Këta mendjemëdhenj dhe prepotent, por trutharë
Shkruar nga Ali Mehmeti
Gjithandej globit ka zëra që pandemia e quajtur covid-19 po i rrezikon drejtat e njeriut të garantuara me kushtetutat e vendeve përkatëse.
Këtë zakonisht e bëjnë organizatat joqeveritare që për fokus kanë mbrojtjen e këtyre të drejtave, por ndonjëherë, edhe pse shumë rrallë, edhe opozita e pandërgjegjshme.
OJQ-ve kjo u ka hije dhe u falet sepse nga frika dhe përvoja nga shumë vende, që vetëm demokratike nuk janë, pavarësisht ligjeve demokratike që kanë, duan ta parandalojnë çfarëdo tentimi për keqpërdorim të kësaj situate.
Në shtetet që janë vërtet demokratike (nëse ekzistojnë të tilla) as që bëhet fjalë që opozita ta kundërshtoj në çfarëdo mënyre qeverinë.
Edhe nëse ka pasur zëra të tillë në fillimin e pandemisë duke mos e kuptuar ende seriozitetin e situatës, ato pas pak u heshtën dhe u vunë në shërbim të qeverisë. Kështu madje ndodhi edhe në rajonin tonë, në Shqipëri, Serbi ...
E vetmja opozitë që nuk di të ndalet është ajo e Kosovës. Është rreshtuar për sulm nga të gjitha anët dhe nga të gjitha armët. Njëri eksponent i opozitës ankohet pse komuna e tij është në karantinë, kurse tjetri pse komuna e tij nuk është në karantinë! Madje jo vetëm opozita.
Edhe Presidenti me rrogëtarët e tij brenda qeverisë kërkuan shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për të marrë një copë pushteti nga qeveria në kohën kur pandemia merrte hov edhe në Kosovë.
Kur kjo nuk kaloi vendosën ta rrëzojnë qeverinë. Edhe pse nuk e rrëzuan, e gjymtuan gjithsesi.
As kjo nuk mjaftoi, por vazhduan edhe më tutje. PDK si parti kërkon që të ndihmohet biznesi me 320 milion euro. Nuk është çudi, sepse shumica nga ta janë më parë biznesmenë sesa politikanë.
AAK kërkon që çdo qytetari t’iu ndahen nga 100 euro (2 milion banorë, barazi me 200 milion euro).
Sikur kanë harruar se si e boshatisën arkën e shtetit duke iu falur borxhe bizneseve, duke rritur pagat sepse nuk u mjaftonin për blerje të kravatave, si i shndërruan bordet e ndërmarrjeve publike në instrumente për plaçkitje, se si e shtjerrën fondin rezervë të paraparë për këto situata ... dhe asnjëherë nuk u ngopën këta grabitqarë të babëzitur.
LDK nuk po kërkon para sepse vet ka marrë pjesë në hartimin e buxhetit. I kanë ndarë detyrat me parti tjera.
Ajo kërkon formimin e qeverisë së re me partitë e PAN-it që është në kundërshtim të plotë me votuesit e tyre por në pajtim të plotë me Hashim Thaqin.
Kurse të gjithë bashkë po ankohen sepse po ju shkelen të drejtat e njeriut sepse masat që po ndërmerr qeveria nuk janë në pajtueshmëri me kushtetutën apo ligjet në fuqi.
Gratë dhe dashnoret e tyre nuk mund të shkojnë te Kaci apo Selma për të rregulluar flokët, për dalje jashtë shtetit as që bëhet fjalë.
Këta grabitqarë po kujdesen për drejtat e njeriut më shumë dhe më zëshëm sesa shtetet sikur Francë, Spanja apo Italia ku masat kufizuese ndaj popullatës janë më të ashpra sesa ato në Kosovë?!
Madje në Francë u zgjatën deri me 11 maj, por nëse nuk do kanë efekt pozitiv mund të zgjaten dhe ashpërsohen përsëri.
Nuk është çudi sesi asnjërit nga këta që duan të respektohen ligjet nuk i ra ndërmend të hartohet një ligj i posaçëm mbi pandemitë, sepse shumicës nga ata “ju kanë fikur neuronet”, por as atëherë kur këtë e propozoi kryetarja e kuvendit Vjosa Osmani ata e refuzuan! Qëllimi është i qartë.
Ata me këto sulme të gjithanshme dhe përditshme duan ta shpërqendrojnë qeverinë në detyrë nga objektivi i tyre primarë që është lufta kundër virusit covid-19.
Ose më saktë, ata duan sa më shumë viktima nga ky virus. Vetëm kështu ata besojnë se mund ta ulin popullaritetin që e gëzon sot Levizja Vetvendosje.
Vetëm kështu ata mendojnë se mund të ruajnë pasuritë e grabitura nga populli që po ju rrezikohen nga ligjet që kjo qeveri është e vendosur t’i zbatoj, apo edhe të hartoj dhe aprovoj ligje të reja.
Çfarë plani djallëzor! Këta pasanikë, mendjemëdhenj dhe prepotent, por trutharë, vërtet mendojnë se ky virus nuk mund ta sulmoj edhe ndonjërin nga ata, apo ndonjërin nga të dashurit e tyre?