23 Dhjetor 2024

Je bo me t’kajt Rahoveci!

Shkruar nga Zejdush Kastrati

“Kryeparlamentari Jakup Krasniqi e ka mbështetjen e opozitës”, ”Jakupin nuk e ndërrojmë, por e mbështesim”, ”Jakupin nuk do ta ndërrojmë, por qeverinë po”.

Ishin vetëm disa nga titujt e disa shkrimeve, por edhe citateve e deklaratave të disa deputetëve e liderëve, të publikuara nëpër mediat elektronike, por edhe të shkruara,  e që patëm rastin t’i lexojmë e degjojmë, menjëherë pasi që kryeparlamentari Jakup Krasniqi, në vazhdën e komunikimeve me opinionin e gjerë, e bëri me stilin e tij tashmë të njohur edhe me publikimin e letrës së tij të dytë, me të cilën publikisht njofton opinionin e gjerë se kurrsesi dhe me kurrfarë kushte nuk pajtohet me konventën e fundit partiake të PDK-së.

Këto premtime e qëndrime “mbështetëse” dhe shumë ”bindëse” për opinionin e gjerë i vijnë ”kurbanit” Jakup Krasniqi, jo nga bashkëpartiakë të tij, bashkëluftëtarë e bashkideologë, por edhe nga ata që në veçanti, në raste festash e përkujtimesh, për t’i bërë promo vetes, e sa për të dalë para medias, shkojnë edhe nga dy herë në ditë dhe vizitojnë edhe varrin e Ibrahim Rugovës, tashmë të vdekur, vend të cilin, siç dihet, nga gjithë kasta politike, vetëm “Kupa” asnjëherë nuk e ka vizituar, por kjo “përkrahje” vjen edhe nga ata, që kohëve të fundit, deri para disa ditësh kur kryeministri Thaçi u tha se “posti i kryeministrit është i padiskutueshëm”, ishin aleatë të fuqishëm të Thaqit e qeverisë aktuale.

Gjithnjë, nga informatat e publikuara nëpër disa media për z. Jakup Krasniqin, gjithashtu, ”shqetësim” dhe “brengosje” është shfaqur edhe nga një subjekt tjetër politik, që nuk njeh flamurin as himnin e Kosovës, e as pakon e Ahtisarit, por rasti i “Kupës” është shqyrtuar nga dy zyrtarë të nivelit të dytë e jo nga lideri i këtij subjekti politik.

Se cili është qëndrimi i disa mini-subjekteve tjera që janë pjesë e Parlamentit, të cilin e udhëheq (hala) Krasniqi, apo i minoriteteve, deri më tash nuk ka reagime, por nëse bazohemi vetëm në këto reagime mund të themi se për ”kokën” e kryeparlamentarit tash për tash ka “mjaft të interesuar” dhe edhe për të shkarkuar nga posti që mban, por edhe pas “divorcit” eventual nga PDK-ja, z. Jakup Krasniqi ka mjaft “aleatë” dhe “mbështetës” që nuk do ta lënë të “digjet” apo edhe të “mërzitet”.

Për ne, (gazetarët) që përcjellim punën e Parlamentit të Kosovës, ndërskamcat e skenaret që përgatiten fillimisht jashtë këtij institucioni e pastaj jetësohen dhe realizohen, pa vështirësi të mëdha pikërisht nga pjesa dërrmuese e këtyre deputetëve në sallën që udhëhiqen nga Jakup Krasniqi, të mos mbështesësh e të mos kalojë edhe në votim ndonjë vendim apo iniciativë e nismë, (nëse ka dështuar me rastin e parë të votimit, në votimin vijues ka kaluar) që është në favor apo e inicuar nga Qeveria apo Hashim Thaçi është rast i pashënuar dhe i parealizuar në dy përbërjet e legjislacioneve të fundit të këtij organi shtetëror.

