Kompleksiteti i kritereve të anëtarësimit
Shkruar nga Muhamet Sadiku
Në fazën e tanishme të zhvillimeve të përgjithshme në Kosovë, procesi integrues siç duket kalon në rend të parë nëpërmjet dialogut politik me Serbinë.
Kjo te pala kosovare e ka mjegulluar të kuptuarit e tërë kompleksitetit të kritereve politike, ekonomike dhe aquis communitare që duhet përmbushur.
Si ndjenjë e triumfalizmit, investohet në pritje se pas këtij dialogu çdo gjë është e mundur për anëtarësim të shpejtë në BE, duke injoruar kostot dhe kohën që duhet kaluar.
Se çfarë kosto politike duhet përballuar në këtë proces këtë më së qartazi e ka përjetuar Kroacia, të cilës nuk i kishte mjaftuar prosperiteti ekonomik i treguar me indikatorin e BDP dhe indeksin e reformave ekonomike.
Në kuadër të këtij kompleksiteti kriteresh evropiane ka vend edhe për konsiderimin e fqinjësisë së mirë dhe kufijve të qartë në mes të shteteve të pavarura që aspirojnë BE-në.
Gabimi me rastin e anëtarësimit të Qipros me kufij të paqartë dhe i Bullgarisë dhe Rumanisë me reforma gjysmake dhe shoqëri të patransformuara, nuk ka gjasë të përsëritet. Këtë do ta paguajnë aspirantët në pritje të anëtarësimit.
Nga anëtarësimi i deritanishëm është treguar se kriteret ekonomike nuk mjaftojnë për të zënë vend në familjen evropiane. Duhet diçka më shumë në sensin politik sidomos për vendet që kanë dalë nga konfliktet dhe luftërat. Për këto vende kostoja politike, bëhet gati e papërballueshme.
Sido që të jetë, meritojnë trajtim raportet e tanishme në mes të BE-së dhe Kosovës. Në krijimin e realitetit të ri në Kosovë, investimet evropiane ishin të rëndësishme si në aspektin e krijimit të paqes dhe kornizës së zhvillimit ekonomik dhe të shtetndërtimit. Këto duhet konsideruar investime të taksapaguesve evropianë.
Këto investime duhet kuptuar edhe si platformë për vazhdimin e përpjekjeve të vërteta për arritjen e objektivave integruese të Kosovës.
Në situatën aktuale në Kosovë vepron një mision i rëndësishëm evropian EULEX - i cili ofron mundësi të mira për funksionimin e praktikave qeverisëse dhe funksionimin e shtetit ligjor sipas standardeve evropiane.
Kuptohet praktikat, standardet dhe vlerat evropiane nuk janë çështje të deklarimeve politike, por të sjelljeve praktike në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore në përgjithësi.
Së paku nuk do të preferoja që vlerat dhe standardet evropiane të bëhen objektiva të fushatave parazgjedhore.
Ska kuptim të bëhen premtime për ndryshime marramendëse në formatin mbi anëtarësimin e shpejtë të Kosovës, si nevojë evropiane e jo si nevojë e mbrendshme e shoqërisë kosovare.
Kur mund të fillojë një fazë e re e raporteve BE Kosovë?
Në Kosovë të gjithë jemi në pritje të fillimit të një faze të re të raporteve BE Kosovë. Tani për tani raportet ekzistuese nuk janë kontraktuale, por vetëm të karakterit të dialogut politik.
Nganjëherë, nga moskuptimi i filozofisë evropiane dhe i raporteve ekzistuese, kjo proklamohet si fitore e madhe e qeverisë dhe e koalicionit qeveritar.
BE, dialog dhe komunikim politik ka me të gjitha shtetet, duke përfshirë edhe Korenë e Veriut, Afganistanin, Iranin, Irakun dhe vende tjera me deficite demokratike. Kjo është në natyrën e komunikimit ndërkombëtar dhe evropian.
Përparësia e Kosovës në krahasim me këto vende është se Kosova është shtet i ri evropian ndërsa disa nga këto shtete të përfshira në dialog politik mbeten në pozita tejet antidemokratike dhe antievropiane.
Sa mund ta meritojë Kosova avancimin e raporteve me BE-në, varet nga kontributi i saj në përmbushjen e kritereve të Amsterdamit mbi anëtarësim.
Kjo nënkupton përkushtim, kosto dhe kohë të konsiderueshme. Moskuptimi me kohë i vlerave evropiane ka bërë që disa shtete të presin gjatë nëpër hallat dhe koridoret evropiane.
Nga përceptimet politike të disa qarqeve në pah vihen vetëm përfitimet nga anëtarësimi. Harrohet ana e kostove dhe sakrifica që duhet paguar deri te arritja në cakun evropian.
Disa shteteve u është dashur kosto më e madhe dhe kohë më e gjatë. Në vitin 2004, BE në gjirin e vet kishte fituar 10 shtet të reja sipas anëtarësimit të sistemit të konvojit. Shtrohet pyetjas a mund tu ndodhë vendeve të Ballkanit Perëndimor anëtarësimi sipas sistemit të konvojit?
Kush mund të përfitojë më shumë nga BE-ja?
Kosova pas mbarimit të luftës, me ndihmën evropiane kishte arritur të realizonte objektivat emergjente dhe të rindërtimit ekonomik.
Edhe tani Kosova për çdo vit është përfituese e fondeve të paranëtarësimit, të cilat në Kosovë arrijnë në formë të asistencës teknike dhe financiare në sektorët më sensitivë që ndërlidhin me funksionimin e shtetit ligjor.
Gjatë kësaj periudhe të pasluftës janë krijuar përvoja të mira në ndërtimin e legjislacionit komercial për promovimin e sektorit privat dhe zhvillimin e ndërmarrësisë.
