23 Dhjetor 2024

Jo “bunga- bunga”, por luftë korrupsionit

Shkruar nga Zejdush Kastrati

“Rregulla jote e parë le të jetë, nderoje vetveten” - Pythagoras

Të shtunën e kaluar, në Prevallë, në njërin nga hotelet ku jo rrallë kanë pushuar dhe janë akomoduar edhe liderët e rajonit, pushonte edhe një person i EULEX-it,gjegjësisht një personalitet nga një shtet me ndikim të madh në Bashkimin Evropian e më gjerë, dhe meqë ishte në shoqëri edhe të një kolegeje time nga Anamorava, që e njihja kaherë, pas ftesës që t’i bashkohem sa për një kafe iu bashkëngjita dhe gjatë një ore sa qëndrova me ta e vetmja gjë që më la përshtypje ishte shqetësimi që po përjetonte ky zyrtar i EULEX-it, për shkak se ditë më parë kishte marrë konfirmimin se së shpejti do të përfundonte mandatin e tij në EULEX, dhe, do të kthehej në shtetin e tij prej nga kishte ardhur disa vite më parë, edhe para se të bëhej pjesë e EULEX-IT.

Kuptohet, ajo që sipas mendimit dhe gjykimit tim vërehej te ky person, ishte se ai ishte i tërhequr në vete, fliste shumë pak, pinte verë të kuqe, dhe sallata e meze që i ishte shtruar në tavolinë, si duket nuk i bënin përshtypje, apo e kishte mundur, andaj dukej i hutuar dhe mjaft i mërzitur.

Fliste me admirim për Kosovën dhe kosovarët, por në veçanti lavdëronte dhe fliste në superlativ për natyrën, ushqimin, atmosferën dhe ambientit shumë atraktiv që ka Kosova, duke përmendur malet e Brezovicës, Prevallës, por edhe grykën e Rugovës, që i kishte vizituar shumë shpesh me “shoqëri”,siç deklaronte ai.

Nuk fliste fare për punën që kishte bërë në EULEX, e në veçanti ishte, shumë i tërhequr për tu deklaruar rreth aferave të ndryshme, që kishin ndodhur gjatë kohës sa ishte edhe ai në Kosovë, e që kishin të bënin me “peshqit e mëdhenj”,por kur unë kërkova të largohem dhe u përshëndetëm, e vetmja fjali që e tha, ishte se edhe pas mandatit që po e përfundon, ai sërish do të kthehet në Kosovë, dhe se, përjetë do të jetë mik i Kosovës dhe kosovarëve.

Mendova se ku mund të bëjë këtë jetë tjetërkund ky njeri me këto të mira, që e kanë përcjellë në vazhdimësi në këtë moshë, pos në Kosovë.

No comment!

E ktheva “filmin mbrapa”, dhe paramendova kohën pas vitit 1999, kur në Kosovë ishin stacionuar shumë mekanizma ndërkombëtarë, në veçanti UNMIK-u, me një staf shumë burokratik e numerikisht të madh, e Ivo Shans si administrator i parë, pastaj Marsel Chantalan, Bob Simons, e shumë të tjerë, që vendosnin për rajonin e Gjilanit, e disa edhe për sektorin e Lindjes, punën e parë që bënë ata, patën rekrutuar nga stafi vendor njerëzit dhe personalitetet më të dyshimtë për ne kosovarët, pra ata që patën shërbyer me devotshmëri edhe gjatë kohës së monizmit të Titos, por disa edhe regjimit kriminal të Millosheviqit, dhe të parët i futën, në veçanti, në Polici, Gjyqësor, të cilët betoheshin se do t’i shërbejnë me devotshmëri edhe këtij pushteti.

Një pjesë e këtij stafi vendor i shërbenin stafit ndërkombëtar të UNMIK-ut , dhe më me besnikëri, gjatë ditëve të vikendit, sidomos në Brezovicë , kur ahengjet zgjasnin jo vetëm dy ditë vikendi, kuptohet me vajza të reja dhe të bukura, të cilat me siguri, arsyetoheshin para prindërve dhe të afërmve, se janë në “trajnime profesionale”, por ajo atmosferë që krijohej nuk mund të quhej ndryshe, por u ngjasonte ahengjeve “bunga-bunga”të Berluskonit të sotëm dhe vërtet, edhe disa nga ata, kur e patën lëshuar Kosovën, përkatësisht Gjilanin, qenë mërzitur shumë dhe kjo mërzi qe kurorëzuar më vonë, për disa “matufë”, edhe pse në moshë mbi 55-vjeçare, me martesa, e vizita të shumta, edhe pas përfundimit të mandatit të tyre.

