Konfiskimi shtetëror i ndërmarrjeve private në Gjakovë
Shkruar nga Isa Mulaj
Mos kërkoni drejtësi duke lëshuar pê; Mos lëshoni pê kur keni të drejtë Johann Wolfgang Goethe.
Termi privatizim ishte i njohur si praktikë dhe përvojë në Gjakovë një dekadë më herët se kur Misioni i Përkohshëm i Administratës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ish-Departamenti i Tregtisë dhe Industrisë (DTI) filluan të diskutojnë për të si koncept dhe model i transformimit pronësor. Atë çka nuk mundi regjimi i Millosheviqit ta kthej krejtësisht mbrapsht që kishte ndodhur në Gjakovë, duket se po synon ta bëjë Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM).
Për të mos u thelluar në historinë e kontestit ndërmjet AKP-së dhe ndërmarrjeve nga Gjakova, për shkak se për këtë do të përgatisim edhe një analizë më të hollësishme, pavarësisht se edhe ato paraprake në bazë të fakteve gjithmonë shpijnë te të njëjtat rezultate, qëllimi i këtij artikulli është të bëjë një vlerësim kritik rreth mosmarrëveshjeve më të reja ndërmjet AKP-së dhe Shoqërive Aksionare (Sh.A,) nga Gjakova.
Ish-DTI ishte në dijeni për procesin që kishte ndodh në Gjakovë, e më vonë këtë e konstatoj edhe AKM-ja. Prandaj, në Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2002/12 Mbi Themelimin e AKM-së, të datës 13.06.2002, e nënshkruar nga ish-kryeadministratori i Kosovës, Michael Steiner, dispozitat e Nenit 5.3 dhe Nenit 5.4 e kishin paraparë rastin e Sh.A. nga Gjakova si të veçantë; ato duhej të regjistroheshin si të tilla. Dispozitave në rregullore i kanë paraprirë verifikimet në terren nga zyrtarët e huaj të DTI-së dhe AKM-së si Allen Shinn, Tim ONeil, Andy Bearpark, Jasper Dick, e të tjerë. Po të njëjtin konstatim për Sh.A. të Gjakovës e njohin edhe dispozitat e Nenit 5.4. të Rregullores së ndryshuar Mbi Themelimin e AKM-së nr. 2005/18, të datës 12.04.2005, të nënshkruar nga ish-kryeadministratori i Kosovës, Soren Jesen Petersen. Urdhëresa Administrative e UNMIK-ut nr. 2002/22 Mbi Zbatimin e Rregullores nr. 2001/6 për Shoqëritë Tregtare, e datës 11.10.2002, në Nenin 42, autorizon regjistrimin e ndërmarrjeve shoqërore nëse janë transformuar në shoqëri aksionare, sikur këto të Gjakovës, ashtu siç i ka njohur ndonjë gjykatë kompetente në Kosovë. Edhe Shoqata e Juristëve të Kosovës në mendimin e saj me shkrim më 22.11.2002 ka ardhur në përfundim se privatizimi në rajonin e Gjakovës është bërë në përputhje të plotë me ligjin. Edhe unë e kam vërtetuar këtë me qasje në dokumente autentike gjithkah nëpër ndërmarrjet e Gjakovës, por edhe në burimet e pavarura jashtë saj. Nuk ka mbetur kush i interesuar ta vërtetoj këtë. Edhe ju mund ta vërtetoni kur të doni. Kujdes: Duhet të bazoheni në fakte, jo në thashetheme dhe supozime të disave siç do ti vëreni më poshtë.
