28 Dhjetor 2024

Kërcenimi i madh i një njeriu të vogël

Shkruar nga Behxhet Sh. Shals

Hyrje: Në vitin 1981, në Gjykatën e Qarkut në Sarajevë, ku isha student, më dënuan me tre (3 ) vjet burg për veprën penale të propagandës armiqësore apo për terrorizëm verbalë që sanksionohej me ligjet e ish Jugosllavisë e që në fakt ishte dënim kundër lirisë së shprehjes sepse atëherë kërkonim liri, barazi dhe republikë  siç e kishin popujt e tjerë në ish Jugosllavi.

Në vitin 1984, Gjykata Ushtarake në Zagreb më dënoi me 12 vjet burg së bashku me tetë ushtarë shqiptarë tjerë që u dënuan me dënime nga 2  deri në 12 vjet burg të rëndë. Këtij grupi “armiqësor“ iu shqiptuan 57 vjet burg.

Vepra për të cilën u akuzuam dhe dënuam ishte propaganda armiqësore apo terrorizmi verbalë, rrezikimi i tërësisë territoriale të ish Jugosllavisë, bashkimi për veprimtari armiqësore, rrezikimi i  rendit kushtetues dhe terrorizëm.

Në bazë të këtyre cilësimeve parashihej edhe dënimi me vdekje. Për veprën e terrorizmit ishim akuzuar se kishim planifikuar të vjedhim armatim të rëndë (përfshirë këtu edhe mjetet e blinduara ), ikja me atë arsenal armatimi nga Ilirska Bistrica (Slloveni ), kalimi në Itali, prej Italie në Shqipëri për të hyrë përfundimisht në Kosovë.

Pastaj,  se kishim planifikuar që në kuzhinën ku pregatitej ushqimi për të gjithë ushtarët dhe eprorët e të gjitha kombeve dhe kombësive, ta hudhnim një helm special (që ne shqiptarët e kishim shpikë ) dhe i cili do të shkaktonte vdekjen e të gjithë ushtarëve përjashtuar shqiptarët ndonëse shërbeheshim me të njëjtin ushqim.!

Merreni me mend se çfarë sajesash kanë përdorur për t’i dënuar shqiptarët, Ndonëse ata  që na kanë dënuar nuk kanë qenë shqiptarë, dëshmitarët që janë detyruar të dëshmojnë për këto “ fakte “ kanë qenë 99 % shqiptarë ndërsa hetuesit që i kanë kurdisur këto procese kanë qenë oficerë  të KOS –it (shërbimi kundër zbulimit) dhe kanë qenë shqiptarë familjarët e të cilëve sot në Kosovë, Maqedoni dhe viset ku jetojnë shqiptarët janë bartës të posteve të larta publike madje edhe ata vetë mbajnë poste.

Vazhdim 1: Me datën 14 korrik 2014, gazetari, eruditi, intelektuali dhe mbrojtësi i pakompromis i fjalës së lirë të atyre që i hudhin ndonjë asht (jo gjithmonë kushtimisht asht ) për ta futur në gojë apo diçka për të lepirë, kosovari (jo shqiptari ) Halil Matoshi në gazetën “ Koha Ditore “ me titull “ Të bastisen RTK, BIK dhe KMDLNj …” më akuzon për terrorizëm verbalë, konspiracion, shikist,  korrupsion, jotransparencë, xhihad e çka jo tjetër dhe në mënyrë implicite i bënë thirrje publike (më shumë është urdhër ) prokurorisë së shtetit për t’i bastisur këto tri çerdhe të terrorizmit dhe për t’i arrestuar këta terroristë të rrezikshëm që e rrezikojnë paqen dhe stabilitetin botëror!

As terrorizmin e as terroristët nuk i futa në thonjëza sepse shkrimi i Lil Kosovarit nuk ishte dyshim por aktgjykim!

Në bazë të titullit kuptohet se bastisja fillon me RTK, BIK dhe KMDLNJ dhe vazhdon ku ta dijë unë me kend sepse në fund të titullit janë pikat që  nënkupton se të tjerët janë në radhë !

