28 Dhjetor 2024

Koha për ndryshime edhe në Kosovë

Letër z. Delawie

Shkruar nga Gani Qarri

Z Delawie, pas stagnimeve të panumërta të vendit tonë, shumica e bashkëkombësve brenda dhe jashtë tij, mjerisht qeverisjen aktuale, e shohin si kombinimin më të frikshëm të elementëve të shantazhuar dhe emrave të dyshimtë shumanshëm për korrupsion dhe krim të organizuar.

Unikati më tragjik dhe jashtëkohor, i vendosur përdhunshëm në pozicionet kryesore udhëheqëse të Kosovës, nga bashkimi i çoroditshëm i mbetjeve enveriste dhe tepricave teknologjike të administratës jugosllavo-millosheviqiane të cilat nuk ndjellin as mbjellin,asgjë të mirë për Kosovën.

Njësimi më denigrues që ka mund ti ndodhte këtij populli si dhe sallata më i irrituese udhëheqëse, një konglomerat më trishtues politik me ngjyrimet më të gjera refuzuese dhe të padëshirueshme gjithanshëm,për vendet demokratike evro-perëndimore, fenomen i rrezikshëm për të tashmen dhe të ardhmen e popullit të Kosovës.

Megjithatë, njëri nga personalitetet e vendit më shpresëdhënës për shqiptarët, ambasadori i SHBA, z. Delawie, në një intervistë, të para do ditëve, u shpreh se edhe pas zgjedhjes së z. Donald Trump për kryetar të SHBA-s, nuk sheh arsye që të ndryshojë politika amerikane ndaj Kosovës  

Duke parë gjendjen e rëndë e të pashpresë, injorimin total dhe izolimin e pa-afat!që shkaku i kësaj udhëheqje irrituese çdo ditë e më tepër sa vije e po rriten ndaj popullit tonë të shumëvuajtur nga e gjithë bota demokratike,në mënyrë që ky koalicion “demode” të mos e qojë vendin në kolaps total dhe përqafimin e ftohtë me vdekjen klinike, politika amerikane ndaj qeverisjes në Kosovë do duhej të ndryshonte.

Përkëdheljet e deritanishme ndaj politikanëve të involvuar në korrupsion e krim të organizuar, të cilët me aprovimin, qoftë edhe në heshtje të përfaqësuesve të disa shteteve me ndikim, përfshi edhe juve z. Delawie, vazhdojnë të qëndrojnë mbi kupolën e shtetit dhe kokat e shqiptarëve të pashpresë, duhet një herë e mirë të përfundojnë.

Nuk mjafton të bëhen vetëm thirrje deklarative qoftë edhe nga z. Delawie, për dënimin e zyrtarëve të inkriminuar, derisa politikanët e dyshimtë, sa herë parandiejnë se fuqia e tyre në pushtet po bie apo dobësohet, për të mos u rrëshqitur pushteti nga duart dhe shpëtuar lëkurën e vet, nxitojnë të parët, që të përbehen e përgjërohen deri në përjargie para jush z. Dlawie, se pikërisht ata janë pro-amerikanët më të \"kulluar\".

Udhëheqësit aktual jo vetëm tani që interesi personal e grupor, i ka tjetërsuar e shformuar tërësisht, por që nga fillimi ata nuk shiheshin si njerëzit më të mirë, as intelektual a politikan të mirëfilltë, të cilët mund ti ofronin Kosovës udhëheqje të ndershme dhe prosperim të njëmendët.

Ndaj, dhe flitej e flitet për ta, si për cirkusmen politik, avangardist e mbetje enveriste që dallgët e turbullta të një momentumi të caktuar historik i nxorën rastësisht në breg, të cilët të elektrizuar nga \"yshtjet ideologjike\" të SHIK-ut komunist, shfrytëzuan  \"hallakamën\" mjegulluese të kohës, për tu imponuar me forcë në politikë dhe katapultuar me frikësim e kërcënime në majat e politikës dhe pushtetit vendor.

Deficitet e njohura që qysh në fillim treguan, u munduan ti mbulonin duke mbajtur sa më afër vetes adutin e tyre më të fort, përfaqësuesin aktual të SHBA, ani pse edhe ju z. ambasador Delawie më mirë se kushdo tjetër e dini, se pikërisht pjesa më e madhe e atyre që tani e sa kohë, u vardisen aq shumë, janë thellë të zhytur në korrupsion dhe krim të organizuar.

Emra dhe individ tragjikomik, të zhveshur plotësisht nga karakteri, idealizmi atdhetar dhe çdo gjë kombëtare, të cilët falë afërsisë me përfaqësues të lartë të shteteve mike, jo vetëm se mbetën kaq gjatë në pushtet, por janë shndërruar edhe në pasqyrën më çnderuese të identifikimit të shqiptarëve në vend dhe në botë.  

Shumica prej tyre ishin anonimës politik, varfanjak të shkundur deri në keqardhje, njerëz me karakter të shformuar e pamoral dhe të përfolur si kriminel ordiner, të cilët vetëm për pak vite qëndrimi në pushtet, mjeruan të gjithë vendin,duke u kthyer vet në pasanikët më të mëdhenj që ka ky shtet.

Me tu ngjitur në majat udhëheqëse, ata në Kosovë rrënjosën korrupsionin e krimin e organizuar dhe si model jetese për shqiptarët halleshumë mbollën varfërinë e pafund.

Politikbërës të përbuzur,të cilët me aktet e tyre të çoroditura shterpëzuan çdo shpresë të shqiptarëve për ardhmëri më të mirë, dhe përkundër të gjithave sa ata bënë dhe bëjnë, falë bashkëpunimit me një numër jo të vogël të përfaqësuesve ndërkombëtar dhe heshtjes së çuditshme të shqiptarëve e cila tash e sa vite sikur është kthyer në \"qëndrim poullor\",të njëjtit element - vazhdojnë të mbeten në pushtet.

Emrat më të inkriminuar të cilët nga pozitat e uzurpuara shtetërore, nuk hezitojnë të shesin edhe interesat e vendit dhe kryejnë tradhti të larta kombëtare, fakte që njerëzit e këtij vendi shpresojnë me të drejtë se herët a vonë, ata nuk ka mënyrë as mjet, që mund ti shpëtojë nga mallkimi i historisë.

Madje duke qenë në pushtet, heronjt e dyshimtë edhe sot vazhdojnë ta valëvitin flamurin e shqyer të patriotizmave të tyre fiktiv, të cilët me metodat më perfide, përditë e më tepër, po thellojnë edhe ndasitë kombëtare, vetëm e vetëm që ata të vazhdojnë të sundojnë mbi këtë vend.

Gjendje e krijuar lë të duket sikur ky popull vërtetë e ka humbur rrugën në oborr të vet dhe pajtohet me gjithçka që ndodhë në këtë vend, edhe pse dihet, se me politikan të mirëfilltë situata edhe për shqiptarët në e këtyre trojeve, mund të ishte krejt ndryshe.

Mjerisht, tandemi aktual , mbetet kombinimi më i rrezikshëm dhe më tragjik që kurdoherë ka mundur tu ndodhte shqiptarëve, i cili përveç tjerash bënë që vendi dhe populli ynë të presin, kush e di edhe sa kohë, pa heqje vizash dhe mbahen të mbyllur e të izoluar nga popujt e civilizuar në Evropë dhe Botë.

Për ndryshim nga ju z. Delawie, ambasadori amerikan në Shqipëri z. Donald Lu, qysh në nëntorin e vitit të kaluar, u bë shembulli më sublim i veprimit të guximshëm, duke cekë me emra e mbiemra; ministra, prokuror e gjyqtar të korruptuar si dhe deputetë të lidhur me krimin, me ç`rast kërkoi edhe dënimet adekuate për ta.

Por,në Kosovë fatkeqësisht, asnjëherë nuk patëm rastin ta dëgjojmë edhe ambasadorin Delawie të vepronte në mënyrë të njëjtë apo të ngjashme si ambasadori Donald Lu në Shqipëri, përkundër gjendjes analoge që mbretëron në të dy vendet.

Shembull për të mirë, në Kosovë tregoi ambasadori i Britanisë së Madhe z. Ruari O`Conell, i cili edhe pse pothuajse i vetëm, ai që nga fillimi ishte kritik ndaj grupeve kriminale dhe kërkonte pareshtur luftimin e korrupsionit,krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative në vendin tonë, ku shqiptarëve me shumë halle,në shumë pjesë, mjerisht edhe sot u mungon buka në sofrën familjare.

Madje me gjithë kërkesat parimore të SHBA, që Kosova të udhëhiqet nga politikan të sinqertë e të pa involvuar në korrupsion e krim të organizuar dhe shpresat e mëdha të shqiptarëve në mbështetjen e përfaqësuesve të SHBA, për ndaljen e kriminelëve dhe hedhjen e qeverive korruptive të Kosovës, pa marrë parasysh dyshimet e bazuara për aktivitetet e tyre kriminale, ju z. ambasador Delawie sikur tregoni pëlqyeshmëri vetëm për njerëz të dëgjueshëm dhe që u binden pa kundërshtim.   

Duke heshtur ju dhe disa nga diplomatët e fuqishëm të vendeve mike ndaj kriminalizimit të udhëheqjes së shtetit tonë të vogël, sot demokracia në Kosovë, është më e keqja e mundshme, qysh kur ajo me ndihmën e SHBA-s, u çlirua.

Fakti që edhe me praninë e mbikqyrësve ndërkombëtar,çuditërisht këtu vidhet, tjetërsohet, burgoset dhe vdiset në mënyrat më misterioze, pa dhënë askush asnjë lloj përgjegjësie, ka dëmtuar së tepërmi imazhin e vendit tonë jo vetëm në BE, gjë që po shprehet edhe me lëshimet në Bruksel ndaj Serbisë, e cila përmes marrëveshjeve të dyshimta dhe jo- transparente për opinionin tonë, ngadalë por sigurtë- jo vetëm me zajednicën dhe telekomin, po rikthehet përsëri në Kosovë.

