Konfliktet ndëretnike në Ballkan, sfidë për BE-në
Shkruar nga Hilmi Gashi
Ndonëse në të gjitha vendet e Ballkanit, shteti Maqedonas mbetet sot më i prekuri në vazhdën e konflikteve ndëretnike në mes dy etniteteve më të mëdha, atë të shqiptarëve dhe maqedonasve.
Tashmë ky konflikt ka marrë kahen në drejtim të konflikteve religjioze, megjithëse një lloj stereotipi e paragjykimi i tillë në Ballkan nuk ka qenë i theksuar në shekujt e kaluar në këtë masë në të cilën është sot.
Me aderimin e Kroacisë në Evropën e Bashkuar kufiri i jashtëm evropian i afrohet zonave tradicionale të krizës në Ballkan. Për fatin e keq të historisë, ballkanasit gjenden në një fazë më të vonshme historike, krahasuar me pjesën tjetër evropiane.
Megjithatë, popujt ballkanik nuk janë të vetmit fajtorë për këtë ngecje të qytetërimit evropian në Ballkan, meqë ata që i determinojnë ecjet e zhvillimit historik janë faktorët e jashtëm, të cilët e ngadalësuan zhvillimin shoqëror prej kohësh dhe nxitën kundërthënie ndëretnike në këtë rajon evropian.
Ballkani Perëndimor është sfida më e madhe të cilën duhet ta tejkalojë Evropa e Bashkuar. Kundërthëniet ndëretnike dhe ndër-religjioze ballkanike në vazhdimësi prodhojnë kriza, të cilat riciklohen kohë pas kohe.
Breza të tërë në Ballkan u frymëzuan në favor të njërës apo tjetrës fuqi të madhe, të njërës apo tjetrës ideologji, të njërit apo tjetrit besim.
Kjo hapësirë ende ballafaqohet me probleme të mëdha rreth ndërtimit të shteteve, tejkalimin e konflikteve etnike, territoriale, etj. E tërë kjo e bën shumë të paqëndrueshëm Ballkanin.
Ndonëse në të gjitha vendet e Ballkanit, shteti Maqedonas mbetet sot më i prekuri në vazhdën e konflikteve ndëretnike në mes dy etniteteve më të mëdha, atë të shqiptarëve dhe maqedonasve.
Tashmë ky konflikt ka marrë kahen në drejtim të konflikteve religjioze, megjithëse një lloj stereotipi e paragjykimi i tillë në Ballkan nuk ka qenë i theksuar në shekujt e kaluar në këtë masë në të cilën është sot.
Xhamitë dhe kishat, ithtarët e Islamit dhe krishterimit kanë bashkëjetuar pranë njëra-tjetrës me një tolerancë të thellë, model për historinë e religjionit.
Luftërat e zhvilluara në Ballkan kanë lënë pasoja të mëdha tek njerëzit, krijuan armiqësi të mëdha në mes etnive, ku ende sot sfidohet shërimi i plagëve të luftës dhe ndërtimi i raporteve të mira fqinjësore.
Maqedonia, duke qenë rasti më i ndjeshëm në këtë kontekst, duhet ta ndryshoj qasjen e saj ndaj etnitetit shqiptar dhe duhet kapërcyer filozofinë që tashmë e ka të orientuar vetëm në një politikë dominuese.
Bashkimi Evropian duhet ta intensifikoj përpjekjen dhe angazhimin e saj politik për tejkalimin e kësaj gjendjeje dhe ta vej në binar thellimin e tolerancës fetare, kombëtare dhe politike, duke bërë kështu të mundur bashkëjetesën e të dy etniteteve me ndryshimin e koncepteve ndaj njëra-tjetrës.
Të gjitha shtetet demokratike kanë modele të organizimit, për ti shmangur dhe minimizuar përplasjet ndëretnike.
Vërehet se sot thuajse të gjitha vendet e Ballkanit, ndonëse diku në një shkallë më pak të theksuar e diku më shumë, kanë nevojë për një reformim në avancimin dhe respektimin e të drejtave të pakicave sipas standardeve evropiane dhe për një edukim me koncepte kozmopolite, meqë ende janë të ngarkuara me koncepte ego-centriste e etno-nacionaliste që kanë mbetur nga e kaluara e tyre.
Konfliktet e tilla në Ballkan mbesin sfidë për BE-në dhe vet të ardhmen e tyre drejtë këtij unioni, ndaj detyrë e saj është të punohet me institucionet e qeverive të vendeve të rajonit dhe ti orientoj ata në drejtim të multi-kulturalizimit, kozmopolitizmit dhe modernizimit.