24 Dhjetor 2024

Klientelizmi partiak, armik i zhvillimit

Shkruar nga Valon Murati

Zhvillimi i pluralizmit në Kosovë, sidomos prej vitit 2000 e këtej, përveç shumë karakteristikave të tjera, është përcjellë edhe me klientelizëm. I filluar nga LDK-ja, i perfeksionuar nga PDK-ja e AAK-ja, në këtë valle tani fuqishëm është përfshirë edhe Nisma.

Klientelizmi, i përcjellë me nepotizëm, ka arritur që betejën politike të ideve e programeve ta kthejë në një arenë në të cilin fiton ai që premton më shumë vende pune në administratën shtetërore e në ndërmarrjet publike, ai që premton më shumë tenderë, më shumë certifikata veteranësh e invalidësh të rremë lufte, më shumë shtrim rrugësh e infrastrukture me e pa prioritet, - gjithmonë në këmbim të votës.

Ky mentalitet politik i ndërtuar në shoqërinë tonë e ka degraduar rëndë diskursin publik. Sidomos është vështirësuar beteja për koncepte dhe ide politike, qoftë për ato që kanë të bëjnë me të ardhmen politike të vendit (siç janë bisedimet me Serbinë), e po ashtu edhe për ato që kanë të bëjnë me jetën e përditshme, si ekonomia, arsimi, shëndetësia etj.

Si të flasësh e çka të flasësh për programet e platformat e fushave të ndryshme, kur pakënaqësive mbi gjendjen politike, socio-ekonomike e të papunësisë enorme nuk  u përgjigjen me politika konkrete, me programe e platforma zhvillimore, por me premtime e realizime të paligjshme, nepotiste e klanore për interesa të ngushta!?

Në një situatë kur e tërë energjia e partive politike është përqendruar në marrjen e pushtetit me çdo kusht, kjo ka bërë që edhe premtimet për punësime, për regjistrime në fakultete, për investime e për favore të tjera të kundërligjshme të jenë të pafre.

Prandaj, me ardhjen në pushtet, këto parti do të përqendrohen së pari t'i realizojnë premtimet jopublike, e jo ato që i kanë premtuar publikisht në fushatë.

Andaj edhe puna e parë pas ardhjes dhe konsolidimit të pushtetit politik është marrja e pushtetit mbi ndërmarrjet publike, mbi universitetet publike e mbi divizionet e prokurimeve të cilat janë përgjegjëse për tenderë, si dhe të realizojnë punësime masive partiake, familjare, regjionale e klanore.

Duke mos e pasur kurrë parasysh kriterin profesional, madje, duke i dëmtuar rëndë edhe profesionistët e ndershëm brenda vetë partive politike.

Të mos flasim për ata që nuk janë pjesë e strukturave partiake e klanore. Hidhuani një sy bordeve të ndërmarrjeve publike, për të parë se sa poshtë ka rënë katundi!

Krejt kjo është përcjellë edhe me ndikimin në rekrutimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në mënyrë që të kontrollohet edhe sistemi i drejtësisë, i cili do të duhej të ishte një korrektues i kësaj situate.

Duke qenë se problemet socio-ekonomike të qytetarëve janë të mëdha, rruga e sigurimit të vendeve të punës e favoreve të tjera përmes kapjes së administratës, të ndërmarrjeve publike e të tenderëve ishte dhe është shumë më e lehtë sesa rruga e zhvillimit të vendit me politika konkrete në të gjitha fushat.

Sigurisht, rezultatet e së parës në planin e realizimit të ndonjë interesi të ngushtë ekonomik duken më të shpejta. Por, në anën tjetër, dëmet për vendin në planin afatgjatë janë të mëdha dhe shkaktojnë një sërë defektesh të cilat duhen vite e vite për t’u riparuar.

Një politikë e tillë i ka goditur rëndë tërë sferat e shoqërisë. Mbi të gjitha, e ka rritur në përmasa të mëdha korrupsionin, e ka zvogëluar në minimum sundimin e ligjit dhe e ka vendosur funksionimin e drejtësisë buzë mosefikasitetit të plotë.

Por dukuria e klientelizmit në politikë ka shkaktuar dhe po vazhdon të shkaktojë edhe disa defekte të tjera të mëdha shoqërore dhe politike.

