23 Dhjetor 2024

Kombet të parandalojnë mizoritë

Shkruar nga Hashim Thaçi 

Nga të gjitha tragjeditë e tmerrshme që kanë shkaktuar vrasjen e miliona njerëzve në krime masive, mendja e njeriut mund t’i kuptojë më së miri këto krime duke kujtuar individët të cilët i kemi parë me sytë tanë, qoftë personalisht apo nëpër foto. 

Kështu, në fjalimin e tij madhështor, të mbajtur të hënën më 23 prill në lidhje me parandalimin dhe dënimin e gjenocidit, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama kujtoi dy imazhe të gjalla të mizorisë.

I pari ishte një “foto e vjetër” të cilën ai e kishte parë me sytë e tij kur vizitonte Buchenwald-in, në të cilën dukeshin “burra dhe djem të shtrirë në shtretër të drurit, gati asht e lëkurë,” përfshirë një 16-vjeçare Elie Wiesel.

E dyta ishte vuajtja që xhaxhai i Obamës kishte parë kur, si ushtar në Armatën e SHBA-ve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai “u step dhe u shokua nga ajo që pa kur ai ndihmonte çlirimin e Ohrdruf, pjesë e Buchenwald."

Natyrisht, siç e tha Obama, Holokausti nazist mbetet “një krim i llojit të vet në historinë njerëzore”. Dhe unë e përgëzoj atë për deklarimin se “parandalimi i krimeve masive dhe gjenocidit është në thelb të interesit për siguri kombëtare dhe thelb i përgjegjësisë morale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës".

Akoma, kur mendoj për krimet masive, imazhet më të gjalla që më vijnë në mendje janë ato të burrave dhe grave të vendit tim, të refugjatëve kosovarë nga konfliktet e vona të të nëntëdhjetave, të cilët u gjuajtën me armë dhe u bombarduan dhe vërshuan përtej kufirit për të gjetur siguri në Shqipëri. Dhe, kur mendoj se si të parandalohen këto tragjedi, duket e qartë se Amerika nuk mund ta bëjë e vetme dhe se “përgjegjësia kryesore morale” na përket të gjithëve.

Obama ka shprehur përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të bërë gjërat e duhura për një kauzë të madhe. Ai paralajmëroi krijimin e një Bordi Parandalues të Krimeve me qëllim të përqendrimit të vëmendjes dhe burimeve të çdo agjencie amerikanë në parandalimin e krimeve para se ato të ndodhin.

Ai po nisë sanksione të reja kundër atyre të cilët e shfrytëzojnë teknologjinë informative për të keqpërdorur të drejtat e njeriut.  Ai ka kërkuar për një vlerësim nga inteligjenca kombëtare të rrezikut për krime masive, ka udhëzuar Departamentin e Thesarit të ndajë mjete financiare kundër krimeve dhe ka urdhëruar ushtrinë të përfshijë parandalimin e krimeve në doktrinën e saj. 

Ndonëse për t’u përshëndetur, veprimet e një shteti të vetëm kurrë nuk do të jenë të mjaftueshme për të parandaluar krimet e së ardhmes. Kjo duhet të jetë, siç e tha Obama, “punë...e të gjitha shteteve.” Punë që duhet të angazhojë çdo shtet, në secilin kontinent, nga shtetet e vogla si Kosova, deri te fuqitë e mëdha ekonomike, politike e ushtarake. 

Ne të gjithë kemi kaluar nëpër mizoritë që kanë pllakosur vendet që përmendi Obama, mes tjerash Kamboxhia, Ruanda, Bosnja dhe Darfuri. Mundësitë për egërsi nuk njohin kufij rajonalë e kështu nuk duhet të ketë kufij as për angazhimin për të vepruar për të shpëtuar jetë dhe për të shmangur vuajtjet. 

Në Kosovë, ne po punojmë shumë për të parandaluar që këto gjëra të tmerrshme të ndodhin prapë, duke kërkuar të ndërtojmë një demokraci të hapur e shumetnike. Ne jemi angazhuar në një dialog konstruktiv me Serbinë për t’i dhënë fund kapitullit të errët të së kaluarës sonë dhe për të filluar një të kapitull të ri, të mbështetur në paqe, tolerancë dhe respekt të ndërsjellë.

Gjatë vizitës sime zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më herët gjatë muajit, unë propozova themelimin e një komiteti për të vërtetën dhe për pajtim, për të ndihmuar si shqiptarët, ashtu edhe serbët të lënë prapa të kaluarën e hidhur. Ne jemi të gatshëm të punojmë shumë me të gjithë fqinjët tanë, përfshirë Serbinë, për të siguruar se krimet masive janë ndalur njëherë e përgjithmonë.  

Edhe shtetet e tjera të botës duhet të gjejnë mënyra për të bërë bashkë dhe ndërkombëtarisht atë për të cilën është zotuar Obama se do ta bëjnë Shtetet e Bashkuara në baza kombëtare.

Përmes bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare, globale dhe rajonale, shtetet e botës duhet të themelojnë organizata ndërkombëtare simotra me Bordin Amerikan për Parandalimin e Krimeve. Duhet të ndajmë më mirë informacionet mbi kërcënimet për krime dhe të bashkërendojmë përpjekjet ndërkombëtare për t’i parandaluar ato. 

Si pjesë e kësaj përpjekjeje, Kombet e Bashkuara duhet të zgjerojnë rolin e këshilltarit special për parandalimin e gjenocidit për të udhëhequr një sekretariat dhe një mekanizëm për verifikim të informacioneve për OKB-në që është ekuivalent me Bordin për Parandalimin e Krimeve.

Brenda Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, funksionet e Zyrës për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut duhet të zgjerohen për të kryer funksione të ngjashme për 56 shtetet pjesëmarrëse në Evropë, ish Bashkimin Sovjetik dhe Amerikën e Veriut. 

Siç na e kujton President Obama me të drejtë, “’Kurrë më’ është sfida para shteteve.” Varet nga të gjithë ne t’i përgjigjemi kësaj sfide.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)