21 Prill 2025

Kërkesat e shoqatave të luftës janë të paligjshme, të padrejta dhe të pakuptimta

Shkruar nga Shkëlzen Gashi dhe Rron Gjinovci

Ditëve të fundit organizatat përfaqësuese të familjeve të dëshmëorëve, të invalidëve dhe të veteranëve të luftës kanë dërguar një listë prej 1000 emrash, që thuhet se u takojnë këtyre kategorive, për tu pranuar pa iu nënshtruar procedurave të pranimit, duke u thirrur në një Memorandum Bashkëpunimi, të nënshkruar më 30 shtator 2009 mes UP-së dhe shoqatave të luftës.

Memorandumi thotë që UP merr përsipër të sigurojë mbështetje të qëndrueshme dhe të krijojë lehtësi për studim për familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët e luftës dhe fëmijët e invalidëve dhe veteranëve të luftës. Sipas këtij memorandumit, UP ndihmon këto kategori në:

-    regjistrimin si studentë të rregulltë dhe me korespodencë,
-    lirimin nga pagesa e semstrave,
-    mbështetjen me bursa,
-    sigurimin e literaturës falas,
-    ndihma të tjera sipas nevojës.

Këtu pika e parë është shumë e paqartë dhe për rrjedhojë problematike sepse nuk e dimë se çka nënkupton “ndihmon” në regjistrimin si studentë të rregulltë dhe me korespodencë.

Një tjetër pikë edhe më problematike e këtij memorandumi është ajo ku thuhet se shoqatat e dala nga lufta obligohen për dërgimin e listave të studentëve që do të përfitojnë nga ndihmesat e UP-së.

Kjo për arsye se ekziston dyshimi se me këto lista janë bërë manipulime nga udhëheqësit e këtyre shoqatave me qëllime edhe të ryshfetit, sidomos kur kihet parasysh se një prej një nënshkruesve të këtij memorandumi, është akuzuar për vjedhje të votave në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010.

Duke pasë parasysh këtë, konsiderojmë se, përveç që duhet të ndërprehet praktika e deritanishme e dërgimit të këtyre listave, organet përgjegjëse shtetërore duhet t’i hetojnë të gjitha listat e dërguara deri tash.  

Për më shumë, kërkesa e shoqatave të dala nga lufta është joligjore. I vetmi autoritet që i çertifikon kategoritë e dala nga lufta është Departamenti i Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës (DFDIL) në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Kjo gjë është e përcaktuar me ligjet e Republikës së Kosovës dhe nuk mund të ndryshohet nga asnjë shoqatë e asnjë autoritet tjetër përveç Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në Ligjin Nr.4/L-054, që rregullon të drejtat e kategorive të luftës, në nenin 6, pika 7, thuhet qartë që kategoritë e përmendura më lart kanë vetëm përparësi për regjistrim në institucione publike. Me miratimin e këtij ligji, çdo memorandum që nuk është në përputhje me ligjin, zhvleftësohet.

Në fund të fundit, ato që rregullojnë funksionimin e institucioneve janë ligjet e jo memorandumet. Prandaj, kërkesa e këtyre organizatave është e paligjshme, e padrejtë dhe e pakuptimtë.

Universiteti i Prishtinës nuk duhet dhe nuk mund të jetë qendër e rehabilitimit, por institucion akademik ku hulumtohet dhe studiohet.

Të gjithë fëmijët e këtyre kategorive që i plotësojnë kushtet për pranim dhe që janë të barabartë me pikë me kolegët e tyre, duhet të kenë përparësi, pra, vetëm kur ata janë të barabartë me kolegët e tyre.

Është absolutisht e pakuptimtë që dikush të regjistrohet pa iu nënshtruar plotësimit të kritereve. Kjo punë thjesht nuk bëhet në një universitet normal.

Zgjidhja e vetme që mund të arrihet këtu është që DFDIL si departament në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ta dërgojë një listë të miratuar nga ta në numër shumëfish më të vogël, personat e së cilës listë duhet t’i nënshtrohen procedurave për regjistrim dhe testeve pranuese, e pastaj të pranohen nëse ata i kanë përmbushur kriteret bazë.

Kjo do ta hiqte mundësinë e shpërdorimit të listave nga organizatat e ndryshme dhe do ta institucionalizonte këtë çështje.

Ne si aktivistë socio-politikë jemi të gatshëm të luftojmë për ta mbrojtur me çdo kusht interesin publik, në këtë rast Universitetin e Prishtinës. Për të gjithë ata që synojnë ta keqpërdorin publiken, duhet ta kenë të qartë se Universiteti i Prishtinës është vija e kuqe.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)