Koalicioni bashkëqeverisës midis LVV dhe LDK duhet të jetë i pashmangshëm
Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora
Po vonohet por do të bëhet: Pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, të gjithë menduam se marrëveshja për koalicion bashkëqeverisës midis LVV -së dhe LDK-së është çështje ditësh aq më parë që ishte një dashuri parazgjedhore të dy subjekteve politike për një koalicion.
Rezultatet ishin të qarta dhe nuk u kundërshtuan nga asnjë subjekt politik që nuk i fituan zgjedhjet dhe të cilat po të njëjtën natë deklaruan se i pranojnë këto rezultate dhe se kalojnë në opozitë duke e përjashtuar përfshirjen në çdo qeveri e që nuk kishte ndodhë më parë, Pra, opozita u bë shembull i korrektësisë duke i lënë pozitës përgjegjësinë për formimin e shpejtë të institucioneve.
Edhe faktori ndërkombëtar pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe inkurajoi partitë që fituan zgjedhjet të formojnë institucionet.
Në asnjë rast faktori ndërkombëtar nuk përmendi se partitë nga krahu i luftës duhet të jenë pjesë e qeverisë, madje u intensifikuan ftesat nga të ashtuquajtura Dhoma Speciale në adresë pikërisht të liderëve politikë, ushtarëve dhe eprorëve të UÇK – së të krahut të luftës, si kontribut konkret për defaktorizimin e tyre dhe kriminalizimin, ende pa filluar dhe përfunduar një proces gjyqësorë!
Ndërkombëtarët ishin kundër krahut të luftës dhe këmbëngulnin se: “ populli ka votuar për ndryshime dhe se duhet të jetësohet ky vullnet..”.
Zyrat e LVV –së dhe të LDK-së u bënë vend ku ndërkombëtarët bënin pelegrinazhin politik dhe ku, sikur në Fontana Trevi në Romë, pasi të keni hedhur ndonjë monedhë shfaqnin dëshirat e të cilat ishin; e para, vazhdimi i bisedimeve me Serbinë, fleksibilitet në këto bisedime dhe arritja e një marrëveshjeje për normalizim të marëdhënieve, heqja e taksës 100 % për mallrat serbe dhe të tjera si luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe zhvillimi ekonomik llogariteshin si fakultative, nëse i bëni, mirë do të bëni, nëse nuk i bëni nuk bëhet kijameti me kusht që të vazhdohen bisedimet fleksibile me Serbinë!
Albin Kurti i fitoi zgjedhjet duke e renditur LVV –në në vend të parë kurse LDK-ë doli e dyta. Nga një politikan që realisht nga ndërkombëtarët ishte shpallur persona non grata, Albin Kurti u shndërrua në peshk të artë po për të njëjtit ndërkombëtarë.
LVV fitoi zgjedhjet dhe nuk u kundërshtua nga opozita por, në fakt, përmes kushtëzimeve për poste dhe ndarje të barabartë të pushtetit u kundërshtua dhe po kundërshtohet nga LDK-ë e cila po thotë se ka mandat nga populli për ndarje të barabartë të pushtetit.
Në rrethana normale asnjëherë nuk barazohen vendi i parë me vendin e dytë kurse te ne në jo pak raste vendi i tretë ka fituar më shumë se fituesi i zgjedhjeve.
Apo edhe partitë embrionale sikur Lista Rugova dhe Kooperativa e Marecit merrnin sa të donin poste duke i zgjedhur ato ku kishte para dhe, në këtë mënyrë e fëlliqën skenën politike në Kosovë.
LDK –ë, ndonëse nga viti 2006 asnjëherë nuk ka fituar zgjedhjet, hiç këtu qeverinë Haradinaj (gjysmë mandati) kurrë nuk ka mbetur jashtë pushtetit prandaj nuk mund të lirohet nga përgjegjësia.
Po pse bëri gabime në hapa LVV –ë dhe pse LDK-ë ka pozicione më të forta negociuese se vet LVV –ë: Albin Kurti ka kapacitet politik, patriotik dhe profesional të bëhet një lider i fuqishëm nëse është më racional në dhënie të premtimeve dhe nëse i analizon më me kujdes rrethanat objektive, vendore dhe ndërkombëtare. Albin Kurti nuk e ka kapacitetin artistik të Rembrantit për të vizatuar vija të kuqe.
E as të Ticianit. Vijat e kuqe të Albinit ndaj PDK-së, AAK-së, Nisma-së dhe Listës Serbe e fuqizuan shumë LDK-në, duke e lënë si lojtar të vetëm që do të vendosë, edhe për Albinin kryeminister ashtu edhe për formimin e qeverisë së përbashkët.
Me “ rekomandimin “ e ndërkombëtarëve, semafori politik për Listen Serbe ndryshoi dhe tani për ta ndizet vetëm drita jeshile, nuk ka dritë të kuqe.
Albini u përpoq ta frikësoi LDK-në me zgjedhje të reja në kohën kur këto zgjedhje nuk i përkrah askush, përveç Valdete Dakës dhe KQZ-së (për shkaqe humanitare sigurisht) dhe disa kandidatëve për deputetë që, për një grusht votash nuk janë bërë deputetë!
Sikur edhe me disa sondazhe që e nxirrnin LVV –në fituese absolute, me 130 deputetë! Albini e injoroi, jo Hashim Thaçin por institucionin e presidentit duke e shpërfillur skajshmërisht.
Gabim tjetër ishte se e mbivlerësoi shumë subjektin që e drejton kurse e nënçmoi partnerin për bashkëqeverisje.
Albini e shtriu kosën shumë gjerë sikur që hapi shumë fronte gjithandej ku jetojnë shqiptarët, me politikanë, gazetarë dhe shoqëri civile.
Gabimi më i madh i Albinit ishte se e nënçmoi kapacitetin politik, vendosmërinë dhe shkathtësinë negociuese të Isa Mustafës për të cilin ishte i bindur se do të gëlltiste me një lugë uji. Ka gabuar rëndë sepse Isa doli të jetë “ kafshatë që s’kapërdihet...”.
Albin Kurti mendoi se, përmes Vjosa Osmanit do të sigurojë vota të mjaftueshme në kohën kur pushtetin e vendimarrjes në këtë parti e kanë Agim Veliu, Lutfi Haziri me çetën e elefantëve që i shërbyen LDK-së, që nga dita e themelimit, pra me një stazh pune 30 vjeçare. Vjosa Osmani me skifterët adoleshentë të LDK-së, nuk janë veprues në LDK-ë por e kanë rolin e zhurmuesit.
Albini, në njërën anë deklarohej për partneritet me LDK-në kurse, me veprime dhe paraqitje publike krijonte antagonizëm të thellë dhe një mjedis jobashkëpunues.
Në mbledhjen konstituive të Kuvendit në kohën kur kishte bisedime për bashkëqeverisje me LDK-ë, Albini fillimisht është dashur, në fjalën e tij të kërkonte që LDK-ë ta propozonte kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe nëse ata do të refuzonin, e sigurisht do ta refuzonin atëherë do e propozonte Glauk Konjufcën për kryetar dhe do ta kishim një situatë tjetër ku Albini do të fitonte epërsi.
Edhe të ndani postin e kryetarit të Kuvendit për partnerin (LDK – ë), edhe ta zgjidhni kandidatin tuaj, çfarë partneriteti është ky ? Edhe emrat e ministrave të LVV –së që u bënë publik, pa marrëveshje me partnerin sikur edhe nominimi për kryeministër, gjithashtu pa pëlqimin e partnerit të mundshëm për bashkëqeverisje, e lënduan procesin dhe arritjen e marrëveshjes.
Pastaj, komunikimi përmes videoincizimeve me publikun e margjinalizonte vullnetin për takime me partnerin e shtratit qeveritar! Propozimi për rritje të ministrive dhe alleshverishet me poste e zbehën besimin për një Koalicion të Shpresës.
