23 Dhjetor 2024

Koha për t’i dhënë fund propagandës kundër Limajt

Shkruan: MUHAMET MAVRAJ

Pas atentatit të 15 janarit 1997 kundër rektorit serb që mbante të uzurpuara pronat tona universitare, Serbia u kundërpërgjigj me përndjekje masive të të rinjve patriotë. Më 31 janar 1997 ranë tre luftëtarë-atentatorë shumë të rëndësishëm, Zahiri, Hakifi dhe Edmondi.

Familja Limaj ishte pjesë e goditjes. Një vëlla i Fatmirit dhe i ati u morën brenda sepse në banesën e tyre mblidheshin shpesh këta që bënin sherre kundër Serbisë. Fatmiri kërcënoi seriozisht një hetues serb derisa po ia mundonte babën plak në zyrën e tij.

Diçka si Qorr Ilazi për babën e vet. Më 4 shkurt 1997, në ditëlindjen e tij, Fatmir Limaj qiti hapin e parë jashtë Kosovës. Prapa i mbet vëllai në burg.

Po atë ditë, ndërkohë që frika kishte hyrë thellë në palcën e Kosovës, pra edhe në radhët studentore, në Velani shpallëm programin studentor për demonstrata që duhej të përgatiteshin.

Në Shqipëri plasi lufta civile dhe u shty gjithçka për më tutje në Kosovë. Më keq s’i kishim punët ndonjëherë. Në tetor plasën demonstratat dhe më asgjë nuk mund të kthehej prapa.

Rezultati i parë u korr: Frika u mund! Me armët që dolën gjithandej rrugëve të Shqipërisë, në vend se të kallej më tej Shqipëria, nisën të furnizohen ata të rinj të ikur jashtë. Vetëm pak muaj më vonë Limaj u kthye si komandant në Kosovë. Ai është ndër më të shquarit e luftës, deri në çlirim. Pastaj nisi karrierën si politikan ku vërtet krijoi reputacion të fortë.

Dy regjime, dy lloj uniformash i kishin thyer banesën në Prishtinë deri atëherë: ata të krahinës autonome komuniste dhe policët pushtues të Serbisë, që nuk ishin më.


Së shpejti uniforma e tretë do të thyente banesën e Limajt, ajo e Unmik-ut, ndërkohë që Limaj kapet në Slloveni dhe dërgohet në Hagë. Trupat e Kfor-it refuzuan t’ia kufizonin Limajt lirinë e lëvizjes kur ashtu kërkoi Karla del Ponte në 2003. Më erdhi për vizitë në zyrë kreu i Kforit dhe e falënderova miqësisht. Jo, tha, Limaj nuk paraqiste asnjë kërcënim për sigurinë, ndaj e lam të qetë. Limaj triumfoi edhe në Hagë dhe në fund të 2005 iu kthye vendit të vet e në fillim të 2006 edhe jetës politike.

Vetëm katër vjet më vonë, uniforma e katërt, tash evropiane mësyu banesën e tij. Të gjitha regjimet trokitën në atë derë. Kjo ndodhi menjëherë pas fillimit të punimeve të Rrugës së Kombit. Por, kësaj radhe, pështjellimet dhe kusuret politike në kontekst të gjerë ishin me disponim të egër kundër tërë ekipit qeveritar, që ishin po ata të Shtabit të Luftës. Ishin gazetat e mediat tjera shqiptare që i mbanin ison shkrimeve të Glas Javnostit.

Akuzat e bëra një vjet më parë nga ajo gazetë dolën një ditë në ballinat e gazetave të Kosovës. Kësaj radhe Limaj akuzohej si hajn i vendit të vet.

Shuma: 80 milionë euro! Fatura e fushatës euforike ishte e rëndë për tërë Kosovën, ndërsa Limajn e dërrmuan fare, në çdo pikëpamje. Tërë fushata që s’po ndalej përcillej edhe me vdekjet në familje njëra pas tjetrës, gjithsejt tri.

