Kodi i vrasjes së demokracisë
Shkruar nga Ramiz Bojaj
Dita e lirisë së shtypit (3 Maji) e gjenë shtetin e Kosovës me liri të pjesërishme për fjalën e lirë. Kodi i ri Penal, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 20 prill 2012, në të cilin gjenden edhe dy nene, ai 37 dhe 38, (që kriminalizojnë shpifjen dhe detyrojnë gazetarët që të zbulojnë burimet e informacionit në raste të procedimeve kriminale), pasqyron mentalitetin e retarduar të klasës sonë politike, dëshmtimin kolektiv të elitizmit tonë politikëbërës. Liria dhe demoracia në Kosovë janë fituar me shumë sakrificë e gjak, andaj askush nuk ka të drejtë që ta rrënojë ose ta varsë këtë vlerë të shenjtë.
Në ditën e lirisë së shtypit në botë (3 Marsi) i gjen mediat e Kosovës në protesta (bojkot) kundër aktiviteteve pushtetare, në shenjë kundër sanksionimit të fjalës së lirë. Kodi i ri Penal (me referencat e neneve 37 dhe 38), ngulfatë për vdekje lirinë e medieve, trurin dhe shpirtin e kombit.
Elitizmi ynë politik (votuesit e Kodit të ri në Kuvendin e Kosovës), në vend që të mobilizohen në aplikimin e politikave nacionale (kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ruajtjes së tërësisë territoriale), ky autoritet është përqëndruar në fshehjen e dështimeve të veta, në të gjitha segmentet, duke goditur në parim gjahun hulumtues (mediat)që e bën qeverinë të mos ndihet aspak komod.
Ky veprim është tipik antidemokratik i cili dëshmon se elitizmi ynë politik është në siklet të mbrojtjes së mafisë së krimit të organizuar ekopolitik. Qeveritarët tanë në vend qe ta lutojë krimin e korrupsionin e shfrenuar,vihen në mbrojtje të interesave e klaneve mafioze. Prekja në esencë e lirisë së medias është vrasje e demokracisë, i cili kërcënon ndërgjegjën dhe interesat shtetërore e kombëtare të shtetit të Kosovës.
Kodi i ri Penal, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 20 prill 2012, në të cilin gjenden edhe dy nene, ai 37 dhe 38, (që kriminalizojnë shpifjen dhe detyrojnë gazetarët që të zbulojnë burimet e informacionit në raste të procedimeve kriminale), pasqyron mentalitetin e retarduar të klasës sonë politike, dëshmtimin kolektiv të qeveritarëve tanë.
Është e dhimbshme kur preket në esencë liria e fjalës, por edhe më e tmerrshme është, kur kjo vrasje e lirisë mëtohet të sanksionohet edhe me formalitete juridike (metodë e njohur vetëm në sistemet e diktaturave).
Klasa politike qe udhëheq aktualisht me Kosovën, gjithnjë e më shumë po dëshmon se është një klikë harbutësh të pacipë, të cilët i kanë sjellur shtetit dhe kombit tonë, dëme të tmerrshme. Fusnota ishte një rrënim i madh i vlerave tona shtetërore, ndërkaq, Kodi i Ri Penal, është rrënim i vlerave të demokracisë në shoqërinë tonë. Shqiptarët nuk do ta pranojnë kurrë as një dozë të vetme nga principet e sistemet të diktatorëve.
Përkeqësimi i gjendjes së mediave
Mediat në Kosovë vazhdojnë të jenë në shënjestër të pushtetit. Rastet skandaloze kundër mediave në Kuvendin e Kosovës (keqtrajtimi i gazetarëve), ka përfunduar me sanksionim skandaloz për lirinë e shtypit, ku me nenet 37 e 38 te Kodit të ri Penal, guximin gazetaresk e apostrofojnë si kriminalizim.
Gazetarët në Kosovë gati çdo ditë kërcënohen në mënyra të ndryshme. Më të zëshmit kundër lirisë së medias janë grupet e mafisë së krimit, për të arritur deri tek grupet e interesave të pushtetmbajtësve.
Reporterët Pa Kufij (RSF) e cilësojnë si të tmerrshëm, Kodin e ri Penal të miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 20 prill 2012, në të cilin gjenden edhe dy nene që kriminalizojnë shpifjen dhe detyrojnë gazetarët që të zbulojnë burimet e informacionit në raste të procedimeve krminale.
Nenet 37 dhe 38 të KRP-së, qartazi synojnë heshtjen e raportimeve hulumtuese që e bëjnë qeverinë të ndihet jokomod. Kodi i ri Penal e vë lirinë e medias në rrezik dhe përfaqëson një sulm serioz kundër demokracisë.
Në këtë kontekst e drejta për të ushtruar gazetarinë hulumtuese dhe mbrojtja e burimeve konfidenciale duhet të mbetet parim thelbësor i vlerave tona demokratike. Përmes Kodit të ri Penal, hapen mundësi shtesë për keqtrajtimin e mediumeve, gazetarëve e botuesve, në kontekst të të cilit mund të ndodhë rrënimi i gjithë asaj qe e cilëson shoqërinë tonë si model të demokracive europerendimore.
Shantazhimi i medias, kërcënimi i fjalës së lirë (burgosja ose vrasja e gazetarëve), shënon fundit e arsyeshmërisë dhe vlerave të vërteta njerëzore. Olivier Basile, përgjegjës i Reporters Sans Frontieres për Evropë, përpjekjet për censurimin e fjalës së lirë në Kosovë, përmes KDRP-së (neneve 37 dhe 38), e krahason me periudhën e diktaturave.