Megjithatë, implementimi i këtij legjislacioni mbetet larg nga kërkesat e mbrendshme dhe të jashtme. Ka kaluar koha kur fondet shfrytëzoheshin me lehtësi nga shtetet e anëtarësuara.
Kështu në fillim të viteve të 70-ta, Greqia, Portugalia dhe Irlanda duke e shfrytëzuar mentalitetin shpenzues të asaj kohe, me sukses kishin bërë diferenca të mëdha zhvilimore.
Filozofia e thithjes së fondeve evropiane tani dukshëm ka ndryshuar dhe lidhet drejtpërdrejt me implementimin e programeve dhe projekteve. Kjo ka shtuar nevojën që të gjitha shtetet e anëtarësuara të zhvillojnë kapacitete humane absorbuese.
Tani mundësitë për shfrytëzim më efektiv të fondeve evropiane i kanë vendet që ndërtojnë struktura dhe kapacitete administrative që i kuptojnë proceset integruese evropiane nëë të gjitha nivelet e qeverisjes.
Shqetësime të funksionimit të administratës shtetërore kanë edhe vendet më prosperuese të BE-së. Të rikujtojmë se në këtë aspekt çfarë mrekullie duhet të bëjë Kosova që të pranojë ndihmën evropiane edhe në këtë fazë të zhvillimeve.
Raportet tregtare + Investimet e huaja Direkte me BE Drejtim i duhur
Kosova vazhdon të ketë marrëdhënie tregtare tejet të mira me vendet e BE-së. BE edhe në vitet e mëparshme kur Kosova ishte larg ndërtimit të një qëndrueshmërie zhvillimore, kishte ofruar mundësi lehtësuese për eksportin e prodhuesve kosovarë.
Kjo kishte ndodhur qysh nga viti 2002, kur Kosova nuk kishte asgjë për të eskportuar në tregjet e BE-së.
Kjo ishte një mundësi dhe sinjal inkurajues për raportet tregtare të BE-së dhe Kosovës. Si rezultat i ngecjeve në implementimin e reformave strukturore privatizimit, Kosova nuk ka arritur të konsolidojë një sektor privat me orientim prodhues dhe eksportues.
Kjo ka bërë që Kosova të tregojë një varësi të madhe nga importi për të mbuluar konsumin privat dhe qeveritar. Mungesa e sektorit prodhues dhe eksportues kishte implikacione të theksuara makroekonomike.
Bashkimi Evropian më parë ka ripërtëritur preferencat tregtare me shtetet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2015. Sipas kësaj marrëveshje të gjithë prodhuesit/produktet e këtyre shteteve kanë qasje të lirë në tregun evropian në periudhën e ardhshme 4-vjeçare.
Nga këto masa përveç Kosovës përfitojnë edhe Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Shtrohet çështja se sa mund të përfitojë Kosova nga kjo mundësi preferenciale e BE-së.
Edhe përkundër mundësive preferenciale për të eksportuar pa ngarkesa doganore dhe jodoganore, Kosova realisht mund të eskportojë shumë pak.
Këtë duhet trajtuar nga këndvështrimi se çfarë mund të prodhojë Kosova për konsumatorin evropian, i cili është nën ndikimin e sforcuar të kualitetit të mallrave, paketimit, servisimit dhe çmimeve konkurruese.
Sa mund ta mbijetojnë konkurrencën ndërkombëtare mallrat e Kosovës në tregjet e BE-së. Në fazë të zhvillimeve në Kosovë, gjasat për një penetrim më serioz në këto tregje janë të vogla.
Mundësitë për përmirësim të bilancit tregtar duhet të vijnë nga substituimi i importit dhe rritja e eksportit në tregun e CEFTA-s dhe tregjet rajonale. Edhe në këto tregje nuk do të kemi komoditet nga se edhe atje ndjehet presioni i konkurrencës së jashtme.
Nga aspekti statistikor vendet e BE-së mbesin partneri kryesor tregtar i Kosovës, si në eksport dhe import me mbi 35 %. Në të dy drejtimet tregtare, Kosova ka indeks të ulët të diversitetit tregtar me vendet tjera, por edhe me BE-në.
Mënyra më efektive do të jetë promovimi i investimeve direkte të jashtme nga këto tregje. Nëpërmjet këtyre investimeve do të sigurohet transferi i teknologjive konkurruese, menaxhmenti ndërkombëtar dhe produkte të cilësisë evropiane për konsumatorët evropianë.
Vetëm nëpërmjet këtyre skemave zhvillimore do të sigurohen efekte sociale për popullatën dhe efekte eksportuese për kompanitë dhe ekonominë nacionale.
Kosova gjithnjë kishte treguar pritje se pas shpalljes së pavarësisë do të kemi një fluks të lartë të investimeve të jashtme dhe atë më së shumti nga BE-ja, SHBA-ja dhe vendet tjera si partnere tregtare.
Shënimet statistikore megjithatë, tregojnë se pas vitit 2008 në mungesë të sensit për reforma strukturore dhe politika ekonomike nxitëse dhe fuqizimin e shtetit ligjor, kemi një përkeqësim të trenit të investimeve të huaja direkte në Kosovë.
Edhe deri më tani kontribueset më të mëdha me investime të huaja direkte në Kosovë jane disa vende të BE-së, Britania e Madhe, Gjermania, Austria, Sllovenia, Holanda e të tjera.
Përmirësimi i mjedisit biznesor dhe zhvendosja e barrierave për bërjen e bizneseve, mbesin drejtimi kyç i institucioneve qeveritare.
Pikërisht krahasimet për Kosovën nga Raporti i Bankës Botërore për bërjen e bizneseve duhet të bëhen në krahasim me vendet e BE-së.