Që të tre të vdekurit, kur ishin në shtrat të dergjës, ishin prekur personalisht nga propaganda, madje edhe bashkëshortja që po kërkonte shansin e jetës në mjekët austro-gjermanë. Moral më të ulët nuk ka thurë ndonjëherë alfabeti shqip sesa me akuzat kundër atij njeri.

Mediat shpirtshitura u bënë shërbëtore të një manjaku holandez, pishpirikut Vrejsvik, kryeprokuror, sepse nga bastisjet nuk doli gjë dhe as nga hetimet.

 Ato nuk mjaftuan as për 24 muaj që të shpikun diçka sa për të bërë një rast gjyqësor sadopak serioz. Prokurori në fund sajoi diçka sa për të thënë, jo për 80 milionë të vjedhura, por për 250 mijë të bëra dëm shtetit. Sidoqoftë, pjesëto 80 milionë me 250 mijë dhe do të dal numri 320. Pra, ishte shpifje 320 % e tërë akuznaja publike e viteve 2010-2011-2012.

Paralel me këtë rast të qeverisjes, që ia këputi në fakt qeverisjen e fortë në resorin e tij, u hap tjetri, sërish poër krime të luftës. Eulexi e dërgoi në vdekje dëshmitarin e ngratë të manipuluar pa dhimbtë kur ekspertiza bëri me dije rezultatin e parë të katër duarve në atë “ditarin” e tij. Më vonë doli ekspertiza edhe zyrtarisht, nga ana e mbrojtjes.

Eksperti shqiptar u josh më vonë në punë nga vetë evropianët. Pra, topi nuk e luan saktësinë e tij. Gjykata i shpalli të pafajshëm të gjithë të akuzuarit dhe të arrestuarit për rastin “Kleçka”.

Limaj doli nga arresti shtëpiak dhe iu kthye jetës politike. Por, jo shumë gjatë. Çështjet Limaj do të riaktualizoheshin çdo ditë.

Një burim i gazetës tregoi për mundësitë e qarta që deri në 2014 Limaj të zhagitet nëpër gjykata, pavarësisht mungesës së qartë të fakteve. Këtu ishte futur thellë politika. I kam thënë në debate disa herë këto projeksione dhe nuk jam ndier mirë kur vërtet rifilluan.

Gjykata e lartë zhvlerësoi me procedurë befasuese aktgjykimin e pafajësisë dhe e ktheu në rigjykim rastin “Kleçka”.

Por, bashkë me këtë erë të re në drejtësinë e Eulex-it, nisi një marifet i ri: manipulimi me gjyqtarë. U urdhërua ndërrimi i krejt trupit të gjyqtarëve, pavarësisht praktikës së rigjykimeve, ndërsa Limaj u kidnapua në mesnatë, një natë fundjave. Kemi shkruar për atë histori dhe qullosjen e kryeshefave të institucioneve të Kosovës, përfshirë legjislativin.


Praktika e ndërrimit të gjyqtarëve do të përfshijë edhe çështjen paralele gjyqësore, atë të Ministrisë së Transporteve.

Këto ditë Eulexi njoftoi se nuk do të mbahet seanca e caktuar për 7 shkurt. Arsyeja ishte kjo: ndërrimi i gjyqtarit. Burime të gazetës, ato që u kemi besuar edhe më herët, kanë treguar se ka një rezistencë dinjitetit edhe brenda radhëve evropiane në Eulex. Një gjyqtar portugez kishte bërë të qartë se pas 7 shkurtit s’do të ketë më rast kundër Limajt për akuzat e lidhura tash më 250 mijë euro të shpërdorura të Ministrisë. Arsyet ishin tri: çështje etike-profesionale, ideali evropian i drejtësisë dhe nderi portugez.

Atëherë iu komunikua shkarkimi nga çështja Limaj! Dhe doli komunikata se nuk ka gjyq më 7 shkurt 2013. Jemi ku jemi. Eulexi momentalisht po kërkon një gjyqtar idiot që premton të korruptohet profesionalisht për ta mbajtë gjallë procesin kundër Limajt, se ky tjetri i krimeve të luftës do të mbyllet shpejt, se s’ka rrugë tjetër.