Këto ditë, kur edhe për dy vjet iu vazhdua mandati EULEX-it, Misionit Evropian për Sundimin e Rendit dhe të Ligjit, i cili numëron afro 3000 të punësuar,( 1100 vendorë) me një buxhet prej mbi 200 milionë euro për 16 muajt e fundit. Na kujtohet shumë mirë, në fillim, kur pati ardhur dhe pati zbarkuar në Kosovë, para 4 vjetësh, na pati premtuar se do të bëjë shumë punë,dhe nga respekti, dëshira por edhe nevoja, se gjërat do të marrin kahe pozitive, në veçanti në luftimin e korrupsionit dhe veprave kriminale, pritjet për rezultate kanë qenë shumë më të mëdha, andaj në këtë drejtim ka vend edhe për shumë kritika.

Pa EULEX-in, edhe si i këtillë, siç ishte deri më tash, disa afera dhe skandale, as që ka pasur gjasa, se do të hetoheshin ndonjëherë nga policia apo gjykatat kosovare, e që disa edhe janë në procedurë hetimore, dhe pa marrë parasysh vonesat, me siguri rezultate do të ketë, andaj pa këtë komponent ndërkombëtar, në veçanti, gjyqësori kosovar, i cili identifikohet, skajshmërisht i politizuar dhe klanizuar, por edhe i korruptuar, në masë edhe më të madhe do të shtonte pasiguri, por edhe anarki, e shtim krimi e korrupsioni, me çka, Kosova do të zhytej në një situatë edhe më të rëndë, sa i përket sundimit të ligjit.

Tash, kur këtij komponenti iu vazhdua mandati edhe për dy vjet, në radhë të parë për ata që, janë në institucione të Kosovës, e që e kanë edhe barrën kryesore të përgjegjësisë, dhe të cilët dëshirojnë t’i çojnë proceset, përpara, në veçanti pas përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur), pastaj edhe për ato medie e atë shoqëri civile, që nuk është futur në kthetrat e klaneve e diktateve të politikës ditore, por edhe ata që e quajnë veten intelektualë, (nëpër ndeja ka mjaft të tillë që po na shesin mend). Është momenti i duhur që të ngrenë zërin dhe të kërkojnë pikërisht nga ky mision që në vazhdimësi, të mos promovojë spektakle mediale, me rastin e arrestimeve e të mos bëjë selektimin e dosjeve sipas dëshirës së shefit të EULEX-it, të mos premtojë herë verë e herë dimër të nxehte, por të sillet konform rregullave që do t’i zbatonin në shtetet e tyre, prej nga vijnë.

Zaten, jemi dëshmitarë, kur disa nga stafi i këtij misioni, pos që bëjnë arrestime e bastisje në stilin e kaubojve të Teksasit, edhe kur vozisin sillen si adoleshentë, edhe kur parkojnë sillen si të ishin nga Bangladeshi, veprime për të cilat nga shtetet prej nga vijnë, do të ndëshkoheshin rëndë edhe nga organet e atyre shteteve , por edhe popullata e atjeshme.

Pra, të startojmë e veprojmë edhe ne përafërsisht siç bëjnë e sillen banorët e Londrës, Parisit, Berlinit, Romës…kur është në pyetje interesi i shtetit, me ç’rast edhe reflektojmë atdhedashuri, kulturë shtetndërtimi dhe vlera, për të cilat, në shtetet me demokraci të mirëfilltë sakrifikohet gjithçka, në të kundërtën, gjërat mund të komplikohen edhe më tepër, dhe ky mandat dyvjeçar i EULEX-it, për disa nga stafi i këtij misioni, më shumë do të kalojë nëpër ndeja hoteleve e salloneve të natës, sesa do të kryenin punën, për të cilën kanë ardhur.

EULEX-Kosova, po, por jo si UNMIK-u dhe EULEX-i i 4 vjetëve të kaluara, kur dominuan storie me veprime e devijime, që irrituan e shtuan pezëm e mosbesim, por na duhen veprime me rezultate konkrete në sferat, për të cilat edhe iu vazhdua mandati.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)