Kosova 15 vjet pas çlirimit, pritjet dhe lakmia
Shkruar nga MSc. Besim Gollopeni
Vitet sa vijnë e shkojnë, tranzicioni në vend nuk mbaron..., ndokujt, mbase edhe mund ti konvenoj. Përmes këtij shkrimi do të shtjellojmë temat të cilat mendojmë se janë të rëndësishme për sociologjinë kosovare dhe janë preokupim i shoqërisë në përgjithësi.
Ndër temat më kyçe që do të shtjellojmë janë: pritjet dhe lakmia, mbase pa lënë mënjanë edhe nën tema të cilat ndërlidhen me këto të fundit dhe i ndihmojnë të kuptuarit e temës në mënyrë sa më racionale.
Gjatë shekujve që lamë pas e veçmas shekullin e fundit (XX), shoqëria shqiptare në përgjithësi dhe veçmas ajo nga Kosova, përjetoj gjithçka pra, përjetoj skamje e mjerim, me një arsimim të ultë - ku shkalla e analfabetizmit ishte shumë e lartë, shkalla e mortalitetit gjithashtu shumë e lartë - sidomos te foshnjat, ishim të diskriminuar në investime ekonomike (ndërmarrje), arsim, shëndetësi etj., vetëm pse ishim shqiptar dhe kjo ndodhi deri në vitet e 70, për të filluar më pastaj për të lulëzuar sadopak ekonomia e vendit, hapja e institucionit të parë universitar që ndërlidhet po ashtu me këtë periudhë (vitet 70), dhe zgjerimi i sistemit arsimore në tërë vendin..., por, fati nuk e deshi që ky vend (Kosova) të vazhdoj me zhvillimin social, ekonomik dhe më tej. Ishin vitet e 80 ku edhe filluan kthesat e mëdha, lëvizjet studentore (81), pastaj, rrodhi marrja e autonomisë së vendit (89), për të vazhduar me forma më diskriminuese ndaj popullsisë shqiptare, me largimin e qindra e mira studentëve dhe nxënësve nga bankat shkollore, largimin e punëtorëve shqiptar nga vendet e tyre të punës dhe krejt në fund me përndjekjen e shqiptarëve, burgosjen, ekzekutimet dhe çka jo tjetër të shkaktuara nga okupatori dhe pushtuesit serb - Serbia.
U cenuan të drejtat më elementare të njeriut për një jetë të dinjitetëshme gjë të cilën e garantojnë ligjet dhe konventat ndërkombëtare.
Çfarë ndodhi më pastaj?, ti lëmë mënjanë aspektet e drejtpërdrejta politike, ndodhi një emigracion i rastit të veçantë Sui generis (vitet e 90), gjë që skishte ndodhur më parë në këso përmasash.
Shumë prindër, vëllezër etj., ishin të detyruar të marrin rrugën e kurbetit me të vetmin qëllim sigurimin e mbijetesës familjare, ndihmesën e të afërmeve dhe për ti dal në ndihmë institucioneve paralele që tash më ishin themeluar në Kosovë. Shumë gra mbetën pa burra, pa bijtë dhe më të dashurit e tyre etj.
Emigracioni shqiptarë ra në sytë e Botës ngase, shumë shqiptarë dhanë jetën nëpër kufijtë e shteteve të ndryshme, duke u munduar të gjejnë një vend ku mund të strehohen fillimisht dhe pastaj të sigurojnë një pagë minimale sa për ti dal në ndihmë familjes dhe shoqërisë.
Mediat botërore kanë shkruar për këtë fenomen shqiptar, shumë studiues të fushave të ndryshëm ju qasen këtij fenomeni, ju thuren poezi dhe këngë si p.sh. Kur niset trimi për kurbet, Amerikë larg më je qëllua, Kjo rruga e kurbetit moj Nënë, etj., të cilat edhe sot e kësaj dite po ti dëgjosh të rrëqethin, ngase rruga e kurbetit ishte e rëndë për faktin se ishte jo legale (në të zezën) dhe po e përshkruajmë / përshtatim me një thënie popullore E din kur del nga shtëpia por nuk e din kur kthehesh në të, ngase thënë edhe më lartë ishte rrugë mes jetës dhe vdekjes apo humbjes largimit nga shtëpia për shumë kohë të gjatë apo edhe përgjithmonë.
U tha ajo që u tha më lartë, natyrisht ka edhe shumë të pa thëna por, të ndalemi tek një dukuri pozitive që na kishte dhe ka edhe sot e kësaj dite për lakmi rajoni dhe bota mbarë për atë periudhë pra, për solidaritetin mes popullatës shqiptare brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës para 99 - ës.
Të solidarizuar mes vete përmes ndihmesës, bashkëpunimit dhe bashkëveprimeve ja dolëm si shoqëri karshi kësaj situate të rëndë sociale, ekonomike dhe veçmas tash më politike, tia kthejmë vëmendjen e faktorit ndërkombëtar karshi situatës jo humane që po mbizotëronte në Kosovë.
