Keqmenaxhimi i parasë publike
Shkruar nga Lulzim A. Beqiri
Miliona euro në vit tjetërsohen brenda Institucioneve Shtetërore të Republikës së Kosovës, në forma të ndryshme, që nga dyfishimi i çmimeve për një produkt të blerë, e deri te keqmenaxhimi i projekteve madhore, manipulohet edhe me komplekset memoriale, raste që çdo ditë raportohen në media të shkruara dhe elektronike.
Pasojat ekonomike që dalin nga keqmenaxhimi dhe keqplanifikimi i parasë publike janë shumë evidente në Republikën e Kosovës, kjo tregon se taksat e tatimpaguesve kosovar humbin si pasojë e faktorit njeri, shpenzimi i parasë publike duhet të bëhët në mënyrë më efikase efektive dhe me një transparencë më të madhe.
Sipas KDI-së rezultat i mungesës së cilësisë pas realizimit të kontratave po bënë që investimet të ndodhin nga dy herë dhe operatorët ekonomik detyrohen ti frenojnë punët që nuk janë përfunduar mirë.
Ne si tatimpagues nuk mund të lejojmë humbjen e parasë publike, përveç detyrës si tatimpagues për të mbrojtur paranë publike duhet të brengosemi edhe për investimin e saj, pasi që jemi dëshmitar se investimet nga paraja publike shpesh keqmenaxhohen nga ana e shumë organizatave buxhetore.
Qeveria Haradinaj aprovoi projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve ’90. Sipas projektligjit, secili qytetar i Kosovës i cili ka së paku një vit përvojë pune në arsimin paralel gjatë viteve të okupimit ka të drejtë të marr pension mujor. Sipas institutit GAP dhe i konfirmuar edhe nga Ministria e Financave e Republikës së Kosovës kostoja vjetore e këtij ligji do të shkojë deri në 25 milionë euro në vit. Në 30 vitet e ardhshme, për zbatimin e këtij ligji do të nevojiten së paku 650 milionë euro.
Problemi tjetër është huazimi nga institucionet ndërkombëtare çka kemi pasë edhe humbje të ndryshme si pasojë e mos menaxhimit të duhur, Republika e Kosovës aktualisht ka borxhe rreth 1 miliardë euro ose 1/3 e buxhetit të shtetit, çdo qytetar i Kosovës i detyrohet borxhit me rreth 600 euro.
Mirëpo Ministria e Financave përgjatë viteve 2009-2017 ka respektuar në tërësi limitin e lejuar ligjor për marrjen e borxheve publike. Trendi i regjistruar gjatë kësaj periudhe nuk paraqet ndonjë kërcënim për stabilitetin financiar të shtetit raporton auditori i përgjithshëm në raportin e tij të vitin 2017.
Ligji për borxhet publike Nr. 03/L–175, i jep të drejtën Qeverisë për të huazuar para, për të dhënë garanci për hua, për të paguar shpenzimet për marrjen e borxhit dhe për të paguar kryegjënë dhe interesin e borxheve shtetërore. Ministrit të Financave i jep të drejtën dhe përgjegjësinë, për t’u kujdesur për tërë menaxhimin dhe administrimin e borxheve dhe të programeve të autorizuara për garancinë e huave të Republikës së Kosovës, duke përfshirë kufizimet, zhvillimin e një Programi për Menaxhimin e Borxheve dhe Strategjisë për Menaxhimin e Borxheve.
Ligji për borxhet publike e përcakton që në asnjë rast shuma e kryegjësë e papaguar e borxhit të përgjithshëm nuk duhet të tejkalojë dyzetë për qind (40%) të Bruto Prodhimit Vendor (BPV). Në rast se borxhi i përgjithshëm e tejkalon dyzet për qind (40%) të BPV, Qeveria duhet t’i paraqes Kuvendit strategjinë për të kthyer borxhin e përgjithshëm nën pragun dyzetë për qind (40%) brenda një viti.
Sipas Raportit të Auditorit borxhi i përgjithshëm i evidentuar nga Ministria e Financave në fund të vitit 2017 ishte 996,423,735 euro. Në këtë shumë nuk janë përfshirë garancitë shtetërore prej 44 milionë euro. Këto shuma përbëjnë 16,63% të Bruto Prodhimit Vendor (BPV).
Auditori ka dhënë vërejtje serioze lidhur me borxhin ndërkombëtar ku sipas tij borxhi ndërkombëtar i ratifikuar në fund të vitit 2017 ishte 1,080,470,000 euro, ndërsa borxhi i pa kthyer apo stoku ishte 422,150,000 euro. Prej vlerës së ratifikuar të kredive janë tërhequr 784,670,000 euro, ndërsa vlera prej 295,810,000 euro mbetet e pa tërhequr.
Pse marrin kredi kur nuk i shfrytëzojnë, si pasojë janë shpenzuar afro 900 mijë euro për tarifat e zotimit për mjetet e kredive të pa tërhequra.
Në fund të vitit 2017, borxhi ndërkombëtar i Kosovës ishte 422,150,000 euro, apo 42.4% e borxhit të përgjithshëm, ndërsa në raport me BPV, borxhi ndërkombëtar ishte 6.75%.
Borxhi ndërkombëtar në vitin 2017 është rritur për 48,380,000 euro. Në vitin 2016 Republika e Kosovës kishte mbi 373 milionë euro borxhe ndërkombëtare, në vitin 2009 kur edhe filloi borxhi ndërkombëtar Kosova morri përsipër rreth 250 milionë borxhe në mënyrë që të ngritet infrastruktura rrugore e ligjore për një jetë më të mirë të qytetarëve të saj.
Nga borxhi i ratifikuar që nga viti 2009 deri më 31.12.2017 në vlerë 1,080 milion euro, Republika e Kosovë ka shpenzuar 785 milion euro dhe ka filluar të kthejë këstet e kredive në vlerën prej 356 milion euro, duke përfshirë edhe kredinë e konsoliduar C nga ish Jugosllavia, si pjesë e borxhit shtetëror të Kosovës.
Pjesa më e madhe e kthimit të kredisë është bërë për kredinë e konsoliduar C në vlerë 223 milion apo 63% e vlerës së kthyer, ku pjesa prej 123.7 milionë është parapaguar në vitin 2009 thuhet nga raporti i auditorit lidhur me borxhet publike 2009 deri në 2017.
Nga tabela e shërbimit të borxhit ndërkombëtar paraqiten kthimet e kryegjësë, shpenzimeve të interesit, tarifave zotuese dhe tarifave tjera.
Sipas kthimeve të kredive, shihet që kthimet më të mëdha kanë filluar nga viti 2014, me theks të veçantë në vitin 2016 ku kemi kthimin më të madh në vlerë 77,280,000 euro, dhe në vitin 2017 një kthim prej 70,640,000 euro.
Politizimi i vazhdueshëm i administratës publike mbetet një shqetësim dhe ndikon negativisht në efikasitetin dhe pavarësinë profesionale të administratës publike sipas Raportit të Progresit 2018, ka edhe qindra vendime të cilat kanë irrituar qytetarët dhe bashkësinë ndërkombëtare, siç ishte rasti i punësimeve në Ministrinë e Tregtisë dhe rritjen e pagave, andaj ky popull meriton një qeverisje më efektive, efikase dhe transparente.