Ai e ka vështirësuar betejën politike, duke e reduktuar atë nga arena ku duhet të ndeshen idetë, konceptet e programet, në arenë premtimesh për punësime nepotike e dhënie  të paligjshme tenderësh, ku punësimi kushtëzohet me angazhimin politik, ku personi që është i punësuar shantazhohet me përjashtim nga puna nëse dëshiron t’i bashkëngjitet një projekti tjetër politik.

Në këtë mënyrë, klientelizmi e ka dëmtuar rëndë cilësinë e administratës shtetërore. Para profesionalizmit, kritere bazike janë përkatësia partiake, klanore, familjare, regjionale, e sidomos dëgjueshmëria dhe nënshtrimi.

Klientelizmi i ka sjellë buzë falimentimit shumicën e ndërmarrjeve publike; e ka degraduar në tërësi arsimin në Kosovë, duke angazhuar si mësimdhënës bashibozukët e duke e mbyllur derën për punëtorët e dijes dhe shkencës, si dhe duke i hapur auditoriumet për ata që nuk e meritojnë të jenë studentë.

Klientelizmi e ka dëmtuar rëndë ekonominë e vendit, duke e bërë konkurrencën të pabarabartë, si dhe duke fuqizuar e favorizuar operatorë ekonomikë që janë të lidhur me partitë, me pushtetin e me klanet kriminale, në dëm të cilësisë së punës, të efikasitetit, të profesionalizmit dhe të kursimit të parasë publike.

Klientelizmi e ka goditur ekonominë e vendit edhe duke e bërë të varur nga punësimet në administratën publike dhe në organizata të tjera buxhetore të shtetit, e duke mos u përqendruar për t'i forcuar ndërmarrjet private, të cilat në çdo ekonomi tregu janë bartëse të zhvillimit ekonomik.

Fryma e klientelizmit e ka dëmtuar rëndë moralin shoqëror e njerëzor, sepse njerëzit, të detyruar nga ky mentalitet, bëhen anëtarë të partive politike apo i ndërrojnë ato, jo pse besojnë në politikat e tyre, por sepse shpresojnë se do të gjejnë një vend pune, do të marrin ndonjë tender, apo do të realizojnë ndonjë interes ekskluzivisht vetjak.

Bartësit e klientelizmit i kanë keqpërdorur në mënyrë kriminale edhe skemat sociale, sidomos për veteranët dhe invalidët e UÇK-së.

Në këtë situatë të rëndë shoqërore, ekonomike, politike e morale, njerëzit edhe mund të dëshpërohen e të tërhiqen në vetminë e tyre dhe të angazhohen vetëm për realizimin e interesave të tyre të ligjshme personale, duke i harruar interesat e përgjithshme. Por ne nuk jemi vetëm vetja jonë.

Ne jemi edhe pjesë e shoqërisë. Ne kemi edhe fëmijë të cilët po rriten e do të rriten në këtë vend, për lirinë e të cilit sakrifikuam shumë.

Nuk kemi sakrifikuar për t’ua lënë në dorë vendin hajnave, kriminelëve e bashibozukëve! Andaj, nuk ka dyshim se rruga e betejës së ideve politike është ajo e duhura, sado që nuk jep rezultate të shpejta, sidomos për shkak të frymës së krijuar klienteliste.

Të gjithë njerëzit e ndershëm të këtij vendi, të gjitha forcat progresive, nuk duhet të dorëzohen në këtë betejë të rëndë e të pabarabartë.

Nuk duhet të dorëzohen, sepse kjo politikë e mbrapshtë nuk mund të vazhdojë gjatë. Intensiteti i shfaqjes së efekteve të dëmshme të saj është vazhdimisht në rritje.

Rasti i fundit është ai i rrezikimit të falimentimit të Telekomit si ndërmarrje publike. Këto falimentime dhe dështimet e tjera mund të sjellin stuhi pakënaqësish të ligjshme të popullit.

Me këtë politikë, dështimet në menaxhimin e ekonomisë publike nuk do të kenë të ndalur. Lëvizja për Bashkim do të punojë që për asnjë moment të mos lëkundet nga parimet e veta dhe nga besimi që kjo politikë duhet të luftohet me të gjitha mjetet politike, mediatike e gjyqësore.

Do të jemi aleatë me të gjithë ata që do të përpiqen ta ndryshojnë këtë gjendje. Pa këtë ndryshimin nuk ka zhvillim e përparim!

(Autori është kryetar i Lëvizjes për Bashkim)


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)