Të vetmit që atëherë dhe tani, deklaruan qorrazi se privatizimi në Gjakovë ka qenë fiktiv, janë disa shqiptarë të ish-DTI-së, ish-AKM-së, dhe tani të AKP-së. Kanë qenë, janë dhe mbeten njerëzit e tillë në Kosovë që i jepin shkas, deri-diku të arsyeshëm, disa politikanëve të Serbisë, përfshirë edhe kryetarin e saj, Boris Tadiq, të deklarojnë se Kosova është lana drava (shtet i rrejshëm). Fatkeqësisht, shumë njerëz që e përfaqësojnë shtetin e Kosovës e kanë të pamundur të flasin ose shkruajnë normalisht pa gënjyer qëllimisht. Mos reagimi ndaj rrenave të kulluara është arsyetim i mirë jo vetëm i Serbisë por edhe shteteve tjera të na etiketojnë si shtet i rrejshëm, shoqëri e rrejshme, njerëz të rrejshëm, e kështu me radhë. Në vijim po sjellim disa fakte se si gënjejnë qëllimshëm ish-AKM-ja dhe AKP-ja.
AKP në bazë të gënjeshtrave dhe sajimeve kundër Sh.A. të Gjakovës
Me datën 13.07.2007, AKM-ja në përbërje nga: Ahmet Shala zëvendësdrejtor, Kirk Adams udhëheqës i departamentit të privatizimit, dhe Teki Shehu nga departamenti ligjor, i drejtojnë Sh.A. në Gjakovë një letër propozimi të nënshkruar për zgjidhjen e statusit të Ndërmarrjeve të Gjakovës. Letra përmban katër rekomandime. Do ti citojmë secilën prej tyre, jo për informim, por me tepër qe të kuptohet propozimi të pa bazë ligjore.
Rekomandimi i parë: Të shitet në tender të hapur pjesa e kapitalit (aksioneve) shoqëror të mbetur, në të gjitha rastet ku kjo nuk e kalon 50% e totalit të kapitalit të ndërmarrjes.
Ky rekomandim drejtohet pa e bërë inspektimin e gjendjes. Këtë e dinte edhe AKM-ja kur u nis me supozimin se ku kjo nuk e kalon 50%. Po ta kishin vërtetuar gjendjen në terren, do ti dërgonin njoftime secilës ndërmarrje dhe të shënonin përqindjen përkatëse. Rekomandimi i tillë nuk mund ti dërgohet asnjë ndërmarrje në Gjakovë që e ka filluar transformimin pronësor dhe privatizimin me ligjet e ish-Jugosllavisë, respektivisht Ante Markoviqit. Meqenëse të gjitha rregulloret dhe ligjet e Kosovës pas 1999, i nënshtrohen Ligjit në Fuqi, atëherë Ligji i Markoviqit është jo më pak se 100% në fuqi të plotë. Rregulloret e AKP-së (por edhe supozimet e saj) dhe ligjet e Kuvendit të Kosovës, nuk janë mbi Ligjin në Fuqi, por është e kundërta.
Rekomandimi i dytë: Të gjitha obligimet paraprake mbesin në Ndërmarrjen, ndërsa prej të ardhurave nga shitja e aksioneve/kapitalit shoqëror/, punëtorëve ju ndahet shuma prej 20%, konform Rregullores 2003/13.
Në rastin e Sh.A. nga Gjakova, punëtorët nuk kanë pse të mendojnë për 20% të mjeteve nga shitja e ndërmarrjeve, dhe të sorollaten ditë e natë me Odën e Veçantë e cila për vite të tëra nuk ua ka paguar shumicës së punëtorëve të ndërmarrjeve tjera shoqërore të privatizuara këtë far 20%. Punëtorëve të Sh.A. nga Gjakova u ka takuar, dhe këtë të drejtë e kanë realizuar qysh në fillim të viteve 1990-ta në përputhje me ligjet e atëhershme që sot janë në fuqi, hiq më pak se 30% të kapitalit shoqëror si zbritje fillestare, e cila zbritje rritej me nga 1% për çdo vit përvojë pune (stazh) në ndërmarrjen përkatëse. Po të ishit ju në pozitën e tyre, si do të kishit vepruar? Ta realizoni të drejtën 30%+1% ndaj kapitalit shoqëror, dhe atë automatikisht, apo të prisni deri sa AKP-ja ta shes ndërmarrjen me çmime edhe absurde nëpërmjet kurdisjes së ofertave, spijunazhit, jo-transparencës, korrupsionit, reketit dhe diskriminimit, dhe në fund të kërkoni vetëm 20% me vite të tëra nga Oda e Veçantë? A më mirë do ta bënit ju shitjen e kapitalit 30%+1%, apo AKP-ja si të dojë vetë dhe në fund tiu thotë se 20% e kërkoni nga dikush tjetër, edhe pse unë e shita ndërmarrjen tuaj me atë çmim që ma tha rradakja (ose dikush që deshi ta blejë dhe unë desha tia shes vetëm atij)?
Rekomandimi i tretë: Si kusht për zbatimin e këtij opsioni duhet që paraprakisht të përcaktohet se Transformimi i Ndërmarrjes është bërë në bazë të ligjeve të aplikueshme, se nuk është bërë në mënyrë diskriminuese dhe jo në kundërshtim me Konventën Europiane mbi të Drejtat e Njeriut.
Kjo është punë e kryer. Ligjet e Markoviqit kanë qenë të standardeve botërore dhe ato i kanë përkrahur institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ato janë 100% të zbatueshme edhe sot në Kosovë në bazë të Ligjit në Fuqi. Të vetmet ligje diskriminuese rreth privatizimit të pronës shoqërore dhe publike në Kosovë në kundërshtim me Konventën Europiane mbi të Drejtat e Njeriut, janë ligjet e Milloshviqit, AKP-së dhe të Kuvendit të Kosovës.
Rekomandimi i katërt (i fundit): Në rastet kur transformimi është bërë më pak se 50%, ndërmarrja do të shitet konform procedurave standarde të AKM-së (spin-off-it).
Ky rekomandim ndërlidhet me supozimin e AKM-së në rekomandimin e parë, ndonëse është pak më domethënës meqenëse zbulon jo-kompetencën e AKM-istëve, të cilët nuk e kuptojnë dallimin ndërmjet transformimit pronësor dhe privatizimit. Edhe pse në shumë raste mund të identifikohen si sinonime shkaku i ndërlidhjes së njërit me tjetrin në proces, transformimi pronësor dhe privatizimi janë koncepte, dukuri dhe realitete krejtësisht të ndara. Transformimi pronësor mund të bëhet duke i shndërruar ndërmarrjet private në shtetërore (sikur në komunizëm), shoqërore (sikur në ish-Jugosllavinë e Shokut Tito dhe tani në Kosovë nga AKP-ja në rastin e Gajkovës), publike, të përziera, dhe në formë të kombinuar nga njëra pronësi në tjetrën. Nëse bëhet transformimi pronësor nga të gjitha këto lloje në pronë private, atëherë kemi të bëjmë me privatizim. Sa i përket transformimit, të gjitha ndërmarrjet në Gjakovë e kanë bërë këtë, por disa ende nuk i kanë paguar aksionet. Kompletimi i privatizimit në Gjakovë mund të bëhet edhe sot sipas Ligjit të Markoviqit, sepse një gjë të tillë e obligon Ligji në Fuqi, e jo ligjet e rregulloret diskriminuese të AKP-së dhe Kuvendit të Kosovës.
AKP-ja sofistikon gënjeshtrat
Me datën 21.04.2010, në gazetën e përditshme të Kosovës Kosova Sot, në faqe 47, AKP-ja boton një shpallje me të cilën vendos të bëjë shitjen e këtyre ndërmarrjeve Holding dhe njësive të tyre nga Gjakova: Deva (5 Sh.A.), Jatex (7 Sh.A.), dhe Emin Duraku (9 Sh.A.). AKP-ja në shpalljen e saj thotë se vendimin e tillë e bazon në kompetencën e saj sipas Nenit 5.1 (a) të Ligjit nr. 03/L-067 për AKP-në, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 21.05.2008. Çka thotë Neni 5.1 (a)?
