Kartat bankare në Kosovë dhe rëndësia e tyre në ekonomi
Shkruar nga Petrit Balija
Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2021 bankat kanë aprovuar 10,842 karta bankare duke arritur gjithsej në 1,388,757 karta aktive në posedim të klientëve bankar duke shënuar rritje prej 4.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kartat bankare janë instrumente pagesash të lëshuara nga bankat në mënyrë që klientët të kenë qasje në mjetet e tyre financiare në çdo kohë për të kryer pagesa, si dhe për tërheqje të parasë së gatshme nga bankomatet.
Megjithëse kartat bankare janë teknologji e shpikur shumë dekada më parë, rreth vitit 1967, përdorimi i tyre në Kosovë dhe rajon ende mbetet nën hijen e parasë së gatshme e cila dominon pagesat në ekonomi. Sidoqoftë, tendencat e klientëve bankar në vitet e fundit janë në drejtim të përdorimit të shërbimeve dixhitale ku bën pjesë edhe karta bankare.
Numri i përgjithshëm i kartave bankare dominohet nga kartat me funksion debiti prej 87.1%, përderisa 12.9% kanë funksion krediti. Gjatë të njëjtës periudhë, kartat debit u rritën për 5.1%, përderisa kartat e kreditit u rritën për 2.8%.
Përmes kartave bankare, qytetarët kanë mundësi të bëjnë transaksione dhe pagesa bankare në çdo kohë online apo edhe përmes rrjetit të pikave të shitjes (POS).
Nga numri i përgjithshëm i kartave bankare është e rëndësishme të theksohet se afër 57% e gjithsej kartave bankare funksionojnë pa kontakt fizik (contactless). Kjo paraqet një faktor shumë të rëndësishëm gjatë realizimit të pagesave duke pasur parasysh që gjatë periudhës së pandemisë rekomandohet që të reduktohen në maksimum kontaktet fizike.
Në kohën kur ekonomia ka qenë e mbyllur për shkak të masave kufizuese për parandalim dhe mbrojtje nga COVID 19, respektivisht gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020, kishte pasur zvogëlim të trendit të rritjes së numrit të transaksioneve me karta ku kishte vetëm 1.2% rritje në raport me 2019.
Megjithatë, numri i transaksioneve me karta bankare shënoi rritje të lartë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2021 ku u regjistruan mbi 4,488,976 transaksione, e cila paraqet rritje prej 33% në krahasim me periudhën e njëjtë me vitin 2020.
Kjo rritje e transaksioneve me karta bankare është indikator pozitiv si për zëvendësimin e parasë së gatshme me transaksionet me karta ashtu edhe për ekonominë e vendit në tërësi. Përfitimet dhe përparësitë për pagesat me karta bankare janë të shumta duke përfshirë:
· Siguri më të lartë dhe efikasitet në pagesa, duke mundësuar pagesën edhe për transaksionet për shuma të vogla dhe të përditshme;
· Pagesat me kartë bankare mund të bëhen në të gjitha pajisjet POS të bankave të Kosovës, pa provizion dhe pa dallim në shumën që e paguani;
· Pagesat me kartë bankare ndihmojnë në luftimin e ekonomisë jo-formale dhe parandalimin e shpërndarjes së parasë së falsifikuar;
· Kontrollë më e lehtë dhe e shpejtë e pagesave përmes raportit elektronik bankar;
Sektori bankar në Kosovë në vazhdimësi kontribuon drejt dixhitalizimit të proceseve, dixhitalizimit të shërbimeve dhe produkteve bankare sipas standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.
Në këtë kuptim, edhe Shoqata e Bankave të Kosovës në bashkëpunim me Mastercard dhe bankat komerciale në Kosovë ka organizuar një fushatë shumë të suksesshme informimi në nivel nacional në lidhje me përfitimet që sjellin pagesat me karta bankare.
Ne jemi mirënjohës këtyre partnerëve të cilët po kontribuojnë shumë në modernizimin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës duke ofruar infrastrukturën dhe shërbimet e nevojshme të pagesave për bizneset dhe ekonomitë familjare në Kosovë.
/Autori është Kryeshef Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës/