Konspiracioni i sëmurë i Lutfi Hazirit & Co
Shkruar nga Bilall Sherifi
Në e misionin debat në RTK mbrëmë Lutfi Haziri me bindje të plotë konstatoi se arsyeja e rezistencës së opozitës nuk është as Asociacioni dhe as me Demarkacioni por Gjykata Speciale.
Nëse e marrim si të vërtetë hipotezën e Lutfi Hazirit&Co, se arsyeja e këtij \"rebelimi të opozitës\" nuk qenka as Asociacioni dhe as demarkacioni por asgjë më pak se vet Gjykata Speciale, atëherë del se ky duhet të jetë konspiracioni më i madh në historinë e konspiracioneve. Madje, i denjë për librin e Ginisit. (Guinness)
Tani do të përpiqem të shpjegoj dhe të argumentoj këtë konstatim timin.
Është fakt publik se, Gjykata Speciale për objekt trajtimi do të ketë luftën e UÇK-së dhe rrjedhimisht edhe njerëzit që e kanë udhëhequr atë.
Ende nuk e dimë se kush do të jenë ata që do të akuzohen nga kjo gjykatë, por bazuar në raportin e Dik Martyt bëhet fjalë për figura të larta të UÇK-së.
Nëse nisemi nga hipoteza e teorisë së konspiracionit të Lutës&Co del se kryetari i PDK-së Hashim Thaçi qëndron prapa këtij rebelimi të opozitës. Besa, kjo teori të bën të besosh se edhe VLAN-in e bëri dhe e prishi po ai.
Pra, sipas kësaj logjike Hashim Thaçi si njëri nga të përfolurit e Dik Martyt ka arritur të manipulojë të gjithë, duke filluar nga kundërshtari i tij i përhershëm politik Albin Kurti, si dhe Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj etj.
Pra, Gjithnjë sipas këtij konspiracioni, Hashimi, Albini, Ramushi, Fatmiri, janë marrë vesh që Hashimi dhe PDK të bëjë koalicion me LDK-në. Pastaj ta miratojnë Gjykatën Speciale ama jo në votim të parë por në votim të dytë. Dhe, pas kësaj, Hashimi me Isën të shkojnë në Bruksel, të nënshkruajnë marrëveshjen për zajednicën me Serbinë dhe me Malin e Zi për demarkacionin. Sipas planit të kësaj KATËRSHE, nga ky moment, këta tre, Albini, Ramushi dhe Fatmiri duhet të fillojnë \"kryengritjen\", së pari në parlament e pastaj edhe në rrugë.
Sipas këtij plani në të cilin Hashimi sërish po del \"drejtor politik\" këta tre komandantë për të ndalur Gjykatën Speciale duhet të paguajnë një çmim, atyre duhet burgosur njerëzit e tyre, besa Albini personalisht duhet të arrestohet, duhet demoluar selinë e Lëvizjes së tij. Tërë kjo për të kamufluar projektin e madh Konspirativ për të zhbërë Gjykatën Speciale.
Pra, në vend se që në fillim të bëhet një koalicion PDK-VV- AAK - NISMA dhe fare as të mos themelohet Gjykata speciale dhe as të mos bëhen këto dy marrëveshje, kjo Katërshe zgjodhi rrugën e tërthortë. Athu pse? Apo ndoshta kështu deshi \"drejtori politik\" që të mos merret vesh që ai qëndron prapa këtij plani. Çfar shkalle të lartë të sakrificës kanë treguar Albini, Ramushi dhe Fatmiri. Hoqën dorë nga pushteti me Hashimin, duke pranuar madje edhe të persekutohen. Tërë këtë e bënë për të fshehur rolin drejtues në këtë konspiracion të \"udhëheqësit të tyre legjendar të luftës dhe të pas luftës\"
O njerëz të mjerë, a kaq pak e vlerësoni këtë popull saqë mendoni se me dokrra të tilla konspirative do ta bindni popullin se Gjykata Speciale qenka arsyeja e rezistencës së opozitës dhe jo marrëveshjet e dëmshme?
Po të mos ishin këto marrëveshje shumë të dëmshme për vendin, do të ndjeja keqardhje për imagjinatën e sëmurë të këtyre njerëzve. Por, meqë këto marrëveshje janë shumë të dëmshme, duke përfshi edhe gjykatën Speciale, jo vetëm që nuk ndjej keqardhje për të tillët por pos përbuzjes nuk mund të ndjej asgjë tjetër.