Ky është duket një skenar i atyre që duan të vijnë në pushtet sepse janë lëshuar urdhërat që menjëherë të mirren RTK, BQK dhe ata që u kanë penguar apo medojnë se do të jenë pengesë në marrjen dhe forcimin e pushtetit!

Këtë, (për RTK ) e tha edhe një deputete e kaolicionit paszgjedhor në emisionin Interaktiv, Paralajmërim i keq dhe kërcënim i hapur përmes telallit që shitet për pesë para e që nuk vlen as gjysmën e kësaj shume! 

Gjatë arrestimit të parë, në pyetje më ka marrë dhe më ka trajtuar  UDB-ja ndërsa gjatë arrestimit të dytë më ka trajtuar KOS –i që nënkupton se ata që më kanë arrestuar dhe trajtuar kanë qenë profesionistë në përputhje me shkallën e rrezikshmërisë që e kam pasur. Tash, nëse më merr në pyetje një denoncues medial dhe denoncues i Burgut të Pozharevcit  i maskuar tash si kolumnist, nuk më bënë të ndjehem mirë,  Do të ishte  një prapakthim i madh !

Por duket se mund ta fitoj një vlerë të shtuar sepse, në bazë të përshkrimeve që m’i bënë denoncuesi i Burgut të Pozharevcit  lehtë mund të jem në bazën e të dhënave të hetuesit amerikan Klint Viliamson prandaj gjasat më rriten të bëhem pjesë e ndonjë aktakuze për krime lufte në Siri, Irak apo Libi !

Për herë të parë, vetëm pasi u zura me pelë për dore, e pranoj se tërë kohën, në kushte të një konspiracioni të thellë kam punuar me Mufail Limanin dhe Naim Tërrnavën për formimin e shtetit Islamik të Irakut dhe Shamit dhe jemi ndarë për shkaqe tipike shqiptare, nuk u morrëm vesh se kush do të bëhet Kalifi i Madh i këtij kalifati islamik! Duket se për këtë arsye edhe nuk jemi ftuar në Iftarin e shtruar nga ambasadorja Xhejkobson !

Vazhdimi 2: Pas përfundimit të luftës kur KMDLNj (kryesisht Baca Adem dhe unë ) i vizitonim serbët dhe romët e rrezikuar në Kosovë por edhe në Serbi dhe Maqedoni , disa që janë në pushtet dhe që duan të vijnë në pushtet na akuzonin si tradhëtarë sepse po duam ta rikonolizojmë Kosovën me serbë dhe romë! Kur në shkurtin e vitit  2000 reaguam kundër krimeve ndaj shqiptarëve dhe joserbëve (11 të vrarë dhe 13000 të shpërngulur ne dhunë nga Veriu ) na akuzonin se jemi kundër bashkëjetesës.

Kur në shtator të vitit 2003 në Burgun e Dubravës u mbytën 5 –ë të burgosur shqiptarë dhe u lënduan mbi 100 – të tjerë na akuzonin se po i mbrojmë kriminelët, thuaja se të burgosurit nuk ishin njerëz! Në vend të bëhen hetime dhe të ofrojnë drejtësi për viktimat, u amnistuan ata që i mbytën këta të burgosur!

Gjatë ngjarjeve të marsit 2004, kur kërkuam hetime dh drejtësi për viktimat (11 shqiptarë, 9 serbë dhe 3 fëmijë shqiptarë të mbytur në lumin Ibër ) dhe kur u shpërngulën për shkak të dhunës mijëra serbë dhe romë, na akuzuan se jemi nxitës të situatës përmes terrorizmit verbalë   prandaj KFOR-i francez e arrestoi Halit Beranin.

Këtu, në fakt ndërkombëtarët na i ndërprenë të gjitha fondet, Sepse, në bazë të denoncimeve të denoncuesve profesionistë na cilësonin si nacionalistë!

Prandaj na i këputën thuaja të gjitha fondet !  Nga ky vit vetëm kemi mbijetuar. Kur shkonim në Serbi dhe i vizitonim serbët dhe romët e zhvendosur, ambasadat e huaja na lusnin që KMDLNj të dalë e para publikut sepse këta cilësoheshin dhe fyheshin si NATO ubice – vrastarët e NATO-s. 

Atëherë ishim të mirë, Kur reagonim ndaj dhunës vendore dhe ndërkombëtare që ushtrohej pa nevojë (në shumicen e rasteve ) ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes e që përfundoi me ekzekutimin kriminal dhe krejt të panevojshëm të Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, na akuzonin se, jo që jemi avokatë të Vetëvendosjes por se jemi anëtarë të kësaj lëvizjeje. Duke bërë përpjekje të na margjinalizojnë skajshmërisht.

Ne kërkonim drejtësi për viktimat, neve na izolonin! Na e morën monitorimin e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale vetëm se nuk na vlerësuan se jemi politikisht të përshtatshëm. Ndonëse punën e bënim në mënyrë të shkëlqyer! Askush nuk pati guxim t’i mbronte Jeta Xharrën dhe Jeta Abazin përveç KMDLNj-së.

Apo ta gjykojë fushatën kundër familjes së Veton  Surroit siç e bëmë ne në KMDLNj. Ose kur e sulmonin Ilir Dedën për shkak të përkatësisë kombëtare të nënës të cilën nuk e kishte zgjedhur por e kishte nënë! KMDLNJ, ndër të parët pati kundërshtuar djegien e librit të Veton Surroit “ Këmbët e Gjarprit “ ndënëse mendoj se nuk ka libër më racist dhe fashist të botuar në gjuhën shqipe ! Dhe shumë raste të tjera.

Ku jemi tash: Thashë më lartë se jam dënuar dy herë me 15 vjet burg të rëndë për shkak të bindjeve politike  dhe lirisë së shprehjes. Liria e shprehjes, bindjet politike dhe të drejtat politike janë të pandashme me të drejtat e njeriut.

Prandaj, është e pamundur të keshë të drejta të njeriut e mos të kesh liri të shprehjes dhe të drejta politike. Dhe anasjelltas! Edhe sot, sa i përket  këtyre të drejtave jam i pakompromis dhe  me as një çmim nuk do ta mbyll gojën, Qoftë edhe  nën kërcënime që më bëhen nga ata që nuk u pëlqejnë reagimet e mia apo e vërteta ime që nuk pretendoj se gjithmonë kam të drejtë. Kur gaboj kërkoj falje.

Gabimi është diçka njerëzore ndërsa pendimi dhe kërkimfalja kur gabon është hyjnore! Ate çka e kam thënë për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës e cila, në vend se të jetë seancë solemne u shndërrua në seancë të turpit nuk e ndryshoj as për një pikë e as për një presje. Mos u ngutni, pritni vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ndoshta do të jetë në favorin tuaj. E keni rrokë me orruk me e marrë pushtetin. Nëse doni pushtet, prisni sepse ka rregulla. Nëse e merrni edhe postin e kryekuvendarit por edhe të kryeministrit, ju qoftë për hajr dhe unë do t’ju uroj.

Nuk jam në armiqësi as me Isa Mustafën e as me Ramush Haradinajn e as me Fatmir Limajn. E as me ty, Halil Matoshi ndonëse nuk ke një pikë burrërie dhe njerëzie. Por për të gjithë juve kam vlerësimet e mia, Të cilat i bëjë publike, pa as një ngurrim!

Kam shkruar edhe më parë se nuk jam në dashuri me Hashim Thaçin por qartazi po bëhet fushatë kundër tij. Po bëhet fushatë edhe kundër RTK-së, pa as një dyshim.

As unë nuk pajtohem krejt me politikën redaktuese të RTK-së por jam kundër linçimit publik që po e bëni si mjet për arritjen e qëllimeve personale dhe pushtetit. Naim Tërrnavën nuk e keni sulmuar më parë por tash, duke e ndërlidhur në mënyrë të pandershme me xhihadin islamik po bëni fushatë kundër tij, Në këtë  mënyrë u vardiseni ndërkombëtarëve, Pse heshtët kur ai e ndërroi Kushtetutën e BIK-ut. Ju kujtohet cili ishte atëherë reagimi i KMDLNJ-së ?! E pati botuar gazeta ku ti ordinon tash.

