27 Dhjetor 2024

Kosmopolitanizmi adoleshent në Shqipëri dhe patriotizmi i lokalizuar në Kosovë

Shkruar nga Faton Abdullahu

Për ne në Kosovë është pak e njohur, sidomos për gjeneratat e reja, se në një periudhë të caktuar kohore në Shqipërinë komuniste, sidomos për të rinjtë e këtij shteti të izoluar, t’i dëgjosh këngët e Zdravko Çoliqit, t’i presësh flokët si ai, të vishesh si ai, ka nënkuptuar revoltë djaloshare ndaj aktualitetit të hidhur stalinist, bile ka qenë edhe një lloj disidence kulturore ndaj pushtetit të Enver Hoxhës, ka nënkuptuar një farë shmekerllëku, gjithsesi një kozmopolitanizëm dhe distancim nga mënyra e jetës e nxitur nga Partia e Punës.

Ishte kjo koha kur në Shqipëri, Jugosllavia prouesterne dhe e hapur ndaj vendeve dhe vlerave perëndimore në atë kohë, me sistem politik dhe ekonomik gati kapitaliste, është perceptuar me lakmi dhe jo si vend potencial armiqësor.

Sigurisht që ky këngëtar serb bënte pjesë, por nuk ishte përfaqësues tipik i atij ndikimi për të cilin po flas, i cili ndikim në të vërtetë i plotë vinte nga bota evro-perëndimore me  përfaqësues larg më ekspresiv, si grupet e njohura ‘Beatles’, ‘Roling Stons’, pastaj këngëtarët Adriano Çelentano, Bob Dylan e të tjerë, të gjithë të kualifikuar si ‘botë dekadente’ e ‘kulturës revizioniste kapitaliste’.

Nëse ne në Kosovë nuk e kuptojmë drejtë këtë fenomen, nuk mund ta shpjegojmë gjithanshëm atë që po ndodhë me Zdravko Çoliqin në Tiranë konkretisht në TV Klan, atë që ndodhi me Goran Bregoviçin dhe shpalljen e tij qytetar nderi nga Edi Rama apo me dëgjimin e muzikës serbe gjithandej ne plazhet e Shqipërisë edhe kur janë përplot me pushues nga Kosova.

Të kesh njohuri për këto grupe e për këta këngëtar,  të dëshmosh se i ke dëgjuar ata qysh herët, në Shqipëri do të thotë të dëshmosh se prirja e jote properëndiomore është e hershme dhe se disidenca e jote ka ngjizur shume herët. Kjo kulturë është ende aktive në Shqipëri mbase e determinuar nga vonesa.

Të gjithë e dimë se uesternizmi i Shqipërisë ishte gjithsesi i vonshëm, ishte ndryshe edhe nga shtetet tjera të kampit komunist, sepse thjesht Shqipëria ishte larg më shumë e më gjatë e izoluar, prandaj aty lindën defekte më vështirë të riparueshme, u prodhuan edhe raporte jo kollaj të shpjegueshme dhe vështirë të kuptueshme, sidomos për shqiptarët e Kosovës.

Thënë ndryshe për një pjesë të shqiptarëve të Shqipërisë, intelektual, pushtetar, media, etj., gjakimi për t’u paraqitur pinjoll të kozmopolitanizmit e uesternizmit, gara për t’u paraqitur se kush më parë ishte pro-uestern dhe kush është më shumë “open minde” (mendje hapur) duket se e eklipson deri në injorim të plotë faktin se kjo qasje në një segment të saj (në raport me fqinjët sllav) i irriton deri në zhgënjim shqiptarët e Kosovës të cilët krimet dhe ofendimet e fqinjëve të tyre nga lufta e fundit i kanë akoma shumë të freskëta.

Por a është shpjegimi i mësipërm i këtij fenomeni i mjaftueshëm për ta arsyetuar këtë ekstra ngrohtësi dhe ekstra mikpritje nga Shqipëria edhe për gjëra të tilla që vijnë nga Serbia? Natyrisht për shqiptarët e Kosovës nuk është as edhe pjesërisht.

Në anën tjetër a kemi të drejtë ne në Kosovë kur këtë lloj kosmopolitanizmi të Shqipërisë, (e cila dorën në zemër e izoluar vuajti shumë në kohën që shumë prej nesh donim të besonim me çdo kusht se po lulëzonte) e kuptojmë si antishqiptarizëm, si tradhti dhe vetëdije dekadente?

Mos është ky patriotizëm yni i tepruar sepse megjithatë vjen nga njerëzit e një vend shumë specifik, siç është Kosova, me shumë gjëra të vonuar dhe vlera të tjera universale të eklipsuara nga mbyllja në vete e cila deri dje e kishte të madhe drojën nga asgjësimi dhe sot ka paranojë impulsive nga tradhtia.

Por megjithëkëto Kosova ishte vend ku të qenët patriot i vërtetë ka qenë e domosdoshme, detyrë, mision. A kuptohet kjo drejtë në Shqipëri?

 A kuptohet se të qenët atdhetar në Kosovë, të qenët kundër fqinjëve sllav, të angazhuarit për afirmim nacional, ka qen pragmatizëm ekzistencial dhe premisë kruciale për të ecur vertikalisht.

Nëse këtë nuk e kuptojnë drejtë në Shqipëri do të na keqkuptojnë gjithnjë kur ne reagojmë kështu si reaguam së fundi.

Por a e kuptojmë edhe ne në Kosovë drejtë nënkuptimin e veprimeve tona aktuale, kur me këto negociata të pandalshme me Serbinë, po krijojmë përshtypjen se kemi falur dhe jemi pajtuar me serbët, kur me deklarime dhe vlerësime ndaj të kaluarës sonë, po e gënjejmë edhe vetveten e lëre më shqiptarët në Shqipëri.

A po e kuptojmë ne në Kosovë drejtë atë që e dinë edhe shqiptarët në Shqipëri se, me patriotizëm fallco në Kosovë është bërë dhe vazhdon të bëhet pandalshëm edhe biznes me çka janë nxjerr edhe përfitime të mëdha jo meritore.

Prej nga pra këto keqkuptime kulturore ndërmjet shqiptarëve Shqipëri - Kosovë edhe pas kaq vitesh shpërbërjeje të asaj që na ndante? Prej nga kjo qasja kaq e ndryshme, ky identitet kaq jo i ngjashëm?

Thjesht ne vazhdojmë të mos e njohim njëri tjetrin sa e si duhet. Për më keq vazhdojmë të mos punojmë sa duhet në këtë drejtim për të bërë riparimin e dëmeve të mëdha që na janë bërë sidomos për gjysmë shekulli.

Këtë punë nuk po e bëjnë si duhet në Shqipëri pos tjerash edhe pse kosmopolitanizmi vazhdon të jetë jo sa duhet përmbajtjesor, shpesh adoleshent, për më keq, pa prirjen për të pasur konsiderata ndaj gjysmës tjetër përtej kufiri.

 Këtë punë nuk po e bëjnë në Kosovë pos tjerash edhe pse patriotizmi këtu gjithnjë e më shumë është lokalist i cili ‘më së miri’ bëhet kur bëhet për përfitime interne në Kosovë pa synime që të kuptohet edhe jashtë kufijve të ri shtetëror kufijë të cilët pushtetarët e sotëm po i bëjnë gjithnjë e më të trashë për t’i kapërcyer. 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)