Ajo çka e dallon situatën e mediave në Kosovë, është se gjatë luftës janë vrarë gazetarë, ndërsa tash, nuk vriten, por vazhdon të vritet fjala e lirë, kërcënohen, pengohen gazetarët në ushtrimin e detyrës profesionale. Si mund të luftohet krimi i organizuar kur disa nga autoritetet qeveritare pengojnë gazetarët të ushtrojnë gazetarinë investigative.
Dikur fajësohej Milosheviqi, por tash të gjithë e dinë se kë duhet fajësuar për këtë gjendje alarmante. Edhe Organizata për Media e Evropës Juglindore, SEEMO, ka përkrahur gazetarët e Kosovës, duke vlerësuar se është e tronditur me ndryshimet e fundit të Kodit Penal të Kosovës. Kërcënimet dhe presionet, vijnë nga institucione të ndryshme: Qeveria, ministritë, partitë politike, organizatat ndërkombëtare, biznesi, gjykatësit dhe Akademia.
Metodat qeveritare të censurimit, në shumë raste, janë mjaft të sofistikuara, ku kërkohet shumë guxim dhevendosmëri për thyerjen e murit të diktatit. Raporti i fundit për Lirinë e Medieve i Freedom House, edhe këtë vit e ka vlerësuar lirinë e shtypit në Kosovë si pjesërisht të lirë, duke i dhënë notën 49 nga 51, sa e kishte në vitin e kaluar.
Ndërkaq, në listen e Reporterëve Pa Kufij,Kosova renditet në vendin e 87-të nga 179 sa janë në listën e RPK-së. Realisht gjendja e mediave në Kosovës është edhe më e rëndë nga siç e parashohin edhe organizatat ndërkombëtare, ngase tendencat qeveritare për vrasjen e fjalës së lirë janë tejet evidente dhe të rrezikshme.
Andaj shqetësimet e organizatave të ndryshme të mediave ndërkombëtare e vendase për lirinë e shtypit në Kosovë, janë të arsyeshme dhe kërkojnë angazhim të vendosur të të gjithëve për mbrojtjen e lirisë e të vlerave qytetare në vendin tonë.
Atentat mbi demokracinë
Guximi i gazetarisë hulumtuese në Kosovë mbetet shembulli më i mirë i kultivimit të vlerave të vërteta demokratike për një shoqëri në tranzicion, ku vlerat dhe antivlerat janë në gërshëtim të përhershëm. Përplasja e këtyre dy koncepteve zanafillën e vet e kanë në sistemet qeverisëse dhe tendencat për vendosjen e diktaturave moderne, nga institucionalistët.
Imponimi i fjalës së shkruar dëshmon përvojën më famëkeqe në periudhat moniste, të cilat për dekada me radhë, gënjeshtrën e mbështillnin me moralizime, ndërkaq të vërtetat dhe vlerat i shantazhonin në forma të ndryshme deri në vrasjen e saj. Qevritarët tanë, përmes KDRP-së, tentojnë ti mbyllin gojën të vërtetës e cila shpesh është e dhimbshme për realitetin qeverisës.
Andaj hartimi dhe votimi nga Kuvendi i Kodit të i ri Penal, nuk mund të cilësohet si përgjegjësi indiviluale, por dështim kolektiv i elitizmit tonë politik. Miratimi i këtij Kodi nga Kuvendi i Kosovës, dëshmon se kemi të bëjmë me një klasë politike skandaloze, të papërgjegjshme dhe të retarduar. Ata qe kanë këmbëngulur në miratimin e neneve 37 dhe 38 të Kodit Penal, mund të kenë biografi jo të pastër, mund të jenë të inkriminua në krim dhe korrupsion.
Ndërkaq Kodin e Ri Penal, mund ta perdorin si murë mbrojtës nga hulumtuesit e rasteve. Jemi deshmitarë se mediat kanë publikuar shumë raste kriminale rreth shumë personave të inkriminuar në krim dhe korrusion, andaj metoda më efektive për mbylljen e rasteve të tilla mëtohet të bëhet duke sanksionuar veprimtarinë e pushtetit të katërt në demokraci, e bashkë më këtë edhe vrasjen e fjalës së lirë.
Reagimet e Reporterëve Pa Kufij (RSF), të rrjeteve dhe asociacioneve të pavarura të mediave, OJQ-ve, etj., por edhe Kushtetuta e Kosovës, e obligojnë presidenten Atifete Jahjaga, ta rikthejë Kodin Penal në Kuvend, për ti rishikuar nenet 37, 38. Është tejet esenciale qe rishikimi të bëhet nën kujdesin eskepertëve të pavarur vendas e ndërkombëtarë, në mënyrë qe rihartimi i neneve të jetë i pranueshëm i zbatueshëm nga të gjithë.
Në të kundërten, do të ndodh vetëvrasja e demokracisë në Kosovë, në kontekst të të cilit shkelet akti i Bashkimit Evropian i vitit 2007, por edhe vendimi i këshillit të Evropës, i vitit 2000. Me keto principe me të cilat Kodi Penal ka kaluar në Kuvendin e Kosovës, do të jetë jofunksional dhe i dëmshëm për perspektivë evropiane të Kosovës.
KRP, me nenet 37 dhe 38 mund të referohet si notë e dobët edhe në vlerësimet e raporteve ndërkombëtare rreth të arritura dhe progreseve në vendin tonë. Kosovës i duhet ligje qe e hapin rrugën drejt BE-së, e jo të atilla qe penalizojnë integrimin tonë drejt strukturave euroatlantike.
Pikërisht nga papërgjegjësia e elitave tona politike kemi mbetur vendi më i izoluar në rajon. Liria dhe demoracia në Kosovë janë fituar me shumë sakrificë e gjak, andaj askush nuk ka të drejtë që ta rrënojë ose ta vrasë këtë vlerë të shenjtë.