Kopjuesit janë viktima të sistemit të dështuar të arsimit
Nga Bilall Sherifi - Sekretar i NISMA për Kosovën
Dje në një shkollë të Gjilanit mbikëqyrësit e Ministrisë së Arsimit të Kosovës gjatë mbajtjes së pjesës së dytë të testit të maturës e \"kapën\" një vajzë duke kopjuar! Dhe, kur e \"kapën\" nuk nguruan ta përjashtojnë menjëherë nga testi dhe ta nxjerrin nga objekti i shkollës.
Duke vepruar në atë mënyrë me të, ata e shndëruan vajzën në një shembull përmes të cilit donin të dëshmojnë se Ministria e Arsimit si organizatore është e aftë dhe e vendosur që të kapë dhe të ndëshkojë të gjithë \"mashtruesit\" të cilët po i hedhin hije të zezë këtij procesi, sipas tyre, të organizuar mirë dhe shumë të suksesshëm!
Duke u kujdesur që në publik të prezantojë \"fakte\" për kapjen e disa \"kopjuesve\" në të gjitha komunat e Kosovës, ministria përpiqet të mashtrojë publikun se gjoja sistemi funksionon, i cili është aq funksional saqë është në gjendje që edhe ata pak \"nxënës mashtrues\" në Kosovë ti kapë dhe ti ndëshkojë!
Çfarë tallje e pashembullt dhe e padurueshme me publikun në tërësi!!!
Njoftimet e djeshme të mediave nga tereni thonë se kopjimi nuk ishte sporadik por i përhapur në masë bukur të madhe. Kur lexon këto njoftime del se i tërë procesi është një dështim i rradhës i sistemit të arsimit në tërësi dhe një mashtrim i madh i Ministrisë së Arsimit në veçanti, të cilin në vend se ajo ta pranojë si të tillë, po përpiqet ta fsheh duke iu bërë linçim publik atyre që i ka kapur duke kopjuar, të cilët për mendimin tim, jo vetëm që nuk janë mashtrues por janë viktima të sistemit të ngritur nga mashtruesit e qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Arsimit.
Madje, jo vetëm nga kjo e tashmja por nga të gjitha Ministritë e Arsimit të të gjitha qeverive të deritashme të Kosovës.
Mirëpo, jam shumë i bindur se, duke i kapur disa \"mashtrues\" të vegjël nëpër shkollat e vendit, Ministria e Arsimit nuk do të mund ta fsheh mashtrimin e Madh që po mundohet tia bëjë tërë shoqërisë, me pretendimet se gjoja ky sistem i testimeve e bën vlerësimin objektiv të njohurive të nxënësve.
Konsideroj se është koha e fundit që të fillojmë të angazhohemi për ta shëruar sistemin e ngritur nga ministria që infekton nxënësit dhe tërë procesin e edukimit.
--