Kosova ç'ka qenë, ç'është e ç'nuk do të bëhet
Shkruar nga Behxhet Sh.Shala - Bajgora
Rifreskim i mbamendjes dhe historisë: Rrallë ndonjë popull ka përjetuar tmerre në luftë për mbijetesë më shumë se shqiptarët. Që nga paraardhësit e tyre pellazgë apo ilirë qofshin ata! Gjithashtu, nuk mund të gjeni një popull që nuk e ka një histori të shkruar apo edhe të ruajtur në forma të ndryshme si shqiptarët.
Siç e kanë popujt e tjerë nga grekët, romakët, germanët, galët, hunët, mongolët, persët, si popuj shumë të lashtë e madje këtë histori e kanë më të pasur dhe më të ruajtur edhe sllavët, popull të zbritur nga Karpatet, të cilët pastaj i okupuan tokat tona duke na i bërë njëqind mijë të zeza.
Deri në ditët e sotme. Historia e parardhësve tanë ishte histori e përpjekjeve për ta ruajtur substanceën dhe qenien si ilirë apo pellazgë. Pastaj si shqiptarë !
Gjithmonë ishim nën sundim të tjerëve sikur : njëmijë vjet nën Perandorinë romake, gjashtëqind vjet nën Bizantin, mbi pesëqind vjet na poqi dhe dogji Perandoria otomane, më shumë se dyqind vjet na shkelën bullgarët, mbi njëqind vjet sllavët dhe nga disa vite gjermanët dhe italianët.
Në mënyrë paqësore, si bukë të një brumi na sunduan edhe rusët, edhe kinezët! Me një fjalë, nuk mbeti kush pa lodruar në tokat tona dhe pa na gjymtuar si tërësi duke na shkëputur pjesë të mëdha të territorit në të cilin jetonin paraardhësit tanë!
Tash, lirisht mund të them se shqiptarët janë të futur në konserva si sardelet duke ua ngushtuar maksimalisht hapësirën e jetës!
Kjo tëkurrje apo ngulfatje po vazhdon edhe sot! Rezistenca e shqiptarëve, fillimisht e armatosur e pastaj e degraduar në ate paqësore nuk u ndal kurrë.!
Që nga rilindasit, i papërsëritshmi Hasan Prishtina, Isa Boletini, Idriz Seferi, Haxhi Zeka, Azem Bejta e Shotë Galica, Bajram Curri e Sylejman Vokshi dhe simboli i sakrificës si dhe frymëzim për sakrifica tjera, Mic Sokoli për të vazhduar pastaj me Shaban Polluzhën, Mulla Idriz Gjilanin, Jahja Fushën, Marie Shllakun, Gjon Serreçin, Ymer Berishen dhe patriotët e tjerë që luftuan deri në rënie heroike në kundëreshtim të mbetjes së Kosovës nën sllavët e jugut duke kërkuar bashkimin me Shqipërinë si e drejtë e natyrshme në kohën kur Marku me shokë në Prizren nënshkruan vullnetin e popullit shqiptar të krahinës së Kosova dhe Metohisë për të mbetur në përbërje të shtetit i cili, vetëm në dy vitet pas përfundimit të luftës vrau mbi 10.000 shqiptarë.
Që nuk mendonin si Marku me shokë! Pastaj, vazhduan arrestimet dhe shpërnguljet me dhunë dhe me vullnet të shqiptarëve të konvertuar në turq brenda ditës si rezultat i Marrëveshjes Xhentëlmene midis Jugosllavisë dhe Turqisë.
Shqiptarët dërgoheshin në shkretëtirat e Anadollisë ku mizat brenin hekur ndërsa pronat e tyre në Kosovë u ndaheshin kolonëve serbë. Kryesisht ushtarëve dhe policëve serbë për të forcuar mekanizmin e dhunës.
Edhe në këto rrethana shtrënguese dhe kushte të dhunës çnjerëzore sikur ishte aksioni i mbledhjes së armëve, rezistenca e shqiptarëve nuk ndalej.
