Keqkuptimi është ligj i pashkruar i absurdit
Shkruar nga Besim Xani
Këtu e shtatëdhjetë vjet më parë Albert Kamy diku në një nga veprat e tij thotë Arti i bashkon njerëzit, kurse gënjeshtra i ndan.
Kjo koincidencë profetike m’u realizua një ditë në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë ku, te raftet e mbushura me libra të filozofisë befas u takova me neuropsikiatrin e njohur, profesorin Skënder Boshnjaku; aty, kokë më kokë, zhvilluam një bisedë çasti për librin, edhe më e çuditshme ishte kërkimi i librave: ai kërkonte një dramë të Samuel Bekket-it, kurse unë një dramë të Albert Kamysë.
Keqkuptimin që fatkeqësisht nuk po arrija ta kapja brenda kësaj koincidence profetike të Kamysë, më bëri të mendoja për një ese të shkurtër.
Në bibliotekën time e kam një libër që është disertacion doktorate për Albert Kamynë me titull Albert Kamy, njeriu, mendimtari artisti shkruar nga Ardian Marashi, specialist i Kamysë.
Meqë shumë herë e kam lexuar këtë vepër, u ndala te drama Keqkuptimi për ta kapur thelbin e porosisë që ka kjo dramë, duke e parë ndërthurjen e saj me realitetin.
Kamy na mëson se e vërteta nuk të kursen nga vuajtjet, por ajo fillon ta përsosë natyrën njerëzore, kurse genjeshtra i ndan njerëzit nganjëherë, edhe më keq, lind tragjedi nëse ti nuk tregon thjesht se kush je, fol thjesht që të njohin të gjithë na porosit filozofi.
Një grua me të bijën e vrasin një djalosh në bujtinë pa e ditur, në të vërtetë, se djaloshi ishte biri (vëllai) i saj.
Posa e zbulojnë, gruaja (vetë) varet, kurse vajza mbytet në një pus. Djali i kthyer pas njëzet vjetësh nga kurbeti plaqkitet nga nëna dhe motra që nuk e kanë njohur.
Por kjo tragjedi nuk do të ndodhte sikur djali të mos gënjente, të mos luante me absurdin, por menjëherë të tregonte të vërtetën unë jam djali yt i ardhur nga kurbeti.
Dashuria nuk zbulohet përderisa të thuhet fjala të dua thotë një shkrimtar spanjoll, Una Muno. Kamy vjen në përfundim se në një botë të padrejtë dhe indiferente njeriu mund të shpëtojë veten dhe tjetrin, vetëm nëse tregohet i sinqertë dhe i thjeshtë.
Personazhi tragjik, Jani, luan me absurdin, gënjen me shpresë se të nesërmen do t’i gëzojë familjarët se ka ardhur nga kurbeti për t’i mbushur me gëzim, por ja ky është absurdi, nuk të falë, të vret!
Ky ferr që u krijua nga një gënjeshtër e paqëllimtë, ngase djali nuk e tha të vërtetën, duke u futur kështu në lojën e absurdit, lojë që do të sillte tragjedinë më pas.
Pra heroi i dramës, Jani, duke mos ua thënë të vërtetën nënës dhe motrës së tij, abuzon me dashurinë e aty ku s’ka dashuri, absurdi bëhet mbret thotë Albert Kamy.
Nënë e bir, thotë Kamy nuk kuptohen nga heshtja, heshtje kjo që i ngjason armiqësisë. Jani ka luajtur me fatin duke besuar verbërisht se nëna do ta njihte, kurse motrën e tij e ka verbuar egoizmi për pasuri për të ikur nga ai vend e për të jetuar më mirë.
Kush nuk e njeh absurdin, lehtë bie në grackën e tij, ngase racionalja kurrë s’mund ta kuptojë atë. Pra thelbi i lojës me absurdin qëndron pikërisht këtu: absurdi nuk të falë, të vret dhe keqkuptimi gjithmonë do të jetë ligj i pashkruar i absurdit.
Një mendimtar veprat e ciklit të absurdit të Albert Kamysë do t’i quajë tragjedi e komunikimit njerëzor.
Pra tri vdekje ndodhën nga një keqkuptim; qysh nga antika, nga ku Sokrati bën thirrje O njeri njihe veten tënde! ende s’kemi përgjigje për këtë thënie të tij, ngase siç thotë Kamy, njeriu në këtë botë është i huaj, nuk ka mundësi ta njohë as veten as tjetrin.
Nëse njeriu gënjen ose hesht, ai do të vdesë i vetmuar, nëse e thotë të vërtetën, ai ka për të vdekur, por do t’i ndihmojë edhe veten edhe të tjerët. Jani ka harruar se fjala ka pushtet.
Të gjithë ne jetojmë çdo ditë me nga një keqkuptim sikur te romani I huaji ku merso, personazhi kryesor ndihet i huaj, pranon krimin, por s’e pranon fajin, po ashtu edhe Jani ndihet i huaj, jo vetëm në raport me botën, por edhe në shtëpinë e tij,ashtu edhe Marta, e motra, ndihet e huaj në malësi.
Kamy thotë se qenia njerëzore është e dënuar me mërgim, ngase çdokush është i ndarë nga diçka që e do me shpirt në këtë botë, gjithçka ndryshon pas 20 vjetësh. Jani, nënën edhe motrën, i gjen të kriminalizuara, ani pse nuk ishin të tilla kur kishte mërguar.
Ai mendon se ngjarjet do të ndodhin ashtu siç i paramendon ai, ky është absurdi që të fut në grackën e tij; Maria gruaja e Janit duke besuar se nëna dhe motra do ta njohin djalin e tyre, ajo ndalet për çudi në një bujtinë tjetër, pra mekanizmi i absurdit në këtë situatë, ku askush nuk e njeh askënd, funksionon në mënyrë të përkryer për të përfunduar me tragjedi.
Po ashtu, në këtë ambient ndodhet edhe shërbëtori plak, që i di të gjitha, këtu Kamy e vendos shërbëtorin plak në pozitën e Zotit që di gjithçka, por hesht, është indiferent, nuk përzihet në punët e njerëzve.
Edhe Ismail Kadare në romanin e tij Gjenerali i ushtrisë së vdekur në një kapitull ka një episod të ngjashëm: në mes të priftit dhe gjeneralit bëhet një monolog, - e shihni, - thotë prifti, në këto bjeshkë sa me vështirësi zë fill jeta e një njeriu, por sa lehtë mund ta humbësh nga një fjalë e thënë pa vend, nga një mahi e tepërt, apo nga një shikim i zjarrte i një vajze të huaj.
Pra keqkuptimi sado që ndonjëherë aksidental, shpesh herë mund të shndërrohet në tragjedi.
Atë (keqkuptimin) mund ta hasësh kudo, madje edhe në një parking veturash, në një çast krejt të zakonshëm, apo kur je padashur në një ambient nervrik, ku të shoqërojnë shikimet e ngrysuara e plot vrazhdësi, ku moskuptimi është kuptimi i vetëm që mbretëron në çaste të tilla, në një botë ku lehtë dallon shikimin e një njeriu neurotik nga shikimi i njeriut paqësor.
Ekziston vetëm dashuria për komunikim thotë Albert Kamy, ngase dy qenie njerëzore kurrë nuk mund të kuptohen në bërthamë, kujdes nga absurdi, ai nuk të falë të vret! Çdo ditë mund të keqkuptohem me njerëzit, kujdes, ruaje veten dhe tjetrin!
/Autori është Filozof/