23 Dhjetor 2024

Ka filluar të ndikoj ndryshimi i mendimit dhe bindjeve tek qytetarët

Shkruar nga Ali Hertica

Sot, në mediet tona mund të shohësh dhe dëgjosh shumë lajme në formë reklamave për synimet tona të integrimeve evropiane.

Politikanët tanë në pushtet (por edhe ata që lajkatojnë për pushtet në opozitë) reshtur na flasin se kjo rrugë nuk ka alternativë.

Edhe pse, në fakt, dita ditës po varfërohemi dhe degradohemi moralisht dhe politikisht, “Evropa e bashkuar” si formulë hipnotike e mbajtjes tonë sa më të gjatë në këtë gjendje shprese të rrejshme, po funksionon mrekullueshëm.

Kështu që, çfarëdo kritike eventuale (individuale apo grupore) që mund të na shfaqet publikisht si mendim ndryshe ndaj këtij synimi si fiksion, lehtë përmbyset përmes atij anatemimi tashmë të njohur politik: “Ja ku janë antievropianët!”; “Ja ku janë antiamerikanët!

Sa më thellësisht në përsiatje po tentoj që nga retrospektiva t’i analizoj rrjedhat e gjertanishme të trendeve shoqërore - politike në këtë hapësirë tonë të brishtë kosovare, gjithnjë e më tepër po bindem mbi saktësinë e atij postulati religjioz si urtësi, i cili thotë: “Çdo populli, Zoti do t’ua jep asi fati dhe udhëheqjeje të cilën ata vërtet e meritojnë!”.

A thua, ku qëndron faji kryesor për këtë gjendje të përgjithshme që ne e kemi sot?

Pse jemi ashtu si jemi dhe pse e kemi situatën ashtu sikur e kemi?

Për këtë dhe shumë shqetësime tjera të shtruara, mendoj se faji kryesor duhet të jetë te ne si popull dhe tek prirja e jonë e gabuar kolektive e përqafimit automatik si realitet të çdo situate e cila me mjeshtri na është imponuar nga të tjerët.

Dhe, jo vetëm kaq! Edhe përpos paralajmërimit dhe vërejtjes me kohë të ndonjë cenimi flagrant të këtyre interesave, si popull, përherë na ka munguar ndjesia e frymës së përbashkët për reagim solidar kolektiv ndaj një padrejtësie çfarë do qoftë ajo.

Bota gradualisht po zgjohet! Edhe pse disa herë të shpallur si populli më i durueshëm dhe më optimist në botë, në vitin 2019, as NE nuk duhet të jemi më ashtu indiferent kundrejt këtyre lëvizjeve të shumta populliste që veç kanë filluar ta përfshinë gjithë botën. Pra, as ne gjatë vitit që po na vjen nuk do të kursehemi nga “bashkëveprimi popullor” si reagim.

Edhe pse, ndoshta i ndikuar nga një trend botëror në rritje, shprehja kolektive e pakënaqësisë përmes kësaj forme, për ne kosovarët do të vijë në një teren të gatshëm dhe të parapërgatitur mirë me kohë, sikurse është: papunësia e madhe, varfëria, korrupsioni, hajnia, nepotizmi, mediokriteti dhe servilizmi pushtetar, morali i degraduar tej mase të shoqërisë në përgjithësi…

Të gjitha këto dukuri shoqërore negative në rritje, dita-ditës po e demaskojnë fytyrën e vërtetë të kësaj politike dhe të këtij koalicioni në pushtet.

E kjo rrënje graduale e kredibilitetit të saj, në vitin 2019, do të vazhdoj me një ritëm edhe më të shpejtuar.

Andaj, përballë gjithë kësaj të keqeje që na ka kapluar si shoqëri, ndjenja e ardhjes së një stuhie të madhe të pakënaqësisë kaherë të akumuluar sociale, në Kosovë po rritet me një masë të madhe të progresioni matematikor.

Tashmë po vërehet qartë se, tek shumica e qytetarëve, “barku i zbrazët” ka filluar të ndikoj në ndryshimin e mendimit dhe bindjeve të tyre për këtë elitë politike dhe për mënyrën e saj të gjertanishme të politikëbërjes në vend.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)