Kanuni përballë politikës pragmatike. Pse?
Milazim Krasniqi
Leximi i mbrapshtive
Fushata e egër kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit për president të shtetit është mbështetur në dy shtylla kryesore: e para, e sponsorizuar nga shërbimet sekrete antishqiptare dhe, e dyta, e mbështetur në thirrje në kanun, pra në thirrje për hakmarrje, duke manipuluar me ngjarje të pandriçuara dhe duke shpupuritur mykun e disa historive të së kaluarës.
Meqë për shtyllën e parë të kësaj fushate brutale kam shkruar në një rast tjetër, (Pse sulmohet kaq brutalisht Hashim Thaçi), kësaj here po e trajtoj shkurtimisht manipulimin opozitar me ngjarje të pandriçuara e me histori të mbuluara nga myku i harresës, por që u tentua të instrumentalizohen politikisht, duke u thirr në Kanun. Por, sulmet e këtilla me ngjarje të hidhura e me lexim të tyre jashtë kontestit, nuk u drejtuan vetëm kundër Hashim Thaçit.
Ato u drejtuan edhe ndaj shumë të tjerëve, me synimin që ti nxitnin që të mos e votonin presidentin e ri, po ta shpinin vendin drejt anarkisë dhe kaosit. Sulme të ndyra me këtë parashenjë u drejtuan veçmas ndaj dy deputeteve të LDK-së, Teuta Rugovës dhe Doruntina Malokut, pjesëtare të dy familjeve emblematike në historinë e kësaj partie, po dhe të Kosovës mbarë. Niveli i ulët i fyerjeve ndaj tyre nuk ia vlen as të evokohet këtu e as të mbahet mend. Duhet të mbahet mend vetëm tentimi i ndyrë i manipulimit me ngjarje të së kaluarës, në të cilat ato personalisht nuk kanë qenë me asgjë të përfshira, ndërsa atyre u kërkohej llogari për to.
Fjala vjen, deputetes Doruntina Maloku po i kërkohej që qëndrimin e saj si deputete ta kishte të kushtëzuar nga ngjarja e hidhur e vrasjes së babait të saj, një krim që nuk është ndriçuar ende. Logjikisht, derisa krimi nuk është ndriçuar nga drejtësia, nuk është normale e as e lejueshme të bëhet me gisht ndaj kujtdo. Sot për sot mund të mendohet se Enver Maloku ka mundur të jetë viktimë edhe e shërbimeve sekrete serbe. Por, edhe nëse ka qenë viktimë e ndonjë segmenti të atëhershëm të shqiptarëve, ai organizim më nuk ekziston, ndërsa vrasësi ose vrasësit mund të jenë rehatuar në organizime të tjera, e jo aty ku aludojnë denoncuesit trutharë.
Prandaj, nuk mund ti ngarkohet një këso barre vajzës së të ndjerit, e cila është e zgjedhur për të shërbyer si ligjvënëse, e jo si hetuese për vrasjen e babait të saj! Mendësia kanunore e anarkistëve dhe e mujsharëve parapolitikë nxit pikërisht idenë që të bëhen denoncime pa fakte dhe që të dominojë mania e hakmarrjes, për të shkaktuar pastaj anarki e kaos. Edhe në rastin e Teuta Rugovës është e njëjta gjë: tentuan ta manipulojnë, duke manipuluar me raportet e babait të saj, me ngjarje e me njerëz, për të cilat/cilët, ajo nuk ka asnjë përgjegjësi. Kërkesa që Teuta Rugova të mbajë rivalitet me ata që paskësh pasur ndonjë mëri babai i saj si president vendi, në fakt është mënyrë kanunore e të menduarit!
