Kaosi urban
8 Nëntori Dita botërore e planifikimit të qyteteve, është ditë e rëndësishme për çdo qytetar të botës që dëshiron qytet më funksional, lagje më urbane, mjedis të mbrojtur dhe të menaxhuar me më shumë kujdes, përgjegjësi më të lartë qytetare.
Përmbushja dhe respektimi i këtyre dëshirave do të na ndihmojë që të shmangemi nga praktikat e deritashme me ndikim në zhvillimin stihik të qyteteve tona, shpesh të pamenduar mirë dhe me pasoja të papërmirësueshme.
Për herë të parë, Dita Botërore e Planifikimit të Qyteteve është shënuar në vitin 1949, si nevojë e angazhimit gjithëpërfshirës në vendosjen e politikave, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e kualitetit të jetës në përgjithësi.
Kjo ngjarje u iniciua nga Carlos Maria della Paolera, profesor në Universitetin e Buenos Aires, me qëllim të avancimit të interesit publik dhe profesional në fushën e planifikimit.
Kjo ditë na përkujton se planerët duhet të jenë profesionistë të trajnuar, të cilët me angazhimin e tyre në institucione qeveritare, në firma konsulente, në kompani private dhe institucione arsimore, duhet të ndikojnë në përmirësimin e kualitetit të vendbanimeve tona.
Duhet të ndihmojnë në hartimin e planeve për zona të reja të zhvillimit, dhe të ndikojnë në korrigjimin e zonave të vjetra. Me angazhimin e tyre të pazëvendësueshëm, planerët duhet të ndihmojnë edhe në hartimin e politikave qeveritare nga të cilat duhet të përfitojnë të gjithë.
Aktualisht, kjo ditë e rëndësishme e sektorit të planifikimit hapësinor festohet në shumë qytete në të gjitha anët e botës. Sa i përket organizimit, iniciuesit dhe organizatorët kryesisht janë institucione profesionale, që për qëllim kryesor kanë promovimin e planifikimit gjithëpërfshirës duke i bërë bashkë planerët profesional dhe publikun e gjerë.
Ky është viti i dytë që edhe Kosova përkatësisht Instituti për Planifikim Hapësinor, pjesë e institucioneve qendrore relevante, po e shënon këtë ditë të rëndësishme të planifikimit urban. Këtë vit, për dallim nga viti i kaluar, në të cilin ngjarje qendrore ishte konkursi i fotografive me temën Qyteti im, trashëgimia ime, kemi vendosur të trajtojmë, pse jo, edhe ta hapim debatin lidhur me temën e kaosit urban në qytetet tona.
Përkufizimi për Kaos (chaos) urban nga anglishtja (dictionary.com) një situatë krejtësisht konfuze ose e parregullt urbane; mungesë totale e organizimit urban.
Aktualisht, në mesin e telasheve dhe sfidave që po përballemi si shoqëri, padyshim se bëjnë pjesë edhe telashet e zhvillimit urban dhe ndërtimit. Në këtë aspekt, përpos pakënaqësisë kolektive për situatën, opinioni i përgjithshëm është se nuk është punuar sa duhet dhe si duhet.
Në çdo bisedë apo debat për zhvillimin e qyteteve tona, gati është e paevitueshme shprehja kaos urban dhe përpjekja për të gjetur fajtorët. Në të shumtën e rasteve faji i mëveshët autoriteteve përgjegjëse komunale; Faji bartet shpesh edhe te rregullat dhe ligjet në fuqi; Jo rrallë herë, fajtor të situatës definohen profesionistët dhe ndërtuesit, pa e përjashtuar edhe ndikimin e politikes, si njëri nga fajtorët kryesor.
Në një situatë të tillë, është i rëndësishëm dhe shumë i nevojshëm vullneti për të ndryshuar sjelljen ndaj këtij problemi, me ndikim të madh në jetën tonë dhe kualitetin e saj në përgjithësi.
Si përkufizohet kaosi urban?; Cilat janë situatat e kaosit urban?; Cilët janë shkaktarët e kaosit urban?; A është kaosi urban për të gjithë i njëjtë?;. Këto janë disa nga pyetjet, përgjigjen e të cilave duhet ta kërkojmë në situatat e mëposhtme, për të cilat të gjithë e kemi hisen e përgjegjësisë:
Ndërtimi pa leje dhe pa plan - Kjo është njëra ndër situatat e shpeshta në qytetet tona, kur qytetarët për interesa të ndryshëm inkurajohen në stilin nisja ti se procesi për hartimin e planit do të fillojë dhe lejen e merr më vonë.
Sipas kësaj situate ndërtimi ndodhë në një zonë pa plan, në të cilën mund të mos ketë plan për një kohë të gjatë, apo të mos ketë fare plan. Pasojat janë shumë të dukshme dhe gjendja në zonën përkatëse me presion të vazhdueshëm, duke filluar nga: ballafaqimi i vazhdueshëm i pronarëve me ligjin; infrastruktura jo adekuate dhe rreziku që situata e njëjtë të vazhdojë pa fund; çrregullimet dhe zhurma urbane e kontestuar nga të gjithë, edhe nga vet protagonistët; peizazhi i dëmtuar; imazhi i keq dhe me ndikim serioz në imazhin e përgjithshëm të qytetit.
