Konfrontimet mediale, kryeministër - opozitë
Shkruar nga Nga Jakup Krasniqi
Kryeministër, pa hyrë në shtjellimet sesi keni ardhur në krye të qeverisë, ju duhet ta dini se keni marrë një përgjegjësi të madhe për të qeverisur me vendin për te gjithë qytetarët, edhe për ata që nuk ua kanë dhënë votën, në Kuvend apo jashtë tij.
Kryeministër, Ju e keni për detyrë, qeverisjen e vendit me paranë publike, ndërsa opozita i ka fjalët, për tju shtyrë juve për të qeverisur sa më mirë me vendin.
Mos pretendo kot, tua mbyllesh gojën opozitës. Tentimi për tia mbyllë gojën opozitës, nuk është demokraci, është autokraci, tirani a despotizëm.
Nëse doni ta ushtroni me kompetencë e përgjegjësi detyrën tuaj, po ua jap një këshillë: Lëne fb, leni fotografimin para kamerave dhe improvizimet tjera, përvishu punës për të qeverisur vendin.
A nuk po e shihni se për një kohë të gjatë në heshtje ka ikur truri i Kosovës, tani po ikën fuqia punëtore dhe bizneset?! A keni ndonjë plan për ti ndal këto trende negative?!
Kryeministër, vendi nuk qeveriset duke akuzuar opozitën, për pazotësinë tuaj për të marrë vendime të rëndësishme për vendin.
Përvishu punës dhe komuniko si njeri e intelektual me opozitën dhe qytetarët! Trego se ke filluar ta mësosh abc-ën e demokracisë?! Shkëputu njëherë e mirë nga mentaliteti qeverisës i Babo Çemos.