Në qiellin e patriotizmës shqiptare lindi një yll që tregonte rrugën e lirisë dhe bashkimit kombëtar duke shkruar për Gjarpinjt e Gjakut , ushujzave të gjakut shqiptarë dhe dhunuesve të lirisë.
Ishte shkrimtari i ri në moshë, Adem Demaçi i cili do ti shërbente kombit, lirisë dhe Shqipërisë (ai këtë e konsideronte si detyrë apo shërbim kombit e jo vuajtje) për më shumë se 28 vjet burgje në llogoret e ish Jugosllavisë.
Adem Demaçi do të mbetej Adem Demaçi për shqipfolësit dhe patriotët e kontrabanduar ndërsa Baca Adem për idealistët. Të parët e vranë në vazhdimësi Bacën Adem dhe po e vrasin edhe sot . Të pafytyrët dhe rrogëtarët e përjetshëm të serbëve!
Janë bërë si korbat që dritën e lirisë dhe të vërtetën duan ta shndërrojnë në errësirë ku më lehtë mund ti bëjnë punët e tyre të ndyra! Baca Adem u shndërrua në mit kombëtar dhe udhëheqës shpirtëror si dhe frymëzues për ata që sinqerisht e donin lirinë dhe ishin të gatshëm të sakrifikoheshin pët këtë liri!
Aty ishte edhe kombëtari i paepur dhe i vendosur deri në sakrificën sublime, Metush Krasniqi. Sidomos për gjeneratën e vitit 1968 të udhëhequr nga i pavdekshmi Xheladin Rekaliu dhe shokët e tij, Skender Kastrati, Ilaz Pireva etj., gjurmëve të të cilëve shkuan pastaj edhe Rexhep Mala, Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, Nuhi Berisha, Kadri Zeka etj. Kjo rrugë ishte e shtruar me gjakun e atdhetarit të shquar dhe mësusit të lirisë dhe bashkimit kombëtar Shaban Shala si dhe mësuesit të lirisë dhe të flijimit Fazli Grejçevcit!
Kërkesa e gjeneratës së vitit 68-të u përshtat rrethanave të zhvillimeve politike në Evropë duke kërkuar Republikën e Kosovës! U hap edhe Universiteti i Prishtinës që udhëhiqej nga fryma jugosllave por që nga ai dolën edhe shumë patriotë.
Të cilët pastaj organizuan demonstratat e vitit 1981 për të cilat projugosllavët thonin se e dëmtuan çështjen e Kosovës prandaj edhe i cilësuan si armiqësore, kundërrevolucionare dhe kundër vëllazërim bashkimit.
Këto antivlera njerëzore dhe kombëtare,këtë cilësim e kishin shndërruar në standard moral, edukim familjar dhe përcaktim kombëtar dhe shtetëror! Shumë të vrarë, mijra të arrestuar dhe po aq të dënuar ishte bilanci i një përpjekjeje për çlirim dhe liri!
Erdhi viti 1989 ku në qiellin e tiranisë dhe dhunës u paraqit si një meteor, krimineli Sllobodan Millosheviq. Shumica e deputetëve të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës votuan kundër të drejtave kushtetuese që kishin shqiptarët duke deklaruar se : këto ndryshime të Kushtetutës së Kosovës bëhen për të mirë të Kosovës në kohën kur rrugët e Kosovës laheshin me gjakun e shqiptarëve që nuk mendonin si shokët e Markut të gjeneratës së vitit 1989.
Një femër atëherë u ngrit mbi trimërinë e shumë burrave. Ishte Melihate Tërrmkolli! Ishte koha kur atëherë të gjithë u bënë patriotë : Azem Vllasi, Kaçusha Jashari, Remzi Kolgeci dhe shërbëtorët tjerë të ish Jugosllavisë të cilëve u kërkoj falje që nuk po ua përmend emrat.