Në Kosovë, nuk ka asnjë veprim të njëmendët kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nuk vihet re kurrfarë zhvillimi i theksuar ekonomik si dhe asnjë formë përafrimi me BE-n, fakte që fatkeqësisht po tregojnë ndikim të madh negativ në arenën ndërkombëtare, ndaj me gjithë premtimet e bujshme e të herpashershme nga ministria e jashtme, ka kohë që më nuk vije asnjë njohje e re për Kosovën.

Thënë në mënyrën më të butë, qëndrimi ledhatues që ju z. Delawie tash e sa kohë mbani ndaj udhëheqësve të përfolur, të vendosur edhe me bekimin e përfaqësuesve tjerë dhe mbikqyrësve ndërkombëtar,në majat e pushtetit vendor, ka krijuar huti dhe dyshim të bazuar ndaj sinqeritetit dhe ndershmërisë së ndonjë diplomati të caktuar i cili vije vetëm sa për karrierë personale në vendin tonë të vogël e fëmijnorë, qoftë edhe nga një vend i madh e prindëror për Kosovën-si SHBA.

Kështu klanet e katapultuara kriminale, jo rastësisht në majat e pushtetit udhëheqës të vendit, dita e ditës po e mbysin shtetin tonë të ri dhe kanë kthyer atë në një shtet banane.  

Shtet përulës e qesharak si dhe vatër të krimit të organizuar, nga të cilët fatkeqësisht Kosova nga një vend i shpresës, u shndërrua në laborator për varfërimin deri në çnderim të shqiptarëve dhe pasurimin e pafund të kriminelëve.  

Ndaj, besoj se do të bënit mirë, që përfundimisht të iknit nga Kosova z. Delawie dhe mundësisht ta ngrehni këmbën sa më zhagë, në mënyrë që (sipas shprehjes popullore) të bijën edhe udhëheqësit e inkriminuar vendor nga pozicionet, e larta që tash e sa kohë, pa të drejtë i mbajnë të uzurpuara.  

Shkoni dhe lëreni ndokënd tjetër le të vije këtu sepse siç jeni në dijeni edhe ne si popull tanimë jemi lodhur me këto ndodhi negative dhe duam ndryshime pozitive për vendin tonë.  

Le të vije dikush i cili do dhe di, ti ndihmojë këtij vendi, ndonjë diplomat i njëmendët aktiv që mund dhe ka vullnet ti çmontojë klanet mafioze të cilat tash e sa vite po rrezikojnë  ardhmërinë e fëmijëve tanë dhe çdo gjë të mirë në këto troje.

 Ti, shfuqizoj grupet e dyshimta të interesit, të cilat me krijesa asnjëherë të paqena në tokat tona; si zajednica serbe dhe shitjen e territoreve kombëtare vendeve fqinje; dikur FYROM-it e tani edhe Malit të Zi, për çka Ju-jo vetëm njëherë u deklaruat, se për këto vendime, ata kanë edhe përkrahjen tuaj, rrezikojnë edhe vet ekzistencën e shtetit tonë të ri.

Grupe të cilat, për vite me radhë dhe në mënyrën më të egër, po shkatërrojnë edhe ndërgjegjen e pastër kombëtare të shqiptarëve.

Ne vërtetë e duam Amerikën shumë, nderojmë edhe diplomatët e akredituar këtu, por kjo varion edhe nga qëndrimit që ata mbajnë ndaj nesh si popull dhe angazhimit që bëjnë për Kosovën.

Populli shqiptar, siç jeni në dijeni, respekton fort dhe pa asnjë rezervë porositë e ndritura të burrështetasve më të mëdhenj bashkëkohor amerikan, për ruajtjen e Kosovës së lirë, të çliruar dhe pavarësuar me ndihmën dhe angazhimin e tyre, personaliteteve më me nam që për kohën pati SHBA,si Bill Klinton dhe Gjorgj Bush (i riu).

Ndërsa ju mund të shkoni dhe ju lutem shumë, e përsërisë edhe një herë, që mundësisht ta ngriheni këmbën sa më zhagë, me shpresën që një herë e mirë të bien përtokë edhe pushtetarët e inkriminuar aktual nga barrikadat e mbretërisë së krimit të organizuar që gjatë pranisë tuaj në vendin tonë, ata mundën ta ndërtonin.

Shkoni pra, sepse Amerika e madhe, besojmë se ka mjaft diplomat e ambasadorë të cilët munden, dinë dhe duan ti rrëzojnë një herë e mirë edhe tek ne grupet e “Cosa Nostrave” aktuale nga majat e  uzurpuara të pushtetit vendor.

Diplomat të vendosur e aktiv, që kanë dëshirën dhe vullnetin të ndihmojnë edhe shtetet e vogla si Kosova, për të ecur edhe ato përpara në këmbët e veta, me shpresë dhe dinjitet të plotë, drejt një ardhmërie më të mirë e më të sigurt, pasi që siç edhe është e njohur për Ju dhe gjithë të tjerët në këtë botë, Populli Shqiptar, përveç himnizimit të Zotit në Qiell, vetëm edhe SHBA-t, i ndjenë si shpëtimtarë të shenjtëruar mbi tokë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)