Ku keni parë ju që, sot po e zgjedhim kryetarin e Kuvendit, nesër e shkarkojmë apo dorëhiqet për t’u zgjidhur Vjosa Osmani në mënyrë që pas një viti, të shkarkohet Vjosa e të ngarkohet Glauku, si kryekuvendar.
Kjo do të ishte e papranueshme edhe për Këshillin e Pleqve dhe të Mençurve të fisit Zulu në Afrikë apo adashëve të tyre në Muçiverc e lëre më për një koalicion që, për mision të shenjtë e ka deklaruar çkapjen e shtetit duke e promovuar një kapje shumë të gërditshme, nëse do të bëhej kështu.
Pastaj, përmes rrënimit të autoritetit të Glauk Konjufcës, edhe LVV –ë do të pësonte humbje të votave! Albin Kurti problemin dhe pengesën më të madhe do ta ketë me bisedimet me Serbinë, nëse bëhet pjesë e tyre për faktin se (Ha) Shimi ia ka lënë këmbët e arushës në duar! Është rregull i shkruar dhe i pashkruar se kush kruhet me arushën, nuk ndahet mirë!
Isa Mustafa, politikani më i fuqishëm sot në Kosovë: Po kam probleme edhe në familje por edhe me miq kur e them se sot në Kosovë, Isa Mustafa është politikani më i fuqishëm.
Po më thonë nëse Isa ma ka ndarë librezën e LDK-së dhe se po e amnistoi Isen nga e kaluara gjë që nuk është e vërtetë. Unë po e vlerësojë shkathësinë negociuese të Ises dhe instiktin jashtëzakonisht të zhvilluar për mbijetesë në kushte edhe më të skajshme.
Disi sikur Ber Grills në National Geografic! Isa Mustafa e shpëtoi LDK-në nga një ndarje e madhe pikërisht në prag të zgjedhjeve të fundit.
Ai po menaxhon jashtëzakonisht mirë negociatat me Albin Kurtin në rrethana kur, më shumë ka probleme me LDK-në se me LVV –në.
Të balanconi këtë situatë ku kërkohet efikasitet dhe saktësi sikur të një xhongleri që ecën në trapez në një cirk, nuk është aspak lehtë, është shumë vështirë! Isa Mustafa nuk magjepset me Vjosën, Dritonin apo skifterët e rinjë të LDK-së që ende nuk e kanë përfunduar stazhin e praktikantit por fort mbahet për Agimin, Luten dhe ujqit e vjetër të LDK-së.
Ju mund ta akuzoni Agim Veliun për çka të doni por në asnjë mënyrë për mungesë të patriotizmit dhe tabanit kombëtar.
Babai i Agim Veliut nuk ka qenë shoqërues as i Titos, Rankoviqit, Veli Devës, Sinan Hasanit e Rrahman Morinës por ka qenë përkrahës dhe sekretar i Shaban Polluzhës.
Mjafton! Kur Luto – Gllava (Kokë Luta ), pas zgjedhjeve thoshte se post i kryeministrit kalon nëpër zyrat e LDK-së, nuk ia peshonin fjalët por ia kujtonin vathin në kërthizë sikur të bëhej fjalë për Morena Tarakun e jo për një politikan të rryer gjatë përvojes më shumë se 30 vjeçare.
Deri më tani, thuaja në të gjitha duelet, Isa Mustafa i ka mundur të gjithë përjashtuar Shpendin që fluturoi lart me krihët e PDK- së, si kryetar i Prishtinës.
E ka mundur Fatmir Sejdiun, Hashim Thaçin dhe nuk do të mundet as nga Albini. Madje, albini duket se do t’i dali më i lehti për faktin se vet Albini deklaroi publikisht se: “ kryeminister mund të bëhet vetëm me LDK-në dhe Isa Mustafën ...” që ndikoi në uljen e aksioneve politike të Albinit dhe rritjen e kapitalit politik të Ises.
I veshur me vija të kuqe, si nonsens politik, është e vërtetë se Albin Kurtit, portën drejt postit të kryeministrit mund t’i hapë vetëm Sezami (Isa Mustafa) dhe askush tjetër. Kjo është kur vet i fusni spicat në rrotën e qerres ku jeni ju.
Pastaj, Isa Mustafa, si dhelpër jo polare por malore (nga malet e Prapashtices), nuk është e rastit se kushtëzimin për koalicion me LVV-ë e ndërlidhi me viziten e Grenellit dhe parashikimin futuristik të Nostradamusit nga Buroja e që, krejt rastësisht ndërlidhen me këtë kohë!
Kombinimet e mundshme:
Jam 99 % i sigurt se koalicioni LVV –ë dhe LDK-ë do të bëhet dhe se nuk shoh asnjë mundësi tjetër! Rrethanat janë të tilla. Edhe është më mirë të jetë kështu. Le të provohen dhe le të dëshmohen përballë një opozite, deri tani shumë të urtë dhe konstruktive por shumë të fuqishme. Se do të bëhet ky koalicion, kam dy dëshmitarë ; Grenellin nga Berlini që nesër ua sjellë marrëveshjen për koalicion dhe draft marrëveshjen për normalizim të marëdhënieve me Serbinë sikur edhe Hashim Thaçin – Shimën që këtë e pohoi nga Davosi i Muçibabes. Për një kredi politike, e cila pashmangshëm do të dërgojë në proces të përmbarimit, falimentimit dhe likuidimit, garantues më të sigurt dhe më të besueshëm se Grenellin dhe Shimen nuk mund t’i gjeni.
Hipotetikisht Qeveria e Pakicës mund të bëhet vetëm sa për ta votuar Buxhetin e Kosovës dhe mund të mbijetojë, jo nga dita në ditë por nga sekonda në sekondë.
Koalicioni LDK – AAK – NISMA – dhe pakicat është i pabesueshën sepse, jo që nuk do të kishin dëshirë ta bënin këtë por se në rrethanat aktuale asnjë politikë ndërkombëtare, racionale por edhe idioteske nuk do të lejonin që LVV –ë dhe PDK-ë të mbesin në opozitë. Në prag të marrëveshjes “ historike “ me Serbinë. Marrëveshja për fluturim në linjën Beograd – Prishtinë shumë i ka ndihmuar Kosovës për faktin se tash ka mundësi t’i fusë në përdorim 50 aeroplanë Boion 747 si dhe 5 airbusa, fjala e fundit e teknologjisë .
Lakmia të detyron të bësh gabime: Një pjesë e opozitës po i gëzohet dështimit eventual të marrëveshjes midis LVV –së dhe LDK-së e që nuk do të ndodhë. Shima, nga margjinat e Davos-it tha, pa ekuivoke se: “ së shumë shpejt Albin Kurti Do ta formojë qeverinë dhe se ai (Shima) do të bashkëpunojë ngushtë për të mirën e Kosovës, derei në fyerjet dhe kërcënimet e radhës.
Prandaj, e mira e së mirës do të ishte që opozita ta merr seriozisht rolin opozitar dhe të mos shpresojë si: “ Muça pas daive...”. PDK –ë e ka rastin që përmes qëndrimit në opozitë të lirohet nga parapaguesit e posteve dhe beneficioneve, pa dhënë asnjë kontribut. Të tillët i kanë shumë të zhvilluara shqisat e nuhajtjes në përgjithësi dhe saktësisht e dallojnë, falë sensorëve të instaluar që nga përfundimi i luftës, se kur mund të fitojnë apo se kur është zbrazur grazhdi!
Me faljen e Xhumasë skadon afati kohorë i Isa Mustafës dhe po të njëjtën kohë Grenell do t6ë pijë shlivovicë, me leskovaçki roshtil me Vuçiqin në Beograd kurse Shima do ta studijojë (mendjethellë dhe mendjendritur është Shima) draftin e marrëveshjen apo Traktain Thaçi – Vuçiq i përfunduar shumë kohë më parë. Ose jam shumë i mençur ose jam shumë i huçur, mundësi tjetër nuk ka!
Për fund edhe një thënie skajshmërisht filozofike: Nuk është kurrfarë rreziku për Kosovën gripi kinez sa varfëria kosovare dhe sidomos politika kosovare! Pikë!