Për të qenë më keq puna për Eulexin, Kongresi partiak i javës së kaluar i dha shuplakë të fortë luftës çnjerëzore kundër Limajt, sepse edhe duke qenë në mungesë, me gjithë atë nxirosje, Limaj hyri në dhjetëshen e parë të partisë më të madhe të Kosovës. Kjo ishte një fitore e jashtëzakonshme, në rrethana të jashtëzakonshme. Ka mbet gjallë morali në këtë vend.

Atëherë, çka: armët e vjetra kundër Limajt, propagandën e jashtëzakonshme. Ajo ka filluar, ultë e poshtë, ndonëse të njëjtat media patën ndërruar kursin për Limajn e Krasniqin kur mund t’i shihnin si armë kundër shokëve të tyre. Tani jemi sërish në vitin 2010. Pushteti i katërt (mediat) në shërbim të djallit.


Rasti i MTPT-së, siç do të sqarohet në numrat vijues të gazetës, ka një histori kriminale të montimit. Fillon me një manjak shqiptar në policinë e Kosovës që monton mesazhe telefonike dhe me to nis historinë në shërbvim të Eulexit. Ai nuk është burgosur, vetëm është avansuar në një kompani publike, afër përgjimeve telefonike. Veprimtaria e tij kriminale zor se do të mbetet pa marrë hak para drejtësisë, herëdokur.


Këta spiujë shqiptarë, këta të mediave dhe ai manjak duhet të mësojnë shumë nga qëndrimi i vendosur i gjyqtarit portugez për të mbyllur rastin për shkak të montimeve të paskrupullta të një rrjeti të gjerë njerëzish që bëjnë pak a shumë një ndërmarrje e vërtetë kriminale përbrenda institucioneve të ndjekjes/hetimit e akuzës të ndërfutur në shtyllën e drejtësisë.

Këto s’janë terma të emocionit, por janë terma operues të drejtësisë dhe mund të lexohen fjalë për fjalë, siç po i them këtu: ndërmarrje e përbashkët, sepse është organizim i disa njerëzve; kriminale, për shkak se në mënyrë të vetëdijshme dhe sistematikisht i shfrytëzojnë pozitat zyrtare për të kryer krime të rënda kundër drejtësisë, në emër të saj. Hapësira e operimit të tyre është shumë e gjerë.


Kjo bandë zyrtarësh po falsifikon çfarëdo që është e nevojshme për ta mbajtur një njeri në burg, për objektiva të pandershme, në radhë të parë të motivimit politik në kontekste më të gjera sesa të politikës së brendshme të Kosovës, por i përfshin edhe së paku këto:
1) frikësimi i politikanëve me prejardhje nga lufta çlirimtare;


2) stimulimi i vazhdueshëm i propagandës serbe, që nuk i intereson drejtësia për serbët e vrarë, por propaganda e politikës ditore;
3) eliminimi gradual i politikanëve që shihen si të fortë.

Kjo i ka ndodh Bosnjës para nesh dhe shumë modele të atjeshme janë bartë në Kosovë, në të dy misionet, të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, Unmik, përkatësisht Eulex.

Politikanët nën 1, janë këta që nuk bënë çfarë duhet për të refuzuar këtë lloj kaq johuman të drejtësisë, ose që bënë që të gjithë, pozitë e opozitë, atë që u kërkua: një heshtje qyqare gjoja në emër të respektimit a të dhimbjes për gjendjen e drejtësisë, megjithëse një parti opozitare haptas feston bastisjet, përndjekjet e arrestimet shtëpiake ose burgatore të Limajt. Është e pashpjegueshme ku ka rënë me shpirt kjo parti që ka vuajtur në kurriz jo pak padrejtësi ndërkombëtare dhe e njeh shijen dhe peshën e padrejtësive.

Ushqimi sistematik i propapagndës serbe, si nën 2, ka të bëjë me boshatisjen e Hagës nga joserbët, veçanërisht lirimi i Gotovinës dhe grupit të rastit Haradinaj, thjesht, si plotësisht të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Këto befasirat e avokatëve me procedurat e çuditshme të shpejtimit të rikthimit të çështjes Kleçka (dhe jo të MTPT-së) dhe arrestimit të të akuzuarve, pasi ishin shpallë të pafajshëm, kanë lidhje me këtë stimulimin e opinionit serb.

