Ju të vidhni, të rreni..., ne të heshtim
Shkruar nga Zejdush Kastrati
Kupola e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, ështe KEK-u. Këtë konstatim e kam dëgjuar përsonalisht nga goja, jo vetëm e banorëve të shumtë të Kosovës anekënd vendit, e që janë edhe konsumatorë të kësaj kompanie publike, por edhe nga persona shumë kompetentë, profesionistë të shumtë, ish-udhëheqës, por edhe disa që edhe tani janë pjesë e kësaj kompanie, që vetëm formalisht mund të quhet publike, por mbi të gjitha, nga njerëz të sinqertë e të autoritetshëm, të ndershëm e korrektë në raport me shoqërinë, vendin e punës, por edhe me shtetin.
Këtë vlerësim ma pati fuqizuar edhe më tepër, edhe para dy viteve, jo vetëm një herë, por shumë herë, madje edhe me letra të transaksioneve të shumta bankare, që kishte bërë kjo kompani atë kohë, Driton Tali, njëri ndër deputetët më të zëshëm dhe më korrektë e konkretë në atë përbërje të legjislaturës së atëhershme të Kuvendit të Kosovës, njëherësh ekspert i ekonomisë, me titull Dr. i Londrës, por asnjëherë i proklamuar e promovuar sa i përket titullit, para opinionit, qoftë gjatë debateve nëpër media, qoftë në foltoren e Kuvendit, ku ishte ndër deputetët më aktivë e të mos flasim nëpër ndeja private, ku shumica e lidershipit të sotëm, me mburrje prezantohen me tituj që u vjen era taze dhe të shtypur nga fabrikat e analfabetëve, që kanë vërshuar edhe Kosovën, por edhe rajonin.
Nuk është për të mos besuar se pikërisht insistimi dhe deklarimi i këtij deputeti, pothuaj në çdo seancë të Kuvendit, (gjatë mandatit të kaluar), kur pa dorëza, por i përkrahur kohë pas kohe edhe nga ndonjë deputet tjetër, duke përmendur me shifra e fakte, aferat e shumta korruptive sidomos nëpër kompanitë publike, me theks të posaçëm PTK-ja, Kek-u, aeroporti
ishin edhe shkaktarët kryesorë, që fillimisht, ky deputet u divorcua me vetëdëshirë nga kompania (jo partia) e Pacollit, dhe në zgjedhjet e fundit edhe pagoi haraçin, sepse në partinë e Haradinajt, ku u pozicionua, si edhe në shumë partitë tjera, Tali u eleminua gjatë numërimit falë vjedhjeve industriale dhe tash në një supermarket të Londrës po kryen punën e një shitësi të thjeshtë të mallrave me vlerë o,5o funtave, që gjason me atë te Cukat në Kosovë.
Në KEK luajnë milionat. Klanet e liderëve partiakë, edhe ata që më herët, por edhe ata të tanishmit, që e kanë kapur Kosovën në emër të investimeve, donacioneve, mjeteve buxhetore, të ndara në emër të intervenimeve dhe riparimeve për tejkalim të situatave emergjente, pastaj në emër të blerjes dhe furnizimit me energji elektrike, në raste krizash, kanë përdorur e (keq)përdorur miliona e miliona, të cilat nuk është vështirë të vërtetohen, sikur të ekzistonte një gatishmëri dhe disponim e insistim për një hulumtim dhe investigim të mirëfilltë dhe të paanshëm, qoftë nga prokuroria, apo policia kriminale, janë vlerësime edhe të shumë njohësve të rrethanave nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon kjo kompani publike.
Për të argumentuar këtë konstatim tregon edhe fakti se nga 130 lëndët që i janë drejtuar Prokurorisë për hetim nga ana e Agjencisë Antikorrupsion, 60 prej tyre i përkasin atyre nga kompanitë publike, në mesin e të cilave prin pikërisht KEK-u.
Është hipokrizi e llojit të vet kur tash pas skandalit të faturave të KEK-ut, e pas protestave të përditshme të konsumatorëve të dëmtuar, e paralajmërimit për vazhdim protestash, e që mund të quhet edhe rast minor krahasuar me abuzimet tjera me të cilat është e implikuar kjo kompani publike të na shfaqen publikisht Policia kriminale e Kosovës, e cila sipas një njoftimi së bashku me Prokurorinë kompetente të Prishtinës, në emër të hetimit të këtij rasti do të vazhdojë hetimet për të gjeturat dhe do të ndërmarrë veprimet konkrete
!
Në këtë linjë e në këto valë, vetëm për të kamufluar e humbur gjurmë dhe për të hedhur hi syve është edhe deklarata dhe prononcimi i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ,i cili pa fije turpi del e deklaron se Qeveria nuk do të lejojë të dëmtohet qytetari. Për cilin qytetar është fjala duhet të pyetet Beqaj, kur banori i Kosovës është dëmtuar dhe po dëmtohet përditë, pikërisht nga ky ministër dhe shumica e ministrave të tjerë madje jo vetëm nga faturat e fryra të KEK-ut, por edhe faturat e obligimet tjera të cilat gjithnjë po i përjeton në kurriz banori i kësaj Kosove.
Në emër të kinse një ultimatumi drejtuar KEK-ut nga ky ministër, mesazhi i tij është shumë i qartë dhe i kapshëm dhe kjo është një shumëfytyrësi apo pafytyrësi, që mund të ndodhë vetëm në këtë Kosovë ku ai që vjedh thotë kape hajnin, ai që rren thotë kape rrenacakun, ai që tradhton thotë kape tradhtarin, ai që është i pamoralshëm thotë kape të pamoralshmin
!
Nëse duam e ka gatishmëri të dalë e vërteta në shesh, atëherë Policia kriminale e Kosovës, Prokuroria
, (që u lajmëruan) por patjetër edhe ajo ndërkombëtare e EULEX-it, sa i përket KEK-ut, punën më të madhe dhe më të dobishme mund dhe duhet ta bëjnë, duke hetuar shumë raste që kanë të bëjnë edhe me këtë kompani publike e që më së miri, duke hulumtuar edhe rastet e paraqitura publikisht edhe nga KMLDNJ, një institucion, edhe pse i përket shoqërisë civile, por me shume të drejtë mund të llogaritet si më i pavaruri dhe më i sakti sa u përket informatave që ka plasuar dhe po plason, e që i ka përmendur edhe në reagimin me këtë rast.
Transaksionet me kompaninë serbe Rudnapi, e cila ka qenë furnizuesi kryesor për Kosovën me rrymë nga Sërbia, pastaj lishjet me biznesmenin e arrestuar në Serbi, Mirosllav Mishkoviq,Vuk Hamovic, Vojin Llazarevic, Damir Fazlic, por edhe shumë biznesmenë të tjerë, pastaj rasti i privatizimit të Distribucionit të KEK-ut, një privatizim shumë i dyshimtë dhe i gabueshëm, në radhë të parë për shkak të çmimit të shitjes dhe duke mos përfillur kriteret e parapara të tenderimit, janë vetëm disa nga argumentet më të fuqishme, të cilat sikur të hulumtoheshin dhe të zbardheshin me siguri rasti i faturave do të ishte një pikë uji në det.
Ndoshta edhe reagimi i Policisë kriminale e Prokurorisë, por edhe ministrit Beqaj, lidhet pikërisht nga frika se po hapet kutia e Pandorës për KEK-un e që me siguri kurdoherë edhe do të ndodhë, sepse e vërteta mund të vonohet, por patjetër do të zbulohet.
Nëse e duam këtë shtet, që për disa ditë po pret të festojë 5-vjetorin e lindjes, është koha e fundit që e vërteta patjetër duhet të ndodhë sa më shpejt e dihet ne tjetër shtet nuk kemi dhe nuk duhet të kemi, andaj kjo me siguri do të bëhët realitet atëherë kur ne, pa hezitim e pa idhnim, gjërat i themi me emrin e vërtetë. Kur ai që na rren, i themi pse po na rren dhe të mos na rrejë, kur ai që dyshojmë se po na vjedh, i themi se po dyshojmë se po na vjedh dhe të mos na vjedh, kur ai që na kërcënon i themi se nuk i frigohemi më, sepse bëhet fjalë për shtetin dhe vendin, dhe kjo mund të ndodhë vetëm kur shteti është më i fortë se ata që e kanë kapur shtetin.
Fatkeqësisht, disa e kanë kapur këtë shtet