29 Dhjetor 2024

Kacavirrja e kokëtrashëve me vesh të shpuar drejtë politikës

Shkruar nga Bahri Bivolaku

Numër i madh i njerëzve po mundohen t’u kacavirren mureve të politikës, qofshin ato mure të larta apo më të ulta, të cilat simbolizojnë nivelet lokale.

Kacavirrja e mureve të politikës të njerëzve ziliqarë, lakmitarë e pa personalitet të formuar është një kotësi, pasi arritja atje e të tillëve nuk do t’ju sjell personalitet tjetër.

Ata mund ta veshin një petk imagjinar, por në brenditë e tyre mbesin ato që kanë qenë, njerëz lakmitarë me personalitet të sëmurë e që asnjëherë nuk do ta arrijnë lumturinë e jetës.

Në Kosovë, në jetën politike të saj duhet t’u vie fundi për njerëzit e tillë, të cilëve u mungon ndërgjegjia e mirë.

Politika sot e do mendimin, qetësinë, e do alternativën, debatin dhe kundërshtimet programore, e do argumentin e thënë në vend të zhurmës e britmave, lakmimeve të shprehura, por edhe veprimeve tjera të njerëzve ziliqarë.

Politikës në Kosovë dhe komunave të saja i duhen njerëz me ndërgjegje të mirë, pasi të tillët edhe e kanë temperamentin e qetë, kanë karakterin e mirë dhe personalitetin.

Ziliqarëve u mungon karakteri dhe të gjitha tjerat. Ata nuk do të mund të bëhen të lumtur as me gjithë pasurinë e botës e lëre më veshja me petkun e politikës duke u kacavirrur mureve. Temperamentet e rrëmbyera nuk janë çelësi për kapërcimin kualitativ të gjendjes, ato nuk sjellin lumturinë e qetësinë, përkundrazi paraqiten pengesë e saj.

Temperamentin e qetë e arrijnë politikanët apo njerëzit me ndërgjegje të mirë, ato janë virtyte jo të blera, por të fituara nga jeta, janë privilegje që nuk mund të arrihen nga ziliqarët e lakmitarët edhe me pozita të larta shoqërore e pasuri.

Kokëtrashëve me vesh të shpuar, të cilët nuk dëgjojnë zërin e Kosovës së sotme më kot i kacavirren mureve të politikës, ata me zilitë e lakmitë e tyre, përkundër që veshen me petka politike partiake nuk ndërrojnë karakteret e tyre, mbesin ata që kanë qenë ziliqarë të njohur për nga personaliteti.

Petku partiak nuk të bënë burrë më të mirë, ndoshta për një moment krijon ndjesi se ke fuqi më të madhe, por në fakt je ai që ke qenë.

Njerëzit e tillë të mbushur me hile e ziliqarë, por që tani po kacavirren mureve të politikës krijojnë ndjesinë e mbretit të shfaqur në teatër dhe vazhdojnë të mendojnë të jenë dikushi edhe në jetë, përkundër që u mungon ndërgjegjia e mirë e personaliteti.

Ka ardhur koha që në Kosovë, në skenën politike të saj të lirohen vullnetet e uzurpuara nga njerëzit e tillë, për ta bërë popullin më të lumtur.

Kacavirrjet në muret e politikës nga ziliqarët, hileqarët dhe njerëzit pa personalitet e karakter janë një kotësi e momentit që shëmton vullnetet qytetare, shëmton vlerat më të çmuara të tij dhe tregon jo vlerë e civilizim.

Bashkë me ndryshimet tjera që ka sjellë koha, ka ardhur një valë tjetër e të menduarit elektoral dhe sjelljet e individeve që nuk kanë qëllim mirëqenien e qytetarëve do të mbesin mureve.

Ata që kanë prekur sukseset e qeverisë vite më përpara dhe që i kanë dhënë përkrahje një vizioni politik, mund të mos shohin në të njëjten rrugë, po qe se individë të tillë nuk u zbresin mureve   dhe të ecin rrafashit për t’u marrë me punë të tyre, të ndershme ose të pandershme, por jashtë politikës.

Gjithmonë ka një rrugë edhe për ata që nuk kanë menduar se vijnë kohë të reja dhe asesi politika nuk mund të jetë shpëtimi i ndërgjegjes së tyre. Atyre mund t’u thihen flokët, t’u shtohen rrudhat ballit, por ndërgjegja mbetet e njëjta.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)