As ka faj Haradinaj, as Gotovina. Një shqiptar i njohur duhej të ishte në burg lidhur me akuza lufta për vrasje serbësh, qoftë edhe policë, si në rastin Kleçka. Por, kjo është e përkohshme dhe ky rast është bosh. Ka qenë një libër i shkruar keq nga disa duar dhe tani atij libri i është heq përmbajtja, ka ngelë vetëm kopërtina. Kleçka s’mund të vazhdojë gjatë. Është dora tjetër, rasti MTPT, shumë më skandaloz sesa Kleçka.

Rasti që po nxitet të bëhet gjyq i popullit (me rrena të prokurorëve dhe trumbeta të vitit 2010, Kompania Koha kryesisht dhe ajo gazeta tjetër ca e tërhequr nga këto lojëra të pista) nuk është i rastësishëm mu tani. Nuk është trimni profesionale botimi me vetëdije të plotë i marrëzive të prokurorëve kriminelë të Eulexit.

Them kriminelë në kuptimin normal të fjalës, në kuptimin e vërtetë, total. Kjo periudhë e shërbesave të këtilla të shtypit tonë nga studiuesit e ardhshëm të historisë së Kosovës dhe rolit të mediave, mund të jetë më e errëta në tërë historinë e gazetarisë së lirë shqiptare, nëse përjashtohet pra periudha e diktaturave komuniste.

Të gjithë kolegët e mi që po merren me Limajn në tre vjetët e fundit, që nga 2010, e dinë të vërtetën dhe me vetëdije po notojnë në ujërat e burimeve të pista të Eulexit. Maskimi prapa interesave të bosave të mediave nuk është shkarkim i ndërgjegjës. Është zhytje edhe më e thellë në errësirat e krimit, sepse fjala vret më shumë se plumbi, e shpifja është më e rëndë se vrasja, thonë librat e shenjtë.


Refuzimi i gjyqtarit portugez për të vazhduar me këtë padrejtësi duhet të jetë këmbanë për ndergjegjet e Kosovës. As ne shqiptarët s’kemi pse mos të refuzojmë si ai lojën e djallit në emër të drejtësisë, njëjtë si ai, dhe pirolla i qoftë.


Duhet ta ndalin turrin mediat kundër Limajt. S’mund të bëhet fajtor dikush vetëm me sulme mediale, pavarësisht dëmeve të përkohshme. Në anën tjetër, shpifja i ka bërë më të fortë viktimat e saj. Nuk u nda Partia Demokratike, as u dridh toka.

Ata që u atakuan dolën më të fortë se asnjëherë, sepse, neveria për shpifjet shkakton efektet e kundërta. Edhe Limaj do të dalë më i fortë në fund të historisë kundër tij. Ata që e kanë tërbuar opinionin publik kombëtar dhe ndërkombëtar me akuzat publike për 80 milionë të vjedhura në një shtet të gjorë financiarisht duhet t`ia thonë vetes disa fjalë. Mjaft është mjaft.

Si ka mundësi që nga 80 milionë të rezultojë ndjekja për 320 herë më pak, për 250 mijë Euro? A nuk është pak përmasa e shpifjes deri më tani: të genjesh 320 përqind (pra 320 %) dhe të vazhdosh tutje? Tjetra, shumë shpejt do të rezultojë zero cent euro shpërdorime.

Atëherë, të nderuar kolegë, bilanci i propagandës së djallit nëpërmjet duarve tuaja do të jetë ky: 80 milionë përqind shpifje! Bota normale i ka matë përqindjet nga 0 deri në 100. Koha e turbullt që po ua sjell bukën e fëmijëve tuaj e ka përmbysë botën: nga zero në 80 milionë përqind.

Kombet tjera nuk kanë pranuar të gënjejnë 80 milionë përqind. Dihet cili komb e ka deklaruar shpifjen si armë strategjike kombëtare. (Gazeta Epoka e re).(VIJON)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)