Minatorët u mbyllën në zgafella dhe marshuan drejt Prishtinës duke kërkuar mbështetje politike prej varreve të gjalla siç ishin patriotët që i përmenda më lart!
Më 14 dhjetor 1989 u formua alternative e parë politike dhe kombëtare në Kosovë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut! Ndërkaq, pas nëntë ditësh u formua Lidhja Demokratike e Kosovës!
Në të cilën u fut e tërë nomenklatura komuniste, titiste dhe sllave e kohës. Duke u instaluar madje edhe në krye të saj! Në me krye Ibrahim Rugovën, bllokuesin më të madh të luftës së shqiptarëve për liri dhe çlirim. Dhe frikacakun më të madh që ka njohur politika shqiptare!
Një antihero dhe një antivlerë kapitale të cilin pasuesit e tij, për të mbijetuar e përjetësuan duke i ngritur përmendoren e Kim il Sungut,në qendër të Prishtinës! Të cilin, për fat të keq edhe ne të burgosurit politikë, me sugjerimin e fuqishëm të Bacës Adem e përkrahëm deri në vitin 1994. E formuar në kushte ilegaliteti dhe me bërthamë nga të burgosurit politikë u formua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kjo dorë e zgjatur e Serbisë sipas Himë Govës!
Qiellit të shqiptarisë iu shtua edhe një yll që do të shndritë jetë e mot! Ylli i sakrificës dhe frymëzimit për të gjithëa ata që gjakonin lirinë! Ishte i Madhi, Komandanti Legjendar i UÇK-së, Adem Jashari. Edhe për këtë gjenin fjalë se : i mori në qafë robtë e shpisë ndonëse të gjithë u vranë duke luftuar dhe duke kënduar!
Kështu flisnin korbat e Himë Govës. Ranë për lirinë e këtyre që sot po vjellin kundër tyre edhe Fehmi Lladrofci, Xhevë Ladrofci Krasniqi, Ilaz Kodra, Luan e Shkëlzen Haradinaj, Agim Ramadani, Mujë Krasniqi dhe shumë Heronj të Kombit. Ranë në pritën e organizuar edhe luftëtarët e lirisë, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu. Serbia masakronte shqiptarë, i zhduktte ata dhe i dërgonte si pengje lufte në Serbi.
Erdhi Rambujeja ku të dorëzuarit, në me krye të dorëzuarin e përhershëm, Himë Govën e përjetuan si çlirim ndërsa ata që qëndruan, u dorëzuan pa kushte dhe tash po i paguajnë faturat e fryra! U vërtetua se luftën e nisin idealistët ndërsa e përfundojnë duke mbledhur frytet e saj pikërisht horrat! Hajdutët e Fondit të 3% dhe ata të Fondit Vendlindja Thërret me të madhe u futën në biznes dhe politikë, me të përfunduar lufta!
Pas përfundimit të luftës në Kosovë nuk u shkrep një pushkë për punë të hajrit. Vetëm për punë të ndyra. Mafia ndërkombëtare e rriti me sukses këlyshin e saj, mafien e vendit! Rambujeja polli Bisedimet e Vjenës. Një kopil të lëne para dyerve të Kosovës së vogël, të varfër, të pambrojtur nga Serbia dhe të shantazhuar nga ndërkombëtarët!
Në Shqipëri Baba i Shtetit dhe Kombit ishte Ismajl Qemali. Baba i shtetit të Kosovës u bë një pensionist nga Finlanda, Mati Ahtisari. I cili u bë truri dhe shpirti i Kushtetutës së Kosovës! Një Kushtetute të masakruar, jurudikisht dhe funksionalisht! U shpall Kosova e pavarur dhe sovrane.
Pavarësinë e kishim dhe e kemi të mbikëqyrur nga ndërkombëtarët ndërsa bartëse dhe pronare e sovranitetit është Serbia. Një numër i komandantëve të luftës që e kishin lëshuar rrugën e Kombit e që konsiderohet të jetë edhe rruga e Zotit u arrestuan si hajna të pulave. Asgjë nuk po mbetet për atë botë.
