Keq e ke or Edvin Rama
Shkruar nga Gani Qarri
Shqiptarët e Kosovës, ti nuk mund ti ndalosh kurrë, me asnjë tarifë as barrierë, që tu vijnë në ndihmë vëllezërve të vet në Shqipëri dhe vazhdojnë ta duan me shpirt shtetin amë.
Ata do të gjejnë mundësi dhe mënyrë për ti tejkaluar të gjitha barrierat tua, duke paguar edhe tarifat e cilit do llojë që ti mund t`ua veshë, për të ndihmuar në këto momente të rënda, edhe ty, në krah të popullit shqiptar,por duke të kujtuar përjetësisht, si thelluesin më të madh të ndasisë kombëtare dhe përçarësin më të pashembullt të shqiptarëve.
Të vetëdijshëm se vetëm të bashkuar do të jemi më të fortë për të përballuar fatkeqësitë natyrore si tërmeti që ra tani në Shqipëri apo edhe agresionet e huaja të shteteve hegjemoniste fqinje, si okupimi klasik i Kosovës, para luftës së fundit, nga Serbia, shqiptarët e Kosovës nuk do të mund ti ndalin as tarifat dhe barrierat jashtëtokësore, që u vë vetëm atyre,por jo edhe serbit,bullgarit a grekut, Edvin Kristaq Rama.
Nga momenti që ndodhi tërmeti në Shqipëri, sytë e shqiptarëve kudo, gjatë gjithë ditës së djeshme, sot, nesër e ndoshta edhe më gjatë nuk do të pushojnë duke derdh lot për familjarët e humbur nga fatkeqësia që goditi kaq rëndë dhe papritur Shqipërinë shkaktoi numër të madh viktimash e të lënduarish dhe bëri të vuajnë bashkëkombësit e një gjuhe dhe të një gjaku, në gjithë globin tokësor.
Në mesin e aq shumë lotëve të dhembjes dhe vuajtjes, pati edhe lot krenarie, të cilët jo vetëm se nuk ishin të pakët, por edhe na prekën thellë në zemër e shpirt dhe bënë që të ndjehemi vërtetë krenar, për atë që jemi shqiptar edhe kështu si jemi.
Solidariteti kaq i madh e i menjëhershëm i çdo shqiptari dhe një populli të vogël e nga më të varfrit në rajon, në Kosovë gjithë trojet tona etnike, Evropë dhe mbarë globin tokësor, bënë që edhe një herë, të habitet bota mbarë, me shpirtmadhësinë e një kombi kaq të vogël si ky i yni, të ndarë e copëtuar barbarisht, tash e mbi një shekull më parë.
Shqipëria në vend të kujtimit të 107 vjetorit të Pavarësisë, këtë vit, nga tragjedia e madhe që erdhi kaq papritur mu në prag të kryefestës kombëtare, u detyrua ta kujtoj ndryshe këtë përvjetor dhe mbaj zi, për jetët e humbura nga tërmeti.
Që nga marrja e lajmit të hidhur për ngjarjen tragjike, shkaktuar nga lëkundjet e tokës në shtetin amë, ndihma fizike e materiale dhe mbështetja e sinqertë shpirtërore e shqiptarëve kudo, për vëllezërit e tyre, ishte e pashembullt, e madhe dhe e gjithanshme.
Përveç përkrahjes shtetërore, mbështetje solidare u organizuan edhe nga populli me vullnet vetanak dhe në mënyrë krejt spontane, gjë që flet tepër shumë për solidaritetin e pashembullt vëllazëror e kombëtar të shqiptarëve.
Ky fakt dëshmon edhe një herë më tepër se shqiptarët dardan jo vetëm se solidarizohen dhe ndihmojnë me gjithë zemër vëllezërit në Shqipëri, por se ata edhe 20 vjet pas lufte, nuk e kanë harruar asnjëherë ndihmën vëllazërore të Shqipërisë, në ditët më të vështira që atëbotë kalonte Kosova dhe banorët e saj të pambrojtur.
Çdo ndihmë dhe mbështetje materiale, është e kapshme dhe e kuptueshme kur ajo ofrohet nga njerëz pa probleme shëndetësore dhe që kanë gjendje solide materiale, por kur ndihma modeste ofrohet duke tejkaluar vetveten dhe dal mbi kufijtë e mundësive reale financiare nga njerëz të sëmurë edhe me kancer, siç u përmend një rast i një gruaje e cila u lajmërua personalisht në televizionin "Dukagjini" për të ofruar 50 eurot e veta që kishte, kjo kalon çdo përmasë të normales dhe perceptimit të kapshëm të ndjesisë njerëzore, që mund të bëhet vetëm për njerëzit e zemrës, të cilët i do edhe më shumë se vetveten.
Ndaj rasti si ky, flet katërçipërisht se populli me shpirt të madh, i Kosovës së vogël, ka merituar qysh moti të ketë shtetin e vet dhe gëzojë pavarësinë, ashtu siç kanë të drejtë të pamohueshme historike shqiptarët kudo, të bashkohen të gjithë në një shtet të përbashkët etnik, njëjtë si kombet dhe popujt tjerë në Ballkan dhe Evropë.
Madje megjithëse udhëheqësit e pahair si Hashim Thaçi e Edvin Rama, duan ti hynë në hak, një populli të urtë dhe kaq dashamirës ndaj kombit dhe shtetit amë, si dardanët për të ndarë e copëtuar edhe Kosovën dhe këtë pak truall kombëtar që ende na ka mbetur për mbijetesë, shqiptarët duhet ti rrëzojnë ata urgjentisht nga pushteti, dhe përpiqen ti bashkojnë trojet dhe pjesët e popullit të ndarë, në një shtet të vetëm, ashtu siç edhe jemi një etni dhe komb.
Bashkëkombësit nga Kosova edhe një herë më tepër, po ia bëjnë me dije Edi Ramës, se nuk duan as pranojnë,heqjen e kufirit me Serbinë, siç vijon të luaj ai me hartat e tij serbofile, por këmbëngulin për shuarjen e ndasive kombëtare që ai po i thellon,dhe heqjen e kufirit me Shqipërinë, siç dëshirojnë përjetësisht dhe kanë ëndërruar gjithmonë shqiptarët kudo.
Megjithatë Edi Rama me tendencën e tij perverse për thellimin e ndasisë ndërmjet shqiptarëve, po shkon aq larg sa që bashkëkombësve nga Kosova, po u vë tarifë edhe për dërgimin e ndihmave humanitare, për familjet e goditura nga tërmeti në Shqipëri.
Kjo është e ndaluar me të gjitha konventat ndërkombëtare, të cilat ndalojnë ngarkesën me tarifa, qofshin ato edhe rrugore, për ndihmat humanitare.
Përkundër të gjithave, të vetë dijshëm se vetëm të bashkuar do të jemi më të fortë për të përballuar edhe fatkeqësitë natyrore si kjo tani në Shqipëri,dhe sidomos agresionet e huaja të shteteve hegjemoniste fqinje, si okupimi klasik i Kosovës, nga Serbia,para luftës së fundit çlirimtare për dëbimin e saj, shqiptarët e Kosovës nuk do të mund ti ndalin as tarifat dhe barrierat jashtëtokësore të Edi Ramës, çfarë do qofshin ato, për të ndihmuar dhe dëshmuar një me vëllezërit e një gjuhe dhe të një gjaku në Shqipëri.
Sjelljet dhe qëndrimet e tilla, le të mbeten vetëm qëndrime antikombëtare dhe anti-kohë të Edvin Kristaq Ramës, ndërsa shqiptarët, duhet të vazhdojnë të mos heqin dorë asnjëherë nga unifikimi i kombit, sepse vetëm bashkimi, na garanton prosperitet dhe një të ardhme më të sigurt për të gjithë ne.
Shqipëri, bashkëkombësit kudo në vend dhe diasporë, të sigurojnë me fjalë dhe vepra se mbeten përherë dhe të gjithë me Ju!
Rroftë Shqipëria etnike dhe shqiptarët kudo që ata jetojnë!
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shpëtoftë shqiptarët nga tragjedi të tilla dhe çfarëdo e keqe tjetër që mund tu ndodhë.
Edhe tërmeti që ra po dëshmon se vetëm të bashkuar mund ti përballojmë më lehtë edhe fatkeqësitë si kjo.
Ndaj për fund, urojë që tragjedi të tilla të mos përsëriten kurrë më, ndërsa familjeve të prekura, u shpreh nga zemra ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e më të dashurve të tyre dhe dhembjet e pësuara nga ky tërmet i rëndë, që kaq papritur goditi Shqipërinë!