Agjencia është e autorizuar që të administrojë: (i) ndërmarrjet në pronësi shoqërore, pavarësisht nëse i janë nënshtruar transformimit apo jo.
Ky paragraf përjashton ndërmarrjet e Gjakovës meqenëse ato i janë nënshtruar jo vetëm transformimit, por edhe privatizimit. Po ashtu, AKP-ja nuk ka të drejtë të ndërhyjë në asnjë ndërmarrje të Gjakovës, qoftë edhe në ato të cilat vetëm e kanë sjellë vendimin formal për transformim pronësor dhe privatizim, janë regjistruar pranë gjykatës kompetente, dhe nuk kanë mundur të vazhdojnë dhe përfundojnë procesin e nisur. Arsyetimi nuk gjendet vetëm në Ligjin në Fuqi të cilit AKP-ja i referohet shpesh dhe e cilëson atë si gur themel dhe kulm, por edhe në vetë Ligjin për AKP-në, dhe hiq më larg se po aty te Neni 5.1. në paragrafin (b) i cili thotë: nëse një rregullore ose ligj i shpallur nga një autoritet publik në Kosovë pas 10 Qershorit 1999 i cakton përgjegjësinë për administrimin e aseteve të përcaktuara në nenin 5.1(a)(ii) një organi tjetër publik, , Agjencia nuk do të ketë autoritet mbi këto ndërmarrje duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të atij ligji ose rregullore. Cilat janë rregulloret pas 10 qershorit 1999 rreth privatizimit? Rregullorja nr. 2002/12, Urdhëresa Administrative nr. 2002/22, Rregullorja nr. 2005/18, dhe disa tjera me ndikime të tërthorta, si p.sh. Rregullorja nr. 2001/6 Mbi Shoqëritë Tregtare. Pra, Ligji për AKP-në e specifikon qartë se nuk ka të drejtë ndaj Sh.A. në Gjakovë, statusin e të cilave e kanë njohur rregulloret e miratuara pas 10 qershorit 1999. Edhe diçka për Nenin 5.1 (a)(ii) të cilin e cituam në origjinal ashtu si e ka miratuar Kuvendi i Kosovës. A i vëreni gabimet drejtshkrimore në të, si: 10 Qershor (shkruhet 10 qershor), publik, , Agjencia (mungesë elementare e shenjave të pikësimit), mandej përkthimi tekstual (bukval) i aseteve, autoritet publik, do të ketë autoritet? Mos të hyjmë në përmbajtjen më të hollësishme të Ligjit për AKP-në se na duhen dhjetëra faqe komente për gabimet që i përmban. Unë vë bast me secilin prej jush pa kurrfarë supozimi por me fakte, se Kuvendi i Kosovës nuk e ka përgatitur asnjë fjalë të këtij Ligji. I tëri është i përkthyer nga gjuha angleze fund e krye, dhe atë jo si duhet. Unë po ashtu vë bast se gjithë ata akademikë në Kuvendin e Kosovës, nuk e kanë lexuar fare këtë Ligj.
Më tutje, lexoni më vëmendje këtë formulim të AKP-së në shpalljen e gazetës: Agjencia ka të drejtë të supozoj që Transformimi nuk i përmbush të gjitha kushtet e cekura në paragrafin (a) më sipër, përveç nëse Agjencia ka të gatshme në dispozicion prova bindëse të cilat vërtetojnë se transformimi i përmbush këto kushte.
Kështu thuhet edhe në Nenin 5.3 (b) të Ligjit për AKP-në. Pyetja është: Në cilin shtet të botës keni hasur ligje që i jep dikujt të drejtën e supozimit dhe në bazë të tij ose pjellës së imagjinatës të merren vendime? Shpallja e AKP-së vazhdon: Pas shqyrtimit të dëshmive dhe dokumentacionit në dispozicion, Bordi i AKP-së në mbledhjen e mbajtur më 29 prill 2010 vendos që: Ndërmarrjet e poshtëshënuara [ato tri nga Gjakova që i cekëm më lartë] dhe asetet e tyre janë 100% pronë shoqërore. Çka ka dashur të thotë Bordi i AKP-së? Se në bazë të supozimit, dhe pas shqyrtimit të dokumentacionit të supozuar në dispozicion, erdhi në përfundim se pasuria ose kapitali (të cilën përkthyesit e AKP-së e quajnë asete) qenkan 100% pronë shoqërore. Çka u bë me të gjitha ato dëshmi të Allen Shinn-it, Tim ONeil-it, Andy Bearpark-ut, Jasper Dick-ut, Michael Steiner-it, Soren Jesen Petersenit, AKM-së, dhe të vetë Sh.A. nga Gjakova? Cilave dëshmi dhe dokumentacion në dispozicion i referohet AKP-ja, kur edhe vetë thotë se ka të drejtë të marrë vendime në bazë të supozimeve? Romakët e vjetër qysh në atë kohë e kanë ditur banalitetin e supozimit në raport me realitetin kur kanë thënë: et supositio nil ponit in esse, që në shqip do të thotë: supozimi nuk vë asgjë në ekzistencë. Derisa kuptimi i realitetit në bazë të supozimeve ka qenë i papranueshëm tek romakët e vjetër para 2000 viteve, dikush në Kosovë po mundohet ta zbatoj këtë dukuri të pakripë në shekullin 21.
Ndërmarrjet që i përmend AKP-ja konfirmojnë se kjo Agjenci nuk ka bërë kurrfarë auditimi (revizioni) të tyre, madje edhe refuzon ta bëjë një gjë tillë në bazë të dëshmive ligjore dhe faktike. Një lloj auditimi të Sh.A., pos shumë subjekteve juridike dhe fizike, na ka rënë hise ta bëjmë edhe ne dhe mua personalisht. Në bazë të dëshmive që i kemi gjetur, dhe të cilat i kemi bërë publike, themi me bindje 100% (shifër e pëlqyer nga AKP-ja) dhe pa kurrfarë supozimi, se AKP-ja po rren. Nëse edhe ju doni ta vërtetoni se AKP-ja në rastin e Sh.A. nga Gjakova po rren, duhet të shkoni vetë atje dhe ti shqyrtoni vetë dëshmitë, të cilat mund të gjenden edhe nga burimet tjera (për shembull, ndonjë aksionar serb që ka punuar në Gjakovë, dhe tani nuk gjendet në Kosovë).
AKP-ja ua ka njohur vetëm dy ndërmarrjeve transformimin pronësor dhe privatizimin në Gjakovë: HC Dukagjini, dhe Sh.A. Elektromotori. Kisha bindjen se këto qenkan çliruar nga AKP-ja. Nëse dikush nuk do të pajtohej me transformimin pronësor të tri Sh.A. Holding të cilat AKP-ja i ka shpallë 100% pronë shoqërore, atëherë nuk mund të jemi unë, ti, ose kushdo qoftë që të flas në favor të AKP-së dhe kundër atyre ndërmarrjeve, por Dukagjini dhe Elektromotori. Këto e kishin kaluar ujin dhe kishin të drejtë ta vrasin kalin, sepse u konvenon. Arrita të takoj udhëheqësinë më të lartë të Dukagjinit, dhe i pyeta për tri ndërmarrjet e shpallura shoqërore nga AKP-ja. Ata më thanë se është shumë e pandershme dhe ilegale të deklarohemi në favor të pavërtetës, sepse, me të njëjtin ligj, procedurë, kohë, institucion kompetent, e kemi bërë transformimin pronësor dhe privatizimin si ne, ashtu edhe Jatexi, Deva, Emin Duraku, Metaliku, e shumë të tjera që po synon ti marrë ilegalisht AKP-ja. Ata pastaj më treguan çertifikatën e regjistrimit të