Nuk mbeti kush pa u bë president e, ministër, deputetë apo bartës i një posti që e pasuroi ate por e shkërdheu ardhmërinë e Kosovës! U ngriten shumë përmendore.
Menjëherë pas luftës u ngrit shtatorja e Zahir Pajazitit! Jo për ta nderuar heroin dhe veprën e tij por për tu mëshehur dhe strehuar prapa saj disa mashtrues dhe përfitues të luftës që ishin zhytur thellë në ujërat e krimit!
Për përmendoren e Kim il Sungut në Prishtinë dua të them se antivlerat, për ta mëshehur injorancën e tyre e përligjën një antivlerë supreme ! Kjo ishte Kosova deri më sot.
Cila është Kosova sot : Është një shtet gjysmëfunksional me gjasa të mëdha të bëhet krejt jofunksional. Me pavarësi të supozuar dhe me sovranitet të mohuar. Me një flamur të çoroditur dhe himn jonormal.
Me ndarje të brendshme dhe me dominim të vetëm një etnie. Asaj serbe! Që kanë fuqi ta bllokojnë çdo proces! Vend ku ka më shumë doktorë shkence dhe magjistra se që ka nxënës me shkollë fillore!
Vend ku nëse nuk ke para ose lidhje politike vdes në mungesë të një aspirine! Vend ku partia të bënë milioner dhe ku partia të fut në varr! Vend ku përcaktimi kombëtar merret si rrethanë rënduese.
Vend ku hajnia, nepotizmi, vendimet e dëmshme politike, krimi i organizuar ekonomik dhe politik janë pika reference për përmirësim të statusit në shoqëri dhe ndërtim të karrierës.
Kosova është vend ku injorantët përcaktojnë standarde morale dhe ku të pafytyrët ligjërojnë për moral. Kosova është vend ku shteti që na ka vra dhe pre 100 e më shumë vjet i organizon zgjedhjet për serbët e instrumentalizuar, formon lista serbe, komuna serbe dhe njësi territoriale të shtetit brenda shtetit Bashkësia e komunave serbe.
Që nuk ka ndodhur as në kohën e Rankoviqit e as në kohën e Slobodan Millosheviqit! Kosova është vend që, pasi e ka shpallur pavarësinë, e ka rikthyer përsëri në diskutim përmes bisedimeve teknike me Serbinë me insistimin e Serbisë, Fjollës së Borës me një yll të fusnotës që nuk e paragjykon statusin e saj që e ka pranuar kryeministri ynë i lavdishëm dhe zëdhënsja mondane e tij, Zezdita Tahriri!
Kosova është në krye të gjitha raporteve negative në listat botërore dhe gjithashtu është në fund të pusit në planin e brendshëm! Kosova ka mungesë të inteligjencës që formon masën kritike por ka tepricë të inteligjencës që i servilohet politikanëve injorantë! Kosova është me keq se Bosnja! Pse, do të pyetni?!
Sepse Bosnja është e federalizuar në tri entitete politike dhe etnike me kufi të përcaktuar që kanë homogjenitet etnik dhe mund të ekzistojnë edhe si njësi të pavarura nga njëra tjetra!
Kosova është e ndarë në dy njësi etnike dhe politike, serbe dhe kosovare . Këto njësi i përngjajnë lëkurës së leopardit ku veriu u pastrua etnikisht duke i lënë hapësirë dominuese popullit qiellor ndërkaq jugu dhe qendra e Kosovës është sikur lëkura e zebrës. Me dy ngjyra apo me dy etni! Serbe dhe kosovare!
Kjo e bënë Kosovën jofunksionale në aspektin strategjik sepse para se të integrohej pakica serbe ajo u armatos me fuqi të hatashme për bllokim të proceseve.
Çka nuk do të bëhet Kosova: Kosova e ka të vështirë mos them të pamundur të bëhet shtet funksional. I pavarur dhe ushtrues i sovranitetit në tërë territorin e saj. Nuk ka ekzistuar vullnet politik i ndërkombëtarëve që Kosova të bëhet shtet normal.
