22 Dhjetor 2024

Kërkohet të barazohet krimineli me viktimën

Shkruar nga Shpëtim Idrizi

Raporti i parlamentarit zviceran Dik Marti, kundër kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, luftës çlirimtare që ai drejtoi bashkë me shokët e tij, nuk është vetëm kundër tyre, por ndaj të gjithë ne. Ai është shprehje e një konspiracioni të vazhdueshëm të zotit Marti kundër shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve si komb në përgjithësi.

Në fakt nuk ka qenë konspiracion vetëm i tij, por dhe i zonjës Karla Del Ponte, me të cilën, ai ka bashkëpunuar në cilësinë e prokurorit.

Ky konspiracion mbështetet mbi një themel të dobët siç është shpikja e ish- hetueses së Gjykatës së Hagës për Krime Lufte, Karla Del Ponte, për ekzistencën e të ashtuquajturës Shtëpi e Verdhë në Veri të Shqipërisë.

Raporti në fjalë, madje, ka referenca për hetimin e nisur prej saj në Kosovë dhe dështimin e këtij hetimi. Shpikja sensacionale e zonjës Del Ponte, nën ndikimin e kuzhinës mjeshterore serbe, për të fabrikuar fakte, Ku sipas të cilës në atë Shtëpi

bëhej trafikimi i organeve të të ashtuquajturve robër lufte serbë, është zhvleftësuar nga koha, dhe nuk është provuar asnjëherë.

Madje unë kam informacion se libri i zonjës Del Ponte ku përmbahen këto akuza, është bllokuar nga autoritetet zvicerane, pikërisht në prag të shpërndarjes së tij.

Është provuar shkencërisht se trafiku i organeve kërkon kushte të caktuara, që s’mund t’i plotësonte shtëpia e fshatarit të thjeshtë shqiptar, qoftë ajo në Dibër, qoftë në Fushë Krujë.

Mesa duket zoti Marti, nuk e pranon këtë dështim të bashkëqytetares së saj. Ai e ka mbështetur mbi këtë shpifje të paprovuar asnjëherë, akuzën e tij ndaj Kryeministrit të Kosovës dhe në përgjithësi gjithë luftës së drejtë të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.

Ky raport synon të zhvleftësojë punën e organeve hetimore të pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

Është e çuditshme sesi një njeri i vetëm, që përfaqëson Këshillin e Europës, pa mjete investigative, të arrijë të kryejë një hetim kaq specifik, më mirë se të gjithë organet e specializuara.

Madje të kapërcejë në aftësi dhe punën e zonjës Del Ponte, që ishte në krye të një organi të specializuar.

Ky raport mbështetet mbi të dhëna, por jo mbi fakte, jo mbi prova. Ky element e bën atë, një raport me frymëzim politik dhe jo profesional

Përfundimi dhe bërja publike në një gazetë britanike me frymëzim të majtë, e rezultateve të stisura të këtij raporti, në kohën kur në Kosovë përfunduan zgjedhjet, tregon akoma dhe më qartë për një frymëzim politik të këtij raporti.

Shpallja e këtij raporti, kur Kosova do të ulet për bisedime me Serbinë, synon që të dobësojë pozicionin negocial të palës shqiptare në këto bisedime, imazhin e saj. Ky është një argument tjetër pse të paktën frymëzimi i zotit Marti është politik.

S’po supozoj dhe për elementë të tjerë ndikimi të palës serbe tek zoti Marti. Pala serbe është e njohur për teknikat e saj lobuese, korruptuese për të fabrikuar fakte në mediat botërore gjatë luftës së Kosovës, apo dhe më parë. Ndaj asgjë nuk duhet të jetë e çuditshme.

Ky raport është mbështetur më së shumti në “gjetjet” e prokurorisë serbe. Edhe ky është një moment, që qartëson frymëzimin politik të palës serbe.

Ky raport ka frymëzim politik të qartë dhe nga pjesa argumentuese e tij. Ai ka bërë të vetat të gjithë argumentet e kuzhinës serbe kundër shqiptarëve.

E ashtuquajtura udhëheqje e moderuar serbe, nuk ka arritur të kapërcejë mentalitetin e shoqërisë së vet dhe t’i kërkojë ndjesë popullit shqiptar, për krimet e kryera. Dhe në ndihmë i vijnë pikërisht fabrikime të tilla, sipas të cilave dhe shqiptarët kanë kryer krime monstruoze mbi serbët, dhe se “e keqja ka dy anë, jo vetëm një”. Edhe ne historine e popullit cam ka momente te ngjashme, kur ata qe kryen krime mbi ta, tentuan t\'i perbaltin me krime te shpikura, te kryera ne menyre kolektive. Teoria e barazimit te kriminelit me viktimen eshte  e njohur ne historine e krimeve.

Me cilësinë e anëtarit të Asamblesë së Këshillit të Europës, si Kryetar i një partie si Partia për Drejtësi dhe Unitet, që ka çështjen kombëtare në themel të saj, unë e denoncoj raportin, si raport me frymëzim politik, me qasje sensacionale, i pathemeltë, dhe antishqiptar.

Zoti Marti madje është i njohur për qëndrime të tilla më parë, në cilësi të tjera.

Në librin autobiografik të politikanit kosovar Bexhet Pacolli, përcillen momente nga vizita pompoze e Martit, i rrethuar me policë, bodigardë të shtetit të vet,  në Kosovë.

A është serioz ky njeri? Vërtet beson se mund ta kthejë rrotën e historisë mbrapsh? Vërtet beson se sot mund të përlyejë shqiptarët me krime monstruoze? Vërtet beson se qenka më i zoti se gjithë policitë europiane dhe perëndimore që janë të pranishme në Kosovë?

Në këtë raport prej mitomani ka shumëçka antishqiptare. Ndaj reagimi ndaj tij është gjëja e duhur që mund të bëjmë.

Reagoi dhe zoti Tadiç, me njëlloj kujdesi, sepse do të kuptohej qartë sintonia serbe me raportin e Martit, ndaj këtë duhet ta bëjmë dhe ne. Reagoi dhe prokuroria serbe, sipas te ciles, raporti provon drejtesine e hetimeve te saj. Unë besoj fuqimisht se Këshilli i Europës do t’a hedhë poshtë këtë krijim, këtë fabrikim pervers dhe antishqiptar, që nuk fyen Hashim Thaçin, apo Qeverinë e Kosovës, por mbarë kombin tonë.

(Autori është kryetar i PDU)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)