Kosova dhe koncesionet
Shkruar nga Gani Qarri
Që nga marrëveshja e 24 shkurtit të vitit kaluar,nga bisedimet e zhvilluara me ndërmjetësimin e BE-së,ndërmjet dy palëve,siç dihet përfitoi vetëm Serbia. Ajo përparoi edhe më tej drejt integrimit evropian, kurse Kosova përveç sakatosjes me fusnotë, varfërisë dhe stagnimit të brendshëm nuk mundi të ecte asnjë hap përpara,duke mbetur aty ku ishte në izolim të plotë dhe e lënë në vetmin e saj të madhe,nga Bashkësia Evropiane.
Përveç tjerash,vendi ynë vazhdon të ndrydhet e diskriminohet edhe nga jashtë,për çka para do ditësh edhe një numër i vogël studentësh nga fakultete të ndryshme të Universitetit të Prishtinës,me rastin e vizitës së kryediplomates evropiane në kryeqendrën e shtetit tonë, baroneshës Eshton (Catherine Ashton)shprehën me të drejtë shqetësimin e tyre për shkak të mos liberalizimit të vizave dhe praktikisht - izolimit total vetëm të Kosovës në Ballkan.
Deri më tani, të gjitha shtetet e rajonit kanë përfituar në forma të ndryshme edhe financiarisht nga liberalizimi i vizave përveç lëvizjes së lirë të qytetarëve të tyre në Evropë,e cila bënë përjashtim vetëm për vendin tonë që si për madhësinë e kufizuar gjeografike ashtu edhe me numrin e vogël të banorëve që ka,është vetëm një pikë e vogël uji në këtë oqean,ndaj Kosova me asgjë nuk mund ta rrezikoj BE, as stabilitetin e saj edhe po ndodhi liberalizimi i vizave me te.
Ndaj,athua ka të bëj krejt kjo vetëm me kushtet dhe standardet që kërkohen nga BE, apo është ky edhe një veprim i një anshëm dhe qëndrim i padrejtë politik ndaj shqiptarëve, pasi që siç dihet vendi ynë nuk ishte nxitës as shkaktar por vetëm njëri nga viktimat e pafajshme dhe më të mundimshme të njërës nga luftërat e fundit nga më agresivet në rajon.
Por, a duhet të brengosen shqiptarët vetëm për trajtimin e tyre të pa barabartë nga Bashkësia Evropiane, apo duhet të frikësohen edhe për koncesione të reja ndaj ish shtetit pushtues-serb, me të cilat prapë mund të kushtëzohet Kosova nga BE, në të gjitha bisedimet e pafund që do mbahen edhe në të ardhmen me Serbinë.
Për fat të keq,me gjithë koncesionet e deritanishme,të mëdha dhe të dhimbshme nga ana jonë,me të cilat që nga marrëveshja e 24 shkurtit të vitit kaluar,përfitoi vetëm Serbia,duke përparuar edhe më tej drejt integrimit evropian, përkundër të gjitha kompromiseve,që nga fillimi i bisedimeve për statusin e vendit,bisedimet e ashtuquajtura teknike e deri tek këto të fundit politike, që tani po vazhdojnë për veriun e vendit me Serbinë, BE-pa të drejtë e mbanë Kosovën të izoluar.
Me këto qëndrime, ajo bllokon çdo hapje rruge vetëm për pjesëtarët e popullit shumicë në Kosovë, kur dihet se pakicat,përveç diskriminimit POZITIV nga ligjet e vendit tonë, edhe për sa i takon lëvizjes së lirë kanë rrugëdalje nga më të ndryshmet duke filluar që nga e drejta e shtetësive të dyfishta,të cilën bashkëkombësit tanë nuk e gëzojnë,ndaj të vetmit shqiptarët e Kosovës në rajon,vazhdojnë edhe sot,të trajtohen pa të drejtë nga BE -si qytetarë të dorës së dytë.
Kështu që Kosova, përveç peripecive të panumërta edhe pas rreth 14-vitesh çlirimi,dhe mbi pesë vjet nga shpallja e pavarësisë së saj, mbetet jo vetëm vendi më i varfër por edhe vendi më i izoluar në Evropë,përderisa për po kaq vite dhe mbi një dekade të kaluar,qeveritë e Serbisë vijnë e shkojnë,por ato asnjëherë nuk obligohen nga BE, as Faktori Ndërkombëtar për ndryshim qëndrimesh politike ndaj statusit të vendit tonë dhe heqjen e pengesave të gjithfarshme para rrugëtimeve integruese të Kosovës drejt BE-së.