Ata kanë dashur që Kosova të bëhet shtet eksperimental. Si eksperiment, Kosova është shembull i përkryer e gjithashtu mund të shërbej edhe si model se si nuk duhet të bëhet shteti! Prandaj, në planin afatgjatë e ka të pamundur të mbijetojë! Thuhej se: të gjitha rrugët çojnë në Romë.
Po shihet se të gjitha rrugët çojnë rreth formimit të shteteve etnike. Në këtë kontekst pas, eventualisht 20 viteve ajo çka mbetet nga Kosova do të bashkohet me Shqipërinë. Sigurisht, pa veriun që serbëve ua dhanë francezët dhe Marrëveshja e Rambujesë, Vjenës dhe kjo e Brukselit.
Në atë kohë do të mbetemi edhe pa Luginën e Preshevës! Me këtë sigurisht se nuk do të pajtohet kryeministri ynë i lavdishëm, potencialisht fitues i Nobelit! As ata rreth grazhdit të përbashkuar. Pozitë dhe opozitë!
Pak për Nobelin: Në kohën e Azem Bejtë Galicës kishte shkuar njëri si biçim të disa politikanëve tanë grykës me dëshirë ti bashkohet radhëve të Azemit! Kur Azemi e pa se me kend ka punë me atë sharmin drenicar i tha : hajde, a po bëhet më m..t a ?.
Edhe këtu kemi të njejtën situatë. Kur këtë shpërblim e ka marrë Mati Ahtisari pse mos ta marrin treshi nga Brukseli përkatësisht Baronesha, djali i Sllobës dhe kryeministri ynë i lavdishëm.!
A po bëhet më m..t a? Nuk është hera e parë që Nobeli ndahet për motive ekskluzuvisht politike. Sidomos Nobeli për Letërsi dhe Nobeli për Paqe! Po të vlerësohej sakrifica, si kontribues i paqes atëherë do të shpërblehej populli shqiptar në Kosovë manjëherë pas përfundimit të luftës së 1999 së.
Apo me këtë çmim do të shpërblehej Adem Jashari dhe ata që ranë me te duke luftuar për liri, si një parakusht i një paqeje të qëndrueshme! Këta kanë gjasa ta fitojnë shpërblimin Nobel për aq sa unë kam gjasa të jem baba biologjik i Barak Obamës!
Edhe pak fjalë se si mësohet historia: Këtë vit gjatë një qëndrimi në Varshavë më ra të shoh dhjetra e dhjetra autobusë me nxënës dhe studentë të ardhur nga Izraeli. Ata vizitonin të gjitha kampet e përqendrimit ku ishin vrarë dhe zhdukur çifutët gjatë luftës së dytë botërore. Me miliona. Ata mësonin historinë e tyre aty ku është krijuar e tashmja dhe e ardhmja e tyre përmes vuajtjeve dhe sakrifices, deri në flijim!
Ata po e përtërijnë, ruajnë dhe po e forcojnë memorien kombëtare! E ne ?! Çka po ruajmë dhe çfarë historie po mësojmë dhe po bëjmë!
Po të mos ishin disa veteranë të luftës që po vuajnë edhe sot, të zhdukurit që kot po trokasin në ndërgjegjen tonë, disa përmendore politike dhe të merituara të heronjve tanë, disa deputetë ish luftëtarë që po kërkojnë privilegje dhe disa ish të burgosur politikë, politikanë nga lufta që janë treguar amatorë në politikë, as që do të dinim se këtu ka pasur luftë!
Duke ua uruar Vitin e Ri 2014 të gjithë lexuesve që më lexojnë, më kritikojnë dhe më shajnë uroj që të mos jem i saktë në përshkrimet dhe parashikimet e mia. Përveç bashkimit kombëtar. Urime dhe gëzuar! Për një Kosovë tjetër!