ndërmarrjes së tyre, ku te përshkrimi i llojit të biznesit, thuhet: Ndërmarrje tjera nën juridiksion të AKM. Mendova se ishte gabim teknik i Agjencisë për Regjistrimin e Biznesve në Kosovë, ani pse ai gabim i supozuar teknik (sepse AKP-ja ia ka njohur statusin HC Dukagjini si private) mund të korrigjohet brenda ditës tek institucioni që e lëshon çertifikatën. Por, supozimin siç e ceka edhe më lartë, nuk kanë qenë në gjendje ta pranojnë si diçka që ekziston pa e vërtetuar as romakët e vjetër. Vendosa të hulumtoj tjetërkund. Shkova në HC Jatex, ose ndërmarrjen e shpallur ilegalisht nga AKP-ja si 100% shoqërore. Shikova dhe mora një kopje të çertifikatës së regjistrimit, me numrin 70373851, të lëshuar me datën 08.08.2006. Te kategoria Lloji i biznesit edhe këtu shkruan: Ndërmarrje tjera nën juridiksion të AKM. Shumë e paqartë, a? Askund në Ligjin për AKP-në nuk figurojnë ndërmarrjet tjera. Dikush mund të mendoj në ndërmarrjet publike, për të cilat AKP-ja nuk është kompetente. Ndërmarrje tjera mund të jenë private, sikur këto të Gjakovës, të cilat AKP-ja po synon ti transformoj ilegalisht në pronë shoqërore, pavarësisht se me Ligj e ka të ndaluar.
Në çertifikatën e regjistrimit të biznesit me numër 70373851 (Holding Jatex Tricotex), në shtojcën Informata mbi biznesin, figuron kapitali themelues dhe i paguar në shumën prej 502,152.74 euro (Numri është shkruar në gjuhën angleze. Në dy gjuhët tjera zyrtare të Kosovës, shqip dhe serbisht, ishte dashur të shkruhet si 502.152,74 euro, pra ndryshojnë pikat dhe presjet. Mbajeni mend këtë sistem se ndodhin raste kur mund të digjeni, ose fitoni). Krijohet bindja se këtë e ka themeluar AKM-ja. Në fakt, AKM-ja nuk e ka themeluar Jatex-in dhe as që ka paguar kapitalin themelues të saj, ndërsa AKP-ja po mundohet ta konfiskoj me shpifjen e Ndërmarrjeve tjera të cilat as vetë nuk e di, dhe as Ligji i saj nuk e thotë, se cilat janë ato. Nuk e dimë as unë e as ju se cilat janë ndërmarrjet tjera.
Në Nenin 31, Ligji për AKP-në ka tri dispozita, secila më kundërthënëse se tjetra, si: 31.1 Ky ligj mbisundon çdo dispozitë tjetër të ligjit në fuqi që është në kundërshtim me të. Vërejtje: Të gjitha rregulloret rreth privatizimit në Kosovë prej qershorit 1999, në shumë dispozita bien në kundërshtim të hapur me Ligjin për AKP-në.
31.2 Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2002/12, me ndryshimet dhe plotësimet e saj, nuk do të prodhojë efekte juridike pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Vërejtje: Ka prodhuar, prodhon, dhe do të prodhoj efekte, madje të forta. Neni 31.1 nuk mund ti mbisundojë dispozitat e rregullores 2002/12. Derisa të ekzistoj Ligji në Fuqi të cilit i nënshtrohet Ligji për AKP-në dhe të gjitha ligjet tjera, formulimi për mbisundim të çdo gjëje nga e kaluara, dhe atë me dispozitat skandaloze si të drejtën për supozim dhe marrjen e vendimeve të prera në bazë të supozimeve(!), janë vetëm çështje të papërgjegjësisë së skajshme juridike që tregojnë për nivelin e degjenerimit mental të një garniture politike deri në kriminalizim primitiv, me akademikë tru kalbur që e hanë sapunin për djathë, mercenarë, oportunistë dhe llaskuca të pafytyrë në Kuvendin e Kosovës.
Autori është drejtor i Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike