Ka ardhur koha për ta vënë në dyshim privatizimin
Shkruar nga Rita Augestad Knudsen
Privatizimi është një çështje thelbësisht politike. Si një prej shumë llojeve të politikave ekonomike, privatizimi mund të përkufizohet si transferim i pronës ose i prodhimit nga sektori publik i një ekonomie në pronësi dhe shfrytëzim privat. Privatizimi është një mënyrë për ti rregulluar marrëdhëniet pronësore duke kaluar diçka nga kontrolli shtetëror në kontroll privat.
Në shumicën e demokracive elektorale kjo çështje, pra niveli i rolit të shtetit në ekonomi dhe roli dhe madhësia e sektorit privat, është diçka që diskutohet ashpërsisht. Ajo nuk është politikisht neutrale, por diçka për të cilën partitë politike zihen rreptas. Është një çështje për të cilën mendimi i dikujt varet nga simpatitë politike dhe botëkuptimi ideologjik.
Nga viti 1999 e deri më 2008 privatizimi, nën administrimin zyrtar ndërkombëtar, ishte strategjia ekonomike kryesore e Kosovës: Shtylla IV ishte pjesa e UNMIK-ut që ishte zyrtarisht përgjegjëse për rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, dhe gjatë këtyre nëntë vjetve privatizimi ishte aktiviteti kryesor i Shtyllës IV. Që në fillim të vjeshtës në vitin 1999 UNMIK-u kishte shprehur në mënyrë të qartë synimin për ta bërë privatizimin qasje kryesore të tij ndaj ekonomisë së Kosovës. Në dekadën që pasoi burime të mëdha u harxhuan për përgatitjen, planifikimin dhe për implementimin e strategjisë së privatizimit.
Privatizimi u zgjodh nga ana e zyrtarëve ndërkombëtarë në UNMIK dhe në Shtyllën e BE-së si strategji kryesore ekonomike për Kosovën jo për shkak të karakteristikave të posaçme të ekonomisë së Kosovës dhe jo pse ndonjë analizë ekonomike specifike për kontekstin i kishte çuar ata në konkluzionin se privatizimi do të ishte mënyra më e mirë për ti zgjidhur sfidat e veçanta ekonomike të Kosovës.
Privatizimi u zgjodh sepse UNMIK-u ishte një operacion i ashtuquajtur \"shtetndërtues\", dhe të gjitha operacionet e tilla në gjithë botën realizohen brenda një formati të caktuar, një modeli të caktuar për reformat që zbatohet në të gjitha vendet ky synohet ky objektiv. Operacionet e \"shtetndërtimit\", duke përfshirë modelin e UNMIK-ut për reforma, bazohen në argumentin se liberalizimi politik dhe ekonomik janë të domosdoshme për sigurinë ndërkombëtare.
Në fushën ekonomike ky model liberalizimi synon, zakonisht, privatizimin dhe tregun e lirë. Dhe ishte pikërisht kjo pse privatizimi u zgjodh për Kosovën: UNMIK-u ishte një operacion \"shtetndërtimi\" - të gjitha operacionet e këtij lloji zbatojnë një format të reformave ekonomike liberale - prandaj privatizimi ishte paracaktuar për të qenë qasja ndaj ekonomisë së Kosovës për zyrtarët ndërkombëtarë. Ai ishte një zgjedhje paraprakisht e vendosur.
Privatizimi u zgjodh për Kosovën pa diskutime gjithëpërfshirëse ekonomike, pa pyetur pse dhe a është ai një strategji e mirë për ekonominë, dhe pa i dhënë askujt nga Kosova pushtet të vërtetë vendimor. Duke ndjekur modelin \"shtetndërtues\" zyrtarët ndërkombëtarë planifikuan, përgatitën dhe ekzekutuan privatizimin në mënyrë teknike, me një gjuhë funksionaliste. Kjo meriton vëmendje sepse privatizimi nuk është çështje teknike. Ai është një çështje politike. Ai është një çështje që në demokraci debatohet, analizohet dhe vihet në pikëpyetje, dhe duhet të jetë temë e mosmarrëveshjeve, angazhimit dhe diskutimeve politike. Por në Kosovë kjo nuk ndodhi. Zyrtarët ndërkombëtarë zgjodhën, përgatitën dhe drejtuan privatizimin duke e hequr këtë çështje nga fusha e debatit demokratik dhe duke e vënë në duart e tyre - duke folur për të dhe duke e avancuar si diçka teknike dhe të padiskutueshme.
Megjithatë, ishte një gjë të cilën zyrtarët ndërkombëtarë e vunë në pikëpyetje derisa ishin në krye të privatizimit në Kosovë: si mund ta zbatonin këtë zgjedhje të paracaktuar të privatizimit pa u rrezikuar që të mbahen përgjegjës për procesin, pa u rrezikuar nga hedhja në gjyq? Ndërsa formati i shtetndërtimit i \"UNMIK-ut\" për liberalizimin ekonomik synonte privatizim të shpejtë dhe në shkallë të gjerë, ishte e rëndësishme për zyrtarët ndërkombëtarë që ta bënin këtë në një mënyrë që nuk do të kthehej kundër tyre duke i bërë ata përgjegjës për procesin.
Ky qëllim për privatizim të shpejtë dhe pa rrezik ishte komplikuar nga mjedisi i Kosovës. Historia e kohëve të fundit e Kosovës si pjesë e Jugosllavisë socialiste, si dhe periudha e saj e represionit nën Serbi, i ngritën disa probleme që e bënin privatizimin një çështje ligjërisht shumë të rrezikshme për zyrtarët ndërkombëtarë, më shumë se që kishin paramenduar. Një çështje e rëndësishme lidhej me pronësinë ligjore të ndërmarrjeve në Kosovë. Privatizimi do të thotë shitje e pronës pronarëve privatë, por në Kosovë zyrtarët ndërkombëtarë nuk ishin të sigurt se kush ishte pronari i pronës që do të shitej. Pa krijuar një kornize ligjore për privatizimin që do ta sqaronte këtë, ose të paktën do ti mbronte zyrtarët ndërkombëtarë nga ankesat rreth pronësisë, ata nuk guxonin tia fillonin me procesin.
Shqetësimi tjetër i zyrtarëve ndërkombëtarë kishte të bënte me frikën e tyre se mund të akuzoheshin se po kapërcenin mandatin e tyre gjatë privatizimit: ata nuk ndiheshin plotësisht të sigurt për lirinë e veprimit të autoritetit ligjor të UNMIK-ut në fushën e të drejtave pronësore. UNMIK-u kishte mandatin për të administruar pronën në Kosovë, por kjo nuk do të thotë se kishte të drejtën për ta shitur.
Me pak fjalë, Shtylla IV ishte përgjegjëse për rindërtim dhe zhvillim ekonomik, dhe privatizimi ishte aktiviteti kryesor i Shtyllës IV në Kosovë, nuk ishin konsideratat ekonomike ato që i dhanë formën privatizimit të drejtuar nga ndërkombëtarët në Kosovë. Në vend të kësaj, ajo që dominoi tek zyrtarët ndërkombëtarë që kishin marrë përsipër ekonominë e Kosovës ishin konsideratat ligjore: si të kryhej privatizimi pa u mbajtur ligjërisht përgjegjës për procesin. Ky ishte një shqetësim i madh në mesin e zyrtarëve ndërkombëtarë, sepse ata besonin se rreziku për t\'u paditur në gjyq gjatë privatizimit në Kosovë ishte mjaft i madh.
Frika e madhe e zyrtarëve ndërkombëtarë për përgjegjësinë e tyre u manifestua në kornizën ligjore dhe operative të procesit të privatizimit në Kosovë. Ndërsa privatizimi - një çështje krejtësisht politike - u depolitizua dhe u shndërrua në çështje teknike nga zyrtarët ndërkombëtarë në Kosovë - kuadri ligjor i privatizimit u politizua: krejt qëllimi i ligjeve të UNMIK-ut të hartuara për privatizimin në Kosovë ishte kryerja e procesit (në përputhje me formatin e paracaktuar të \"shtetndërtimit\", dhe pavarësisht nga të gjitha problemet e mëdha që zyrtarët ndërkombëtarë i shihnin në lidhje me të) pa i ekspozuar zyrtarët ndërkombëtarë ndaj rrezikut ligjor.
Diskutimet ligjore mbi privatizimin në Kosovë, si dhe zgjidhjet e bëra për procesin, u dominuan plotësisht nga zyrtarët ndërkombëtarë, ndërsa pikëpamjet dhe të drejtat e vendësve nuk u konsideruan të rëndësishme. Zyrtarët ndërkombëtarë ishin të shqetësuar për pasojat e privatizimit për regjistrat ligjorë personalë, por nuk u ndalën për të ndërmarrë një shqyrtim të plotë të pasojave ekonomike të privatizimit për njerëzit në Kosovë. Një vlerësim i tillë ende nuk është bërë, dhe, për rrjedhim, pasojat e sakta ekonomike të privatizimit mbeten të papërcaktuara deri në këtë ditë.
Ndërkaq, ajo që është e qartë pas një dekade privatizimi si qasje kryesore e operacionit gjigant të shtetndërtimit ndaj ekonomisë së Kosovës është se rreth gjysma e popullsisë është ende pa punë, rreth gjysma e saj jeton në varfëri, dhe sistemet e shëndetësisë, arsimit, infrastruktura, prodhimi vendor dhe bujqësia janë shumë shumë të dobëta. Edhe sipas vetë qëllimit zyrtar të Shtyllës IV për rindërtim dhe zhvillim privatizimi nuk duket se ka funksionuar.
Zyrtarët ndërkombëtarë nuk ishin të interesuar të diskutojnë pse apo a duhet të bëhet privatizimi në Kosovë. Por Kosova ka arsye të mirë për të pyetur pse procesi ishte zgjedhur që në fillim, si ka ndikuar ai vërtet në gjendjen socio-ekonomike, dhe pse privatizimi po vazhdon.
Rita Augestad Knudsen është autore \"Privatizimi në Kosovë: Projekti ndërkombëtar 1999-2008\" (NUPI 2010), si dhe aktualisht është duke e bërë doktoraturën në Historinë Ndërkombëtare në London School of Economics and Political Science (LSE).