo të mirë politikës, ia bëjnë politikanët. Të dish kujt t'ia japësh votën, është sa zgjuarsi edhe investim për të ardhmen tënde si individ apo të shoqërisë në tërësi.
Politikani duhet të jetë përfaqësues dhe mbrojtës i interesave të grupit shoqëror që e ka zgjedhur, dhe si i tillë, qëndrimi i tij ka ndikim direkt në interesat e zgjedhësve.
Politika është paria e një vendi, dhe paria normal i vë bazat e zhvillimit të vendit, përcakton rrugën më të shpejtë të zhvillimit sa më të hovshëm të vendit.
Në sistemet demokratike është populli ai që ka frenat e politikës në dorë, prandaj një popull i edukuar dhe i vetëdijshëm politikisht i jep votën atij intelektuali i cili sjell rrugën më të mirë e më të shpejt në zhvillimin sa më të hovshëm të vendit.
Prandaj një politikan që të marr votat e popullit dhe të bëhet pari e vendit të tij duhet të dal me programe të qarta zhvillimore si dhe në mbrojtje të interesave të votuesve të tij, në mënyrë që të marr prapë votat në mandatin e dytë apo që të bëj karrierë politike apo më mirë të them të punoj që vendi që ai përfaqëson të jetë sa më i zhvilluar, që të jetë sa më kompetitiv në raport me vendet tjera.
Kosova nuk ka nevojë për drejtues demagog. Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për drejtues të ndershëm dhe njerëz të rinj. Kosova nuk ka nevojë për politikanë të ricikluar.
Nëse edhe në këto zgjedhje nuk zgjidhen drejtues të ndershëm, njerëz të rinj, por zgjidhen njerëzit e njëjtë (politikanë të korruptuar dhe të ricikluar) që tash e 15 vite na kanë udhëhequr dhe na kanë dërguar në greminë, edhe qeverisja e ardhshme do të jetë vetëm vazhdimësi e keqqeverisjes!
(Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i ''Nismës për Kosovën'')