Kështu krijohet përshtypja se burokracia evropiane sikur nuk mund të mbijetoj pa trajtimin në këtë mënyrë të një viktime të pa fuqishme siç është Kosova,e cila nuk është në gjendje për tu mbrojtur vet nga teket dhe padrejtësitë e tilla,ndaj edhe është e dënuar të kalojë këtë periudhë të rëndë mbylljeje fizike dhe frustrimi të brendshëm-e të përgjithshëm psikologjik.
Por në anën tjetër, po nga kjo BE,nuk hezitohet fare që shtetit tonë të ri edhe më tej t`i kërkohen bisedime pa kusht dhe koncesione të pafund,qoftë edhe në kurriz të sovranitetit,kërcënimit të kushtetutës dhe rrezikimit të tërësisë së vendit tonë,në mënyrë që Serbisë ti sigurohen medoemos kushtet për integrim në Bashkimin Evropian.
Për aq më keq, nga Serbia jo vetëm se nuk kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës, por as heqja e saj nga kushtetuta serbe, si \"pjesë- përbërëse\" e këtij shteti hegjemonist sllav, i cili me gjithë mbajtjen e Kosovës lindore nën sundim,edhe nën këto rrethana, kërkon për ditë e më shumë,bile vazhdon edhe më tej që të mos ngopet vetëm me ato toka shqiptare që pa të drejtë i mbanë edhe sot nën sundim.
Për tu rritur dëshpërimi edhe më tepër, as \"lule-bora\" e Edita Tahirit e cila i`a mërdhiu vendit tonë me \"fusnotë\" jo vetëm se nuk e ka ndërmend të shkrihet \"me ardhjen e Pranverës\",siç na premtonte ministresha, por ajo fatkeqësisht sa vjen e ngurtësohet që nga mbirja e saj artificiale, në konkubatorin e Brukselit,për damkosjen e saksisë së republikës sonë, nga infektimi i së cilës, Kosova assesi të shërohet.
Pa marrë parasysh koncesionet që bëri vendi ynë vitin e kaluar,Serbia në këto bisedime shkon me pretendime për koncesione të reja nga shqiptarët, duke vazhduar me politikën e saj të njohur, edhe Evropën edhe Kosovën.
Madje e trimëruar nga lëshimet tona dhe përkëdheljet nga ana e BE-së, ajo edhe pas kaq vitesh çlirimi,guxon të deklaroj hapur se nuk do ta njoh \"kurrë\" Pavarësinë e Kosovës,derisa për komunat serbe në vendin tonë, kërkon me cinizëm, asociacion me fuqi ekzekutive, për ta çrregulluar tërësisht shtetin tonë të ri dhe të vogël.
Frika më e madhe,vjen nga fakti i hidhur se përveç shkeljes vitin e kaluar, me \"Fusnotë\", mbi Republikën e Kosovës - këtë vit Serbia, me miratimin e qeveris së Kosovës dhe faktorëve evropian, po arrin të krijoi edhe një formacion destabilizues si ai i ashtuquajturi \"asociacion etnik dhe territorial i komunave serbe\" vetëm për këtë komunitet pakicë, në brendësi të territorit tonë.
Ngase duke u nisur nga përvoja e hidhur që kemi me ekstremistët serb në veri, ky i ashtuquajtur \"asociacion\" shumë lehtë dhe shpejtë mund të kthehet në bombë me sahat për stabilitetin e vendit dhe shpërthime me porosi sipas dëshirës dhe nevojës, sa herë që ato mund t`i duhen Serbisë për ta destabilizuar dhe penguar mbarëvajtjen e shtetit tonë.
Droja për ecjen e Kosovë përpara , bëhet edhe më e madhe ,kur kihet parasysh zhvillimi i pamjaftueshëm ekonomik dhe forcimi i mangët i rendit dhe ligjit, të cilat ende janë në nivelin fillestar,kurse pretendimet serbe edhe më tej nuk pushojnë të vejnë në pikëpyetje kufijtë dhe shtrirjen e shtetësisë në gjithë territorin e vendit.
Për fat të keq,jo vetëm se niveli i sigurisë në vend, lë shumë për tu dëshiruar,por Serbia përveç pjesëtarëve ekstremist të pakicës serbe ka edhe shumë bashkëpunëtorë të shitur shqiptar të cilët mund ti hedh në veprim si me telekomandë-sa herë që asaj i konvenon për ta destabilizuar Kosovën.
I vetmi fat i shqiptarëve, mund të quhet mbështetja Amerikane ndaj popullit tonë dhe ndihma politike që ofrojnë përfaqësuesit e saj shtetëror, sidomos në planin e jashtëm dhe në momentet delikate kur Kosova duhet të zhvilloj bisedime të vështira,e cila pa ndihmën e SHBA-së,shihet qartë se nuk ka forcë, dije as mundësi,që tu dal mbanë.
Por edhe gjendja e rëndë e pjesëtarëve të popullit shqiptar,sidomos të atyre që jetojnë nën shtetet fqinje dhe zhvillimet dramatike të politikës në shtetin amë, e bëjnë edhe më të domosdoshme mbështetjen amerikane, e cila shihet se edhe sot është me rëndësi jetike si për shtetin e Kosovës ashtu edhe për kombin në përgjithësi, pasi që shqiptarët janë të vetmit në rajon të cilët edhe në këtë shekull lirie e përparimi global,mund të diskriminohen kudo, në trojet e tyre etnike,dhe përkundër të gjitha padrejtësive ndaj nesh, megjithatë vetëm nga ne kërkohen vazhdimisht koncesione të reja dhe të pafund.
Ndaj,as heqja e pavarësisë së kushtëzuar,nuk ndihmoi shumë vendin tonë,sepse përmes këtij dialogu absurd, Kosovës i krijohen sërish pengesa të reja me kërkesa abuzive, për krijim asociacionesh me fuqi ekzekutive-shtetërore të cilat rrezikojnë seriozisht tërësinë territoriale dhe pavarësinë e shtetit që po ndërtojmë,derisa Serbisë i bëhen lëshime të një pas njëshme edhe pas nënshkrimit të cilësdo marrëveshje.
Madje,për fat të keq ajo tolerohet edhe më tej, ti zbatoj vetëm ato marrëveshje që asaj i konvenojnë, duke mos heqë dorë edhe më tej, as nga strukturat e saj kriminale në veri pa zëvendësimin e tyre me forca ekzekutive-shtetërore të cilat sërish do ta rrezikonin në vazhdimësi vendin tonë edhe në të ardhmen.
Edhe mënyra se si po zhvillohen këto bisedime, lë shumë për tu dëshiruar, ngase ato nuk janë transparente dhe as të miratuara në kuvendin e Kosovës,ku zyrtar jo plotësisht profesionist, të një rangut të pa mjaftueshëm adekuat dhe jo sa duhet të kualifikuar po vendosin për fatin e vendit dhe popullit duke dalë jo rrallë dhe pa të drejtë edhe mbi fuqitë kushtetuese të shtetit tonë të ri.
Bile, sikur të mos mjaftonin tronditjet e vitit të kaluar që i`u bën Republikës sonë me \"fusnotë\" e cila edhe tani vazhdon ti bëj hije të ftohtë asaj, këto ditë paralajmërohet pranimi i të ashtuquajturit \"asociacion i komunave serbe\",që tek çdonjëri nga ne shkakton huti dhe frikë për rendin, stabilitetin dhe ardhmërinë e shtetit që po ndërtojmë.
Megjithatë,ky me siguri nuk do të jetë kompromisi i fundit nga pala jonë. Ndaj lind pyetja se cili do të jetë koncesioni i dhembshëm i radhës për shqiptarët, nëse jo rrudhja e mëtejme e hapësirave tona gjeografike, me shtyrjen e dhunshme të kufijve nga ana e Serbisë edhe më në brendi të territorit tonë.
Bile edhe kjo kohë ndoshta nuk do të jetë fort e largët,ngase demarkacioni i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një ditë pa tjetër se duhet të ndodhë,ndaj të gjithë shqiptarët duhet ta kenë parasysh rrezikun që mund ti vije vendit,me rastin e demarkacionit kufitar ndërmjet dy shteteve,kur në emër të arritjes së marrëveshjeve dypalëshe dhe për të kënaqur një pjesë të pretendimeve hegjemoniste e territoriale serbe,Bashkësia Evropiane mund të kërkoj edhe koncesione tokësore nga Kosova, anipse pretendimet territoriale serbe, vazhdojnë të mbeten rrezik permanent për integritetin dhe sovranitetin e vendit tonë. Vallë a mund të mbijetoj më tej- pa bashkim kombëtar, edhe pas gjithë këtyre koncesioneve, Kosova?!