As sa i përket  vizitës së prokurorit Villiamson nuk kam çka të ndryshoj dhe nuk ndryshoj asgjë. Nuk e kam mbrojtur e as që e mbroj krimin, sidomos të luftës por ai duhet të dëshmohet! Në rastin konkret, as prokurori nuk ofrojë dëshmi, Çdo gjë bëhet me kohën.

Nëse Hashim Thaçi apo dikush tjetër bëhet pjesë e akuzës, jo unë, por askush nuk do mund t’i mbrojë! Mirëpo, ishte fushatë sepse paralajmëroheshin tërrmete në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit duke u përmendur subjekte të posaçme dhe emra të përveçëm.

A nuk është kjo fushatë dhe linçim publik në kohën kur nuk e keni një aktakuzë konkrete me emra të akuzuarve. Pritni edhe këtu pak dhe mos u dëshpëroni pse gjërat nuk po shkojnë me shpejtësi që ju e dëshironi !

Nëse i marrim si statistika, shqiptarët kanë pësuar më së shumti në këtë pjesë të Ballkanit dhe gjithashtu, më së shumti shqiptarë janë arrestuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit!

Keni durim, kanë mbetur edhe vetëm pak persona nga lufta që doni t’i arrestoni. E çka pastaj ?! Shtëpinë e Verdhë dhe trafikimin e organeve ju e keni popullarizuar ndonëse nuk do të ketë gjë prej kësaj pune. Për krime lufte edhe mund të ketë akuza por edhe dënime. Kush i ka bërë dhe i dëshmohen këto krime, ia pafshin hajrin!

E ardhmja: Po pres bastisjen që e ka urdhëruar denoncuesi tinëzar i Burgut të Pozharevcit  që tash është bërë denoncues publik. Mbase për rritje të transparencës është bërë denoncues transparent.

Madje edhe hetues, prokuror dhe do të përfundojë si gjykatës, Sikur Beria i Stalinit! Po pres që nga shuma prej 500.000 euro që kinse i paska dhënë qeveria para shtatë viteve për t’i mbyllur gojën KMDLNj-së, t’i derdhin edhe 390.000 euro  sepse në xhirollogarinë e KMDLNj-së janë derdhur vetëm 110.000 euro.

Kjo lehtë vërtetohet edhe nga xhirollogaria e KMDLNj-së në Pro Credit por edhe nga thesari. Në vende normale dikush do të përgjigjej për këto dezinformime, Por, po presim qe qeveria Haradinaj ta shlyej borxhin e qeverisë Thaçi ndaj KMDLNJ-së. Ndryshe, mbaruam fare dhe do të detyrohemi që tërë materialin që e kemi  ta dorëzojmë në Arkivin e Kosovës sepse  do të jetë interesantë për gjeneratat që vijnë, Këto të sotit po merren me gjëra tjera.

Në Arkiv do t’i dorëzojmë edhe dosjet financiare, Madje edhe ato të paraluftës që i kemi ruajtur! Në ndërkohë nuk do të lëshojmë më dëshmi për persona të vrarë, viktima të dhunës, për të izoluarit dhe ish të burgosurit politikë apo materiale tjera, Origjinalin e kemi vetëm ne dhe ato do të bëhen herët  a vonë pjesë e Arkivit të Kosovës.

Halil Matoshi është zemëruar pse e kemi vënë në thonjëza. Pa merak sepse nuk je as për thonjëza. Halil Matoshi paska vendosur të bëjë rezistencë ndaj RTK –së, BIK-ut dhe KMDLNj-së duke vlerësuar se: “ ndaj neve cok është e ligjshme rezistenca “.

Nuk e di dhe nuk më intereson si do të veprojnë RTK dhe BIK por nga KMDLNj nuk ke pse ruhesh. Ruaju nga vetja jote. Ose nga ligji, Pas kësaj, shohim e bëjmë ! Kemi ende gjëra për të thënë .

             

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)