Kërkimi i të vërtetës të shpie deri tek ajo
Shkruar nga Zenelabedin Latifi
Për ta gjetur një gjë duhet ta kërkosh. Por nuk do të thotë se gjithçka do të gjesh vetëm pse e kërkon. Kusht për ta gjetur është ekzistimi i saj e jo se a është e mbuluar apo e zbuluar.
Gjithmonë gjërat e vlefshme janë të mbuluara dhe duhet vetë t\'i kërkosh e t\'i zbulosh. Rruga deri te e vërteta mund të jetë shumë e gjatë, por arritja nuk është e pamundshme.
Shumë njerëz duke mos e kërkuar kurrë të vërtetën u ndalën tek e pavërteta duke e llogaritur si të vërtetë dhe ashtu jetuan gjithë jetën të verbër, me pretekstin se ashtu i gjetën paraardhësit dhe vazhduan rrugën e tyre.
Ka nga ata që edhe pse e dinë të vërtetën, prapë vazhdojnë të jetojnë me të pavërtetën duke u shtirë kinse nuk po dijnë asgje.
Mirëpo, ata vetëm vetveten e mashtruan dhe e hodhën në humbje me duart e veta.
Ka shumë raste që kanë qenë duke jetuar me të pavërtetën, por kërkimi i të vërtetës, hulumtimi dhe dëshira për ta njohur atë i solli deri tek njohja dhe gjetja e së vërtetës që do tu sjellë lumturinë e përhershme.
Kam parë shumë njerëz që kanë pranuar Islamin, dhe ata thonin se çdoherë që kanë kërkuar nga prindërit ndonjë përgjigje për fe, se cila fe është e vërteta nga Zoti, ata çdoherë kanë marrë përgjigjen se ashtu thotë Bibla dhe gjithashtu duhet vazhduar kjo sepse është trashëgimi nga stërgjyshërit.
Mirëpo, ata që në të vërtetë e nisën rrugën e njohjes së të vërtetës, në fund nuk mbetën duar bosh, por u shpërblyen me gjetjen e saj, pra me pranimin e Islamit.
Ishte një rast i një fëmije i cili ishte lënë nga prindërit që të zgjedhë cilën fe të dojë, duke ia lënë librat e të gjitha feve për t\'i lexuar.
Dhe kështu ai pasi lexoi për të gjitha fetë, në fund e kuptoi se e vetmja fe e cila të ngrohte shpirtin, të ndriçonte jetën, të kënaqte zemrën ishte feja e vërtetë, ajo që u zbrit nga Allahu i Plotëfuqishëm, pra feja Islame.
Sa e sa njerëz u dërguan në ferr me duart e prindërve të tyre, duke mos kërkuar të vërtetën dhe duke e fshehur atë, e shumë të tjerë menduan se me fshehjen e saj do ta zhdukin Islamin, por jo Islami nuk zhduket kurrë.
Nuk do të thotë se e mbulon një gjë dhe ajo zhduket, sepse Islami është i vërtetë dhe ai që u mundua me duar ta ndalë dritën e Diellit nuk arriti kurrë ta bëjë një gjë të tillë, kurse ai që u mundua me mbylljen e syve të bëjë errësirë nuk ishkaktoi askujt tjetër errësirë përveç vetvetes.
Çka nëse jeton qindra vite me të pavërtetën? A do të gjesh rehati, kënaqësi e shpëtim? Jo asnjëherë.
Por edhe nëse jeton shumë pak me të vërtetën, ti do të jesh më i lumturi, do të kënaqesh, do të gjesh rehati dhe do të jesh i shpëtuar përgjithmonë në jetën e ahiretit.