Koha e studentëve
Shkruar nga Gani Qarri
Duke kujtuar edhe vitet e kaluara dhe manipulimet nga më të ndryshmet në Universitetin \"Hasan Prishtina\" sot askush nuk mund të jetë indiferent ndaj zhvillimeve të dhembshme para Rektoratit të tij.
Madje nuk mund të harrohet as pikënisja dhe kulmimi i dallavereve të cilat atëbotë vluan dhe arritën piedestalin e keqpërdorimeve, sidomos pas rastit të nxjerrjes nga thesi i parave -ups, fakteve të SHIK-ut, Mujë Rugovës, i cili jo vetëm se ngjante shumë nga mustaqet \"llugë\" me ato të bosëve kartelo-meksikan, por si karllushan i pamposhtur i shumë \"vakive\" që ishte, ai arriti ta bëj llugë edhe Universitetin, në fronin e të cilit u vendos si me dorë, nga partitë në pushtet.
Ndaj,skena të tilla para opinionit vendor e ndërkombëtar, të cilat përveç protestimit, shoqërohen edhe me akuza e kundërakuza, të ndërsjella,dëshmojnë se në këtë Universitet,me dijen e ish rektorit, senatit dhe gjithë udhëheqësisë së atëhershme, për shumë kohë janë zhvilluar parregullsitë më të mëdha të mundshme, kundër të cilave nuk ka reaguar askush seriozisht deri më tani.
Sidoqoftë,për mendimin tim, në asnjë vend tjetër evropian,përveç Kosovës ku ka kohë që kjo e keqe është bërë dukuri, nuk do kishte fare nevojë të protestohej,as për dorëheqjen e profesorëve të çnderuar me plagjiatura. Bile, ata- nga vet- \"skuqja\" njerëzore do të dorëhiqeshin edhe të vetëzverdhur,jo nga protestat por nga sedra personale për publikime në revista të rreme, me shumë kërkimfalje për mashtrimin, pa i munduar të tjerët, ti detyrojnë dorëheqjet e tyre me demonstrata.
Kurse përsa i takon Ibrahim Gashit, ai më tepër, më duket të jetë viktimë klanesh dhe fajtor për mos dhënien e dorëheqjes që i kërkohet në këto momente,por jo i vetmi përgjegjës për zhvillimet e kamotshme destruktive në Universitet,ku edhe si rektor aktual,me siguri është bira e fundit e kavallit të matrapazllëqeve politike,që edhe sot zhvillohen brenda këtij Institucion të shenjt arsimor.
Duke u nisur nga këto shkaqe,protestat që këto ditë zhvillohen para Rektoratit,të cilat përveç shtypit dhe qendrave informative vendore, kanë pushtuar edhe mediat ndërkombëtare,ato nuk janë të papritura dhe as të rastësishme,por mesa duket tanimë ka ardhur edhe momenti që mu nga ky vend i traditës për reformime, siç është Universiteti, të nisë edhe një herë një pranverë e vërtetë shqiptare për ndryshime të gjithanshme dhe rrënjësore në Kosovë.
Megjithatë,për fat të keq, edhe para kësaj gjendje të mjeruar, udhëheqja e konsumuar shtetërore, përdor bojkotimin e seancave parlamentare për pamundësimin e votimit të rekomandimeve kuvendare,duke ditur se dorëheqja,te shqiptarët-arrihet vetëm me DETYRIM, siç pret edhe Ibrahim Gashi, megjithë gjendjen e krijuar në universitet dhe arsimin në përgjithësi,i cili jo vetëm se është katandisur për çdo keqardhje,por këtë as nuk e merituan shqiptarët dhe fëmijët e tyre të cilët për sa vite vuajnë nën një sistem të tillë të paligjshëm shkollor.
Për aq më keq,as bojkotimi nuk ndodh rastësisht nga partia në pushtet, edhe pse ajo tanimë është metodë e vjetruar dhe nuk qon në tejkalimin e problemeve të grumbulluara nga konstalacionet politike, që vetëdijshëm për sa e sa vite ia zënë frymën çdo gjallimi në vend.
Madje qeveritarët e sotëm njëjtë si garniturat e vjetra udhëheqëse,me dashje harrojnë se protestat e studentëve përqafohen nga popullata si dhe përjetohen nga ta si frymëzim dhe veprime të shenjta për të gjithë shqiptarët, ngase në të gjitha kohët , studentët kanë qenë paraprijës të të gjitha ndryshimeve dhe atë jo vetëm në Universitet.
Ndaj nga shumica e lodhur e këtij populli të shumëvuajtur të cilit tash e sa vite, bijtë e tij të pahair i kanë hipur pa hak mbi qafë, shpresohet me të drejtë për një pranverë të vërtetë shqiptare dhe mobilizim gjithëqytetarë për ndëshkimin e këtij pushteti të korruptuar.
Tendenca për klasifikimin e protestave në baza partiake, edhe pas daljes në shesh të gjithë këtyre parregullsive në Universitet, nuk i bënë nder askujt,bile nuk e zvogëlojnë as frikën e udhëheqësisë aktuale se me rritjen e numrit të protestuesve do të rritet edhe guximi i tyre,si për shkarkimin e Rektorit me detyrim, ashtu edhe për rrëzimin e qeverisë në kalim, tanimë me ditë të numëruara, pas gjithë këtyre skandaleve që po mbijnë kudo.
Studentët tanë vetëm duhet të tregohen më të kujdesshëm nga futja e elementëve destruktiv në mesin e demonstruesve, sepse me gjithë të drejtën për shprehjen e pakënaqësisë, qëllim i protestës për asnjë moment, nuk guxon të rrëshqas në defilim dhune ndaj forcave të rendit, kur të gjithë e dimë se ata janë aty- për një kauzë të madhe kombëtare e njerëzore.
Misioni i tyre është Ndryshimi në Universitet e më gjerë,ndaj manifestimi pakënaqësisë nuk duhet të degjeneroj nga një protestë dinjitoze në kacafytje me Policinë,ku do të pësonin të dy palët dhe përfitonte vetëm pala e tretë apo qeveria e korruptuar e cila fërkon duart në raste të tilla nga gëzimi.
E drejta për pjesëmarrje në protestë dhe dëshira për të shpreh mospajtimin ndaj së keqes,nuk guxon të mundet nga emocionet dhe të dal jashtë kontrollit,ndaj në ditët e ardhme, organizatorët duhet të tregohen më të kujdesshëm dhe të mos lejojnë që nga persona të involvuar të cilët, mund të mos ia duan të mirën protestës, të përsëriten skena të padëshirueshme.
Ngase,shumica e shqiptarëve tanimë e di dhe është e bindur se çfarëdo që të ndodhë dhe sido që të zhvillohen ngjarjet, për situatën e krijuar në Universitetin \"Hasan Prishtina\", herët a vonë është e domosdoshme, e patejkalueshme dhe nuk mund ti iket kurrsesi përgjegjësisë as formimit të një komisioni hetues parlamentar i cili gjithsesi do të detyrohet të inicioj një hetim të menjëhershëm profesional,si mënyrë e vetme për zbardhjen e të gjitha keqpërdorimeve dhe keqpërdoruesve në Universitet, nga kushdo qoftë dhe cilido i involvuar në parregullsi, për ndryshimin e gjendjes dhe njerëzve që quan deri këtu jo vetëm këtë Institucion të shenjt arsimor por edhe shumë parregullsi tjera në gjithë Vendin.