Ajo u dashka të hakmerret ndaj ndokujt për babanë, e jo të shërbejë si deputete? Madje edhe nëse babai i saj president, ka pasur marrëveshje bashkëqeverisëse dhe ka bashkëpunuar intensivisht në procesin e ndërtimit të shtetit me ata persona, ose me atë subjekt? Bile, edhe nëse partia e babait të saj është në koalicion dhe ka marrëveshje të shkruar më atë subjekt, Teuta u dashka ta vazhdojë hakmarrjen fiktive për babanë e saj, i cili për dallim nga Enver Maloku, ka pasur vdekje të natyrshme dhe është përcjellë me nderime nga i gjithë populli?
Ku e ka burimin kjo mënyrë kanunore e primitive e të menduarit, e cila nxori krye si gjarpër helmues në politikën e lartë dhe në gazetarinë e lartë të Kosovës, gjatë kësaj antifushate brutale?! Si është e mundshme që këta njerëz, që më gjasë janë politikanë e opinionbërës, e mendojnë politikën aktuale si hakmarrje kanunore, për ngjarjet e pandriçuara dhe ngjarjet e kaluara?
Në fakt, manipulimi me të kaluarën, është bërë e bëhet për ta mbajtur të fuqishme virulencën e konflikteve e armiqësive, të cilat do të përdoreshin për ardhjen e dikujt në pushtet, qoftë dhe me çmimin që lojërat e këtilla do ta dobësonin dhe mbase edhe do ta dështonin shtetin. Kërkesa e anarkistëve dhe mujsharëve parapolitikë, që politika aktuale e shtetit tonë të bllokohet nga paqartësitë e të kaluarës, qoftë ato që i përkasin drejtësisë, qoftë ato që i përkasin studimit historiografik, nuk është vetëm absurde, po është edhe e rrezikshme.
Për ta kuptuar se sa absurde dhe sa e rrezikshme është kjo tendencë, mund të shërbejë edhe ky krahasim i vogël: do të ishte njësoj sikur Barak Obama sot ta kushtëzonte bashkëpunimin me Putinin, duke qenë i kufizuar dhe i bllokuar nga raporti armiqësor që ka pasur Gjon Kenedi me Hrushovin, në kohën e krizës së Kubës. Ose nga dyshimet e pavërtetuara se Li Osvaldi e ka vrarë Kenedin, me urdhrin e sovjetikëve! Po të merreshin si bazë e marrëdhënieve të sotme ndërmjet SHBA-së e Rusisë ato ngjarje e ato armiqësi, është afër mendsh se në çdo çast do të mund të fillonte lufta!
Por, bota normale e di se ngjarjet e kaluara, sado të hidhura që të kenë qenë, nuk bën kurrsesi ta determinojnë politikën pragmatike. Shtetet evropiane e kanë dhënë provën më madhështore, pikërisht duke i tejkaluar krimet e hasmëritë e kaluara e duke aplikuar politika pragmatike në bashkëpunim e në integrim.
Modeli ynë duhet të jenë ato përvoja të shteteve evropiane, e jo mënyra kanunore e të menduarit. Edhe në rastin tonë, si shtet i ri, historia për të kaluarën duhet të mbahet mend dhe drejtësia gjithsesi duhet të vendoset, por as njëra e as tjetra nuk duhet të jenë barrë e deputetëve, qeveritarëve e politikanëve gjatë veprimeve të tyre ditore e pragmatike në ditët tona.
Ndoshta ajo që pati thënë Çërqilli për gazetarët, se ata nuk kanë as miq e as armiq të përhershëm, duhet të vlejë edhe për politikanët. Pse? Sepse realiteti që ndryshon vazhdimisht, edhe politikanët i shtyn që të ndryshojnë, që të ndjekin logjikën e ngjarjeve, e jo të mbeten të barrikaduar në istikame. Mbase ata që mbeten në istikame nuk janë më politikanë, po shndërrohen në pasues të Don Kishotit, në misione e luftëra të imagjinuara. Ose janë thjesht faqezi, që duan të bëjnë sherre të shtyrë nga ligësia e nga ambicie të sëmura. (Epoka e re)