Ndërtimi pa leje me plan paraprak - Ndërtimi fillon pa leje në një zonë me plan, në të cilën qytetarët inkurajohen në stilin e njëjtë nisja se lejen e merr më vonë. Ky është një proces të cilin pronari përkatës e fillon pa i përfunduar obligimet financiare ndaj komunës.
Në një situatë të tillë, komuna nuk është në gjendje të zhvillojë infrastrukturën e nevojshme, dhe për pasojë, në zonën përkatëse rendi i zhvillimeve është i çrregulluar dhe me tendencë të zgjatjes së afatit kohor të rregullimit përfundimtar. Në këto raste ndërmarrja e iniciativave individuale për sigurimin e infrastrukturës dhe shërbimeve është e pashmangshme, e cila më vonë shndërrohet në pengesë të realizimit të planit.
Ndërtimi me leje në një zonë me plan dhe pa infrastrukturë përkatëse teknike - Në këtë situatë problemi është vet komuna, përkatësisht njësia menaxhuese përgjegjëse. Edhe pse të gjithë pronarët i kanë realizuar obligimet e veta, infrastruktura adekuate mungon dhe për pasojë gjendja nuk është e qetë.
Ka mungesë të shërbimeve, infrastruktura rrugore dhe qasja nuk janë të lehta. Si reagim i pritjeve të gjata, fillojnë iniciativat individuale të sigurimit të shërbimeve, me ndikim shumë serioz në zgjidhjet e planifikuara dhe të aprovuara urbane, të cilat në përgjithësi do të ndikojnë në zgjatjen e afatit kohor të rregullimit përfundimtar.
Zhvillimi sipas planit joprofesional - Në këtë situatë, përgjegjës janë hartuesit dhe aprovuesit e planit jo adekuat urban. Një plan i tillë zakonisht është rezultat i profesionistëve jo kompetent, për të cilët zgjidhja adekuate urbane është interesi dhe brenga më e vogël. Këto raste bëhen edhe më problematike kur fillohet të ndërhyhet në ndryshimin e planit pa procedurë. Në këtë situatë, ndërhyrjet e tilla shpesh të inkurajuara, vetëm sa e bëjnë më të qartë kaosin.
Zbatimi i ligjit - Në rrethanat tona, fitohet përshtypja se respektimi i rregullave është më shumë çështje dëshire se sa obligim qytetar. Ka pak situata (por edhe atëherë) të ballafaqimit me ligjin, për shkak të mosrespektimit të tij. Fatkeqësisht, është duke u ndërtuar dhe po kultivohet një mentalitet, një bindje se ligjet janë formale, janë sa për tu plotësuar kërkesat.
Kjo dukuri shpesh bie në sy në situatat që ndërlidhen me ndërtimin dhe çështjet urbane. Pjesë e saj jemi të gjithë: janë zyrtarët përgjegjës, të cilët me vetëdije ose pa të, bëjnë shkeljet e rregullave; janë profesionistët, të cilët në emër të përfitimit mbyllin sytë karshi ligjit; shkelës të rregullave janë edhe qytetarët, të cilët për shkak të vështirësive ekonomike, dëshirës për të ikë nga obligimet dhe shpesh të shtyrë edhe nga një pjesë e zyrtarëve të papërgjegjshëm, vendosin të fillojnë veprimet e kundërligjshme.
Duke i pasur këto parasysh, konsiderohet se mos respektimi i rregullave është faktori tjetër, me ndikim serioz në krijimin e kaos situatave urbane. Anashkalimi i rregullave ka ndikim direkt në krijimin e situatave të pazgjidhshme, situatave kur veprimet e pjesës dërmuese të aktorëve janë në kundërshtim me ligjin. Në këtë situatë, çmimi për përmirësimi e gjendjes është i lartë dhe i pa përballueshëm, dhe për pasojë, banorët janë të dënuar të jetojnë në një kaos zonë urbane të tillë.
Ndikimi politik - Politika dhe vendimmarrësit me veprimet dhe mosveprimet e tyre, po ndikojnë drejtpërdrejtë në komplikimin dhe krijimin e hapësirës për veprime të vazhdueshme abuzive nga të gjithë përgjegjësit dhe pjesëmarrësit tjerë. Ndikimi dhe vullneti i drejtë politik, edhe pse i fundit në këtë listë, për nga rëndësia është padyshim faktori kryesor, me pasoja në të gjitha situatat.
Prandaj, duke i pasur parasysh të gjitha situatat e mësipërme, e konsiderojmë se është momenti i fundit për të vendosur një qasje të re në planifikim urban, një qasje në të cilën planerët duhet ta kenë ndikimin e duhur profesional, qytetarët pjesëmarrjen e tyre më aktive dhe posaçërisht udhëheqësit komunal të kenë kurajën për të marrë vendimet e duhura dhe parimore për zhvillimin e qytetit të tyre.
/Autori është drejtor i Institutit për Planifikim Hapësinor në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës/