Jostabiliteti politik - ngecje ekonomike
Shkruar nga Mr Albana Maloku Kosumi
Situata e krijuar politike në Kosovë tashmë e njohur ndryshe si ngërrçi politik padyshim se është një temë mbizotëruese e cila për shkak të natyrës dhe kompleksitetit të saj ka krijuar mjaft konfuzion, madje edhe frikë në mesin e qytetarëve për shkak të pasigurisë politike dhe ekonomike në rritje.
Ndonëse është koha e lojërave politike pas zgjedhjeve kombëtare kur bëhen kalkulime të ndryshme rreth formimit të pushtetit, pas një periudhe të gjatë të mungesës së konsensusit politik, një gjë është më se e qartë, qytetari është bërë peng i politikës, gjegjësisht interesave të ngushta dhe të ndryshme të saj.
Nuk duhet harruar faktin se Kosova gjendet në momentet e saj jetike të shtetndërtimit dhe se në këtë proces çdo moment është shumë i rëndësishëm dhe i çmuar. Qëndrimet, lëvizjet politike dhe diplomatike padyshim se ndikojnë bindshëm në formimin dhe forcimin e imazhit të një vendi.
Duke marrë parasysh rrethanat në Kosovë, mund të thuhet se imazhi i vendit vazhdimisht është nën observimin e opinionit botëror. Ai është vendimtar edhe për ekonominë e vendit, pjesën më të ndjeshme të jetës shoqërore.
Në këtë kuptim duhet pasur parasysh se Kosova vazhdon të përballet me probleme dhe sfida të ndryshme disavjeçare ekonomike e sidomos me shkallë të lartë të papunësisë për të cilën nuk ka kapacitete vetanake për ta zbutur gjë që tregon se ka nevojë për kapital të huaj.
Problemet politike gjithnjë reflektohen edhe në rrafshin ekonomik. Jostabiliteti politik, mungesa e institucioneve dhe pavarësisë së tyre, mungesa e reformave, vetëm largojnë kapitalin dhe investitorët e huaj.
Në këtë aspekt ngërrçi politik do ti shkaktojë probleme të mëdha vendit. Investitorët e huaj zakonisht kërkojnë stabilitet dhe qëndrueshmëri politike, ekonomike, por edhe siguri për investimet dhe pronën e tyre gjë që duhet të sigurojnë institucionet e pavarura dhe korrniza ligjore e një vendi.
Është më se e qartë se kriza politike në vend mund të zgjidhet vetëm me konsensus. Të gjitha palët e involvuara duhet të jenë të gatshme për marrëveshje, të lëshojnë pe për të mirën e vendit dhe të qytetarëve. Padyshim se kriza aktuale ka nxjerrë një gjë në pah, se politika me interesat e saj është mbi qytetarin.
Ndonëse partitë politike gjatë fushatës zgjedhore kanë pretenduar se do të kujdesen për artikulimin e interesave të qytetarëve dhe për mirëqenien e tyre, në testin në të cilin janë vënë tani kanë dështuar, pasiqë qytetarët janë bërë peng i luftës për karrige, interesave dhe kalkulimeve të ndryshme partiake.
Qeveria e re fokusin duhet ta ketë në problemin më madhor sot në Kosovë, gjegjësisht në zbutjen e papunësisë dhe në sigurimin e prosperitetit ekonomik të vendit. Në mungesë të kapitalit vetanak, për të arritur këtë qëllim Qeveria duhet të punojë në atraktimin e investitorëve të huaj.
Zhvillimi në fazën e parë duhet të jetë ekstenziv me qëllim që të apsorbohet pjesa më e madhe e të papunëve. Në këtë kuptim institucionet duhet formuar sa më parë ndërsa kryeministri i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë një personalitet me kredibilitet të lartë politik dhe profesional i cili do të punojë me përkushtim të lartë në arritjen e prosperitetit ekonomik.
Sfidë tjetër padyshim mbetet zhvillimi i balancuar i vendit. Në Kosovë lehtë krijohet përshtypja se investimet po koncentrohen vetëm në Prishtinë.
Një numër i madh komunash mbetet jashtë proceseve reformiste, të cilat sot dallohen me infrastrukturë shumë më të dobët dhe dukshëm të vjetëruar që nuk kontribuon aspak në atraktimin e investitorëve të huaj.
Përveç ngecjes në ekonomi, mungesa e institucioneve kryesore të vendit do të shkaktojë ngecje edhe në fushën e integrimeve euro-atlantike për çka përgjegjësia direkte do tiu bie bartësve të politikës.