Se sa është “mbështetja” ”parimore” dhe padiskutueshme e këtyre subjekteve parlamentare në rastin e inicimit të shkarkimit të Jakup Krasniqit nga posti i kryepralamentarit, mund të dëshmohet edhe me premtime dhe ultimatume kur pikërisht nga këto subjekte proklamoheshin kërkesa ultimative drejtuar qeverise aktuale ”Jo bisedime me Serbinë”, ”Presidentja duhet të japë dorëheqje”, ”Nuk komunikojmë kurrë me presidenten”, ”Nuk i besojmë Hashim Thaçit”, ”Jo Blerim Shala koordinator”, ”Për ne, e kryer reforma zgjedhore”,… dhe në fund gjithnjë siç dihet e po shihet u dorëzuan dhe ja ku jemi e po shihet e duket se kush është më i “forti” dhe kush po e mban fjalën.

Kur jemi te votimi, e që pikërisht si duket po thirren (këta “shpëtimtarë”) se nuk do ta votojnë shkarkimin eventual të z. Jakup Krasniqit, nëse këtë e kërkon PDK-ja, edhe kjo praktikë ka dëshmuar pothuaj gjithnjë se me këtë përbërje e strukturë deputetësh, shumica me dosje ”jo të pastra”, me disa deputetë edhe “argatë” shumë të besueshëm të partisë më të madhe, me disa veprime të “shefit të shefave”, por edhe disa militantëve tjerë partiakë, që vështirë ndokush tjetër do të mund të arrinte t’i bënte, edhe z. Jakup Krasniqin, nëse Pdk-ja mendon dhe vendos ta shkarkojë atë mund ta bëjë pa ndonjë problem e mund të madh.

Nëse shkarkimin eventual të Jakup Krasniqit e kërkon dhe e mbështet edhe faktori ndërkombëtar atëherë punën e ish-ambasadorit Dell, tashmë nuk ka nevojë ta kryejë ambasadorja e re Jacobson, por atë punë shumë mirë po e kryen dhe do ta realizojë edhe Bajrami nga Deçani, por edhe të tjerë…

Kryeparlamentari Karsniqi me dy letra dhe “rebelimet” e fundit po tregon bile pak moral politik karshi liderëve tjerë edhe pse e gjithë kjo është më tepër “lojë interesash, por edhe inatesh personale” mes atyre që me vite ishin në maje të pushtetit dhe kuptohet me kalimin e kohës kur arrihet zeniti si gjithkund tjetër, (në veçanti në Ballkan) edhe tek ne pse jo, në skenën politike ka dhe do të ketë me siguri edhe ndarje edhe rënie, edhe largime, edhe hidhërime edhe mospajtime, por do të ketë me siguri edhe burgosje e arrestime, (ishalla nuk ndodh) mund të ndodhin edhe vrasje e eliminime.

Se si do të rrjedhin gjërat është vështirë të parashikohet, por nuk besoj se veprimet e Jakup Krasniqit, si kryeparamentar, do të pengonin në vazhdimësi rrjedhën e punës së Parlamentit, duke bllokuar (eventualisht) nismat e PDK-së si mazhorancë, sepse të gjithë ata që janë përfolur si “krahu” i “rebeluar” i PDK-së, janë strukur e janë “paluar” afër Thaçit dhe janë bërë edhe pjesë e suitave të tij jashtë shtetit.

Jakup Krasniqi i ka afër veti vetëm disa këshilltarë, të cilët si duket kësaj radhe e mësuan shumë keq apo e dezinformuan.

 

Por mbi të gjitha, Jakup Krasnici vizavi popullit edhe pse me vonesë tregoi sinqeritet, respekt e ndershmëri dhe kaloi një fazë nëpër të cilën pothuaj edhe gjithë lidershipi kosovar do të kalojë, sepse koha do të tregojë se nuk ka të paprekshëm, qoftë para ligjit, por nganjëherë edhe para zotit, por kuptohet secili për ngjarje e role të natyrave të llojllojshme.

Megjithatë një fjalë e urtë kineze thotë: ”Dikë, edhe kur vdes, duhet vrarë për së dyti”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)