Kjo e fundit u arrit fal angazhimit të të gjithëve, e veçmas të atyre që fizikisht nuk janë më në mesin tonë (Dëshmorët e Kombit) por edhe përkrahjes së bashkësisë ndërkombëtare pra, pikërisht në vitin 99, ku situata shoqërore e politike në përgjithësi ishte skajshmërish e renduar..., u masakruan fëmijë e të moshuar, ndodhën dhunime e përdhunime, e deri në largimin në masa të dhunshme të rreth 1 (një) milion shqiptarëve nga vendi i tyre, nga forcat e shumta policore dhe paramilitare serbe.
Pa dashur të lëshohemi më në detaje përmes këtij shkrimi, ti referohemi konkretisht temës Pritjet dhe Lakmia para dhe pas 99 ës.
Para kësaj periudhe, po të pyesësh çdo njërin nga qytetarët shqiptar se çfarë jeni në gjendje të bëni për vendin e juaj pas çlirimit dhe pavarësimit të vendit?, e që kjo e fundit ndodhi në vitin 99 respektivisht 2008, jemi të bindur se do të kishim përgjigjen Gjithçka në dobi të vendit.
Për të vërtetuar këtë të fundit, shumë shpesh në opinion para 99 ës kemi rastisur të dëgjojmë do të punojmë me përkushtim të madh për vendin edhe pas pavarësimit, bile edhe më shumë se kaq, në të shumtën e rasteve duke e nxënë në gojë shembullin e mirë të Gjermanisë ku thuhet se rreth 10 vite i tërë populli shprehur bukfalisht; ka ngrënë bukë e lëngë vetëm e vetëm për të forcuar institucionet e vendit - vendin.
Madje, si zakonisht e zinim në gojë shprehjen O bre... veç të kemi lirinë e lëvizjes dhe shprehjes së lirë..., për të tjerat nuk do mërzitemi fare.
Kjo e fundit natyrisht se është fundamentale për çdo shoqëri ku do në Botë, pastaj shkonim edhe më lartë duke e pasuruar këtë shprehjen e fundit vetëm lirinë të kemi se:Për bukë askush nuk vdesë, e shprehje të shumta si këto të fundit.
Të ndalemi paksa tek shprehja O bre.., e cila të jep të nënkuptosh ato pritjet e gjata të të parëve tanë dhe sikur të shfaqen para syve ato rrudhat në ballë të prindërve e gjyshërve tanë, të lodhur nga pritjet, vuajtjet e sipërpërmendura dhe të tjerat.
Pas gjithë asaj që u shtjellua më lartë, pas çlirimit dhe pavarësimit të vendi, çfarë në të vërtet po ndodh?. Rreth 15 (pesëmbëdhjetë vjet) pas çlirimit dhe 6 vjet pas pavarësimit, akoma Kosova llogaritet si një vend në tranzicion në shumë aspekte gjë që, për shoqërinë mbase është shumë i dëmshëm.
I dëmshëm për faktin se pritjet shoqërore karshi situatës sociale dhe ekonomike në përgjithësi ishin shumë herë më të mëdha në njërën anë dhe në anën tjetër ndodhi më e keqja, u thelluan pabarazitë sociale (të cilat mund të sjellin kauza sociale) gjë që, për vendet demokratike apo kapitaliste pabarazitë shoqërore janë krejtësisht normale mirëpo, jo edhe pabarazitë pameritokraci.
Në këtë periudhë bashkëkohore sikur shumë prej nesh, zaptuam majat e pozitave shoqërore në shumicën e rasteve pameritokraci, vetëm e vetëm që tjam unë e mos të është dikush tjetër, duke i shfrytëzuar format klanore, nepotizmin e çka jo tjetër, për përfitime individuale apo grupore gjë të cilën, as që kemi mund ta imagjinojmë kohë më parë (para 99-ës).
Si përfundim, krejt ato pritje të mëdha që kishte shoqëria shqiptare para 99 ës, sikur lakmia e stërtepruar pa meritokraci për pozita shoqërore dhe të tjera, bëri të përmbysen sot, dhe në vend se të dëgjojmë sot lajme të mira për kulturë, arsim, shëndetësi, për vende të reja të punës, për një jetë më të mirë qytetarie etj. në fakt, ndër lajmet kryesore në mediat tona për ne dhe rreth neve, por edhe më gjerë, kemi për të dëgjuar fjalën korrupsion, krim të organizuar, kaos urbanistik, emigrim të të rinjve dhe dukuri tjera negative, për të cilat as që kishim imagjinuar se mund të ndodhin në shoqërinë shqiptare kur kihet parasysh vuajtje e sakrifica nëpër të cilën kishim kaluar.
/Autori është doktorant në